“ANTENA JASHTË FAMILJES”/ E kemi një Shqipëri...! - Poezi satirike nga Beso Bashllari

“ANTENA JASHTË FAMILJES”/ E kemi një Shqipëri...! - Poezi satirike nga Beso Bashllari
Satirë

“Antena Jashtë Familjes” vjen sot me një lajm të mirë. Në një zonë malore është parë një gjarpër pesë metra i gjatë. Sqarojmë se matja është bërë me sy dhe kur gjarpri ka qenë në pozicion disi të mbledhur. Themi lajm i mirë, pasi fukarenjtë që presin pemë do të kenë frikë të shkojnë në pyje dhe kështu, vendit tonë të dashur i mbeten disa pemë pa prerë.

E meqë ra llafi te vendi ynë. Sot menduam të sjellim për botim, vargjet satirike të qytetarit nga Përrenjasi, pensionistit artist, shokut Beso Bashllari. (Duke qenë se vetë nuk ia themi fare të shkruajmë në vargje, herë pas herë do botojmë poezitë e të tjerëve, që do na vijnë në postën tonë elektronike..

(Në redaksinë tonë, nuk është turp të pranosh se diçka nuk e bën dot vetë...)

1. E kemi një Shqipëri...!

Në s'ka shije Shqipëria,

Shkaku është njerëzia,

Shkaku jemi neve vetë,

Ne, fodullët e vërtetë.

Neve me pordhët një okë,

Kur asgjë s'kemi në kokë,

Neve që skuqim domatet,

Helme në gjithë' zarzavatet.

Që fëmijët lëmë' pas dore,

Servilizmat shembullore,

Kushërinjtë e kryetarëve,

Me të parët e të parëve.

Pas bythës së kryetarit,

Dhe kur është rrota e ...arit.

Mendja, veç për keq punon,

Që kur lind dhe perëndon,

Dhe kur shtrirë mbi divan,

Mendjen mban tek një putanë.

Gruaja shalët shumë të mira,

Ti mendon prapë për këllira,

Edhe gruaja me burrë deli,

Mendon për tjetër dashuri.

Prishur gjithë botë e tërë,

Qendër e botës, veç një vërë,

Por si paska mundësi?

Kaq mjafton të jesh njeri?!

Ti për kaq vjen në këtë botë?

Ti, gjë tjetër nuk bën dot?

Se ti di dhe politikë,

Dhe kimi, aritmetikë,

Financier, klasë i parë,

Por që larg, dukesh gomar.

Ti di punët e Amerikës,

Dhe hallet e gjithë Afrikës,

Por s'mësove hallin tënd,

Sepse s'ke një fije mend.

Nuk i thua, stop servilit,

Dhe politikan kopilit,

Dhe atij që përdhunon,

Kush të vjedh e të ç'nderon,

Kush të blen për kile miell,

Me furçë të ngre në qiell,

Kush ta puth dorën një ditë,

Katër vjet ti heq të zitë.

Katër vjet me thesin bosh,

Pret në derë prapë atë kodosh,

Edhe prapë ai ta rras,

Me ca miell, pas një pras.

Ndaj të them, bëhu njeri,

Se kemi një Shqipëri,

Si ky vend në botë nuk ka,

Më e mirë se bakllava,

Por ia hoqëm krejt lezetin

I lamë petët pa sherbetin.

Edhe turp, hiç s'po na vjen,

Dita, ditën e gënjen,

Se jemi një popull trim,

Është më i madhi zhgënjim.

Jo! S'jemi popull i vërtetë

Të zezat i bëjmë vetë!

2. Po na e ngrejnë

Na e ngrite, mirë bëre,

Tash t'i sulemi ndonjë vëre,

E ta mbyllim me lezet,

Se borxhliu po na pret.

Farmacia dhe komshia,

Se kështu është llogaria,

Te dyqan i mishit s'kemi,

Kemi kohë atje nuk vemi,

Te ushqimet zarzavatet,

Ja kështu i patëm fatet.

Por ty të të kemi mirë,

Na e fut, kur ke dëshirë,

Kjo përqindje që na ngrite,

Hiç përqind nuk na e rrite.

Por prapë të falënderojmë,

Pesëqind lekë, kaq meritojmë,

Nënën, të na e lërosh,

Kur na jep këtë lëmosh,

Jemi popull kaq i butë,

Më i butë, nga çdo mut!

Rubrika e përditshme satirike e “Albanian Free Press”, “Antena Jashtë Familjes”, përgatitet nga Helidon Tahiraj

Shpërndajeni me miqtë tuaj: