“ANTENA JASHTË FAMILJES”/ Edi Rama me Kryeministrin e Bullgarisë, diskutuan për lopën Penka

Publicitet
Publicitet
“ANTENA JASHTË FAMILJES”/ Edi Rama me Kryeministrin e Bullgarisë, diskutuan për lopën Penka
Satirë

“Antena Jashtë Familjes” vjen sot me një lajm të mirë. Në kufirin tonë jugor, po hyjnë me dhjetëra refugjatë siriane. Themi tajm i mirë, pasi një pjesë e tyre janë punonjës të kualifikuar. Siria para lufte ka qenë një vend ku bizneset, sidomos ato gjermane, kanë qenë të shumta. Me ardhjen e sirianëve, shpresojmë që edhe Gjermania të sjellë ndonjë fabrikë, siç çonte në Siri.

E meqë ra llafi te kryeministri ynë. Ne patëm mundësinë që të zbulonim bisedën e tij, me kryeministrin e Bullgarisë, i cili vizitoi dje vendin tonë.

Ja bashkëllafosja e bërë mes tyre.

Edi Rama: Ho mo plak, si shkojnë punët andej nga Deti i Zi? Ke ndërtuar ndonjë vilë, apo hotel tëndin, apo jo? Kam marrë vesh që shtëpitë atje shiten lirë. Me sa dhoma e ke bërë?

K.ministri bullgar: Po edhe bëj ndonjë pará, se helbete, në vend lindor jetoj. Sigurisht, jo në emrin tim.

Edi Rama: I ke vënë në emër të gruas? Shumë mirë, se gruaja është e para.

K.ministri bullgar: Është shumë e vështirë t'i vë paratë në emër të anëtarëve të familjes. Fillojnë protestat bullgarët e më heqin fare nga posti.

Edi Rama: Po në ndonjë bankë, a e ke futur gruan?

K.ministri bullgar: Ajo futet vetë në banka dhe dyqane, pa patur nevojë ta fus unë. Eh, gratë...!

Edi Rama: E kisha llafin, a e ke futur në bordin drejtues të ndonjë banke?

K.ministri bullgar: Jo, jo nuk ma mban! Fillojnë protestat bullgarët, nëse e bëj këtë gjë. Desh më përvëluan vjet në tetor. U ngritën në protesta, se donin rritje rroge.

Edi Rama: Kush u ngrit?

K.ministri bullgar: Mjekët, infermierët e ca të tjerë.

Edi Rama: Kujtova se u ngritën ata të partisë tënde. Po si ia bëre që t'i ulje?

K.ministri bullgar: I ula, duke u ngritur rrogat. Kemi disa vite që çdo fillim viti i rrisim rrogat. Këtë vit p.sh, më e pakta 10%, krahasuar me një vit më parë. Bereqaves, e kemi çuar rrogën mesatare mbi 650$. Po ju si jeni me rrogat? Sa merr një...?

Edi Rama: Ku di unë sa e kam rrogën unë, mor plak!

K.ministri bullgar: E kisha llafin, ju këtu në Shqipëri, a i keni rritur rrogat?

Edi Rama: Për momentin, kemi ca kohë që jo. Një herë në 4 vjet i rris unë. Kur ka zgjedhje.

K.ministri bullgar: Nuk çohen në protestë njerëzit këtu te ju?

Edi Rama: Çohen që ç'ke me të! Çohen dhe ikin.

K.ministri bullgar: Një pënimaju! Nuk kuptoj! Si çohen dhe ikin?!

Edi Rama: Çohen dhe ikin nga vendi, pra. Emigrojnë. Nuk kanë fare qejf për protesta. Unë kastile nuk i rrit rrogat, që kjo të rrisë shpirtin e protestës te shqiptarët. Ata hiç!

K.ministri bullgar: Edhe te neve ikin. Kanë ikur në emigrim, mbi 1.1 milionë vetë, këto 28 vite. 15% e popullsisë, pothuajse.

Edi Rama: Ça thu mer plak! Mua 15% më kanë ikur për 5 vjet. 30% e kusur u kanë ikur atyre para meje.

K.ministri bullgar: Na iku edhe një lopë. Kaloi kufirin dhe shkoi në Serbi. Tani duhet ta therim. Kështu na e kërkon BE-ja. Ka thyer rregullat. Ka kaluar kufirin pa çertifikatë veterinare.

Edi Rama: Ça thu mor plak! Për një lopë gjithë kjo zallamahi!

K.ministri bullgar: Më kanë bërë namin ata në Bruksel. O ther lopën, o nuk i ke punët mirë, më kanë thënë.

Edi Rama: E zgjidh unë këtë gjë në Bruksel. Sa të shkoj dhe e llafos me ta këtë çështje. Se mos kam tjetër gjë për të biseduar me ta unë....

Bazuar në: http://russianconstruction.com/news-1/31344-villages-around-bulgarian-resorts-attract-buyers-by-cheap-real-estate.html

https://seenews.com/news/bulgarias-q4-avg-gross-monthly-wage-rises-106-yy-601547

Rubrika e përditshme satirike e “Albanian Free Press”, “Antena Jashtë Familjes”, përgatitet nga Helidon Tahiraj

Shpërndajeni me miqtë tuaj: