“ANTENA JASHTË FAMILJES”/ Edi Rama: Ramush Haradinaj mos të rrisë rrogat, pa më pyetur!

“ANTENA JASHTË FAMILJES”/ Edi Rama: Ramush Haradinaj mos të rrisë rrogat, pa më pyetur!
Satirë

“Antena Jashtë Familjes” vjen sot me një lajm të mirë.

Një pemë ka rënë në rrugë, në Tiranë.

Themi lajm i mirë, pasi gjatë rënies nuk shkaktoi dëme në njerëz apo makina.

Rubrika jonë ka mësuar se pas rënies së kësaj peme, Kryeministri është ndjerë keq. Ai ka takuar gjigandin e Ekonomisë Socialiste, ministrin Arben Ahmetaj.

Ne kemi mundur që me antenën tonë të kapnim bisedën e bërë.

Ja bashkëllafosja e bërë midis tyre.

Edi Rama: O Beni, po përse nuk më the që ishte gati një pemë për të rënë, o burrë?!

Arben Ahmetaj: Nuk e dija që ishte e kalbur, Shef! Për kokën e thesit që të jap çdo javë!

Edi Rama: Të kisha dale vetë ta prisja me sëpatë, o burrë! Nuk kemi ç'bëjmë? Duhet të bëjmë diçka që të tërheqim vëmendjen se po ikën qershori dhe s'po rrisim dot rrogat.

Arben Ahmetaj: Të kuptoj Shef! Të drejtë ke.

Edi Rama: Le që ç'flas dhe unë. Sëpatën që kisha, kur isha Kryebashkiak nuk e kam. Ma mori Lanti dhe nuk ma ka sjellë. Të lajmërohet sa më parë, që të më sjellë sëpatën, se ndryshe...

Arben Ahmetaj: Si urdhëron Shef, i them unë.

Edi Rama: Mora vesh që qeveria e Kosovës ka rritur rrogat e buxhetorëve, që në muajin janar. Neve, si do ia bëjmë? Kur mendon që t'i rrisim?

Arben Ahmetaj: Rrogat tona, apo të buxhetorëve...?

Edi Rama: Jo tonat, mor tutkun! Të pyeta për të buxhetorëve. Kur mendon se mund t'i rrisim?

Arben Ahmetaj: Kur të duash ti Shef! Unë gati jam. Vetëm se lekë nuk kemi.

Edi Rama: Nuk ma ke fajin ti mua, jo! Ma ka ai Haradinaj që shkon e rrit rrogat në Kosovë pa u konsultuar më parë me mua, që jam Njëshi i shqiptarizmit.

Arben Ahmetaj: Jo vetëm i shqiptarizmit, Shef, por edhe i rajonit.

Edi Rama: Ashtu të lumtë, Beni! Tani ik mbush atë thesin dhe ma sill! E kujdes, se mos të shikojnë, se para ca ditësh të kishin pikasur ata të Antenës. Asaj “Jashtë Familjes”...

Rubrika e përditshme satirike e “Albanian Free Press”, “Antena Jashtë Familjes”, përgatitet nga Helidon Tahiraj

 

Shpërndajeni me miqtë tuaj: