Andiduhani, mbyllen subjektet që gjobiten tre herë

Publicitet
Andiduhani, mbyllen subjektet që gjobiten tre herë
Ndryshon sërish ligji kundër duhanit. Komiteti ndërsektorial ka vendosur të ashpërsojë penalitetet, duke shkuar deri në mbyllje të bizneseve, të cilët do të gjobiten deri në tre herë. Po kështu, për herë të parë do të ketë masa administrative edhe për ata subjekte, të cilët lejojnë përdorimin e cigares elektronike dhe shishave në ambientet e mbyllura. Kjo është hera e tretë e ndryshimit të këtij ligji, që nga vitit 2007 kur ai ka nisur zbatimin në vendin tonë.

 

Sonila Isaku

Të tjera ashpërsime pritet të ndodhin në ligjin kundër duhanit. Një grup punë është ngritur pranë Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, i cili ka nisur diskutimet për ndryshimin e ligjit kundër duhanit, duke përcaktuar të tjera penalitete dhe masa ndëshkimore për bizneset të cilët nuk e zbatojnë si duhet atë. Kjo është hera e tretë e ndryshimit të këtij ligji, që nga vitit 2007, kur ai është miratuar për herë të parë.

Ndryshimet

Pavarësisht se përgjatë këtyre katër viteve të fundit, ligji “Për mbrojtjen e shëndetit nga produktet e duhanit” ka papasur zbatueshmërinë më  ë mirë të tij, ai sërish do t’i nënshtrohet ndryshimeve. Këto ndryshime kanë të bëjnë me penalitetet që u vendosen bizneseve. Deri më tani, bizneset të cilët nuk zbatonin ligjin, thjesht merrnin një gjobë, që mund të shkonte edhe deri në nëntë herë, por nuk kishte masa të tjera shtrënguese. Tashmë me ndryshimet e reja parashikohet që nëse një biznes do të marrë deri në tre gjoba sa i përket përdorimit të duhanit në ambientet e tij, mund të shkojë drejt mbylljes. “Kemi mbledhur komitetin ndërministror për mbrojtjen e shëndetit nga produktet e duhanit dhe tashmë kemi propozime konkrete për ta bërë më efikas ligjin që ndalon duhanpirjen. Gjithashtu do të propozojmë që ato për ato subjekte të cilat gjobiten mbi tre herë për një periudhë të shkurtër kohe, të bëhet mbyllja e aktivitetit”, ka bërë më dije ministrja Ogerta Manastrirliu. Pak ditë më parë ka qenë zv/ministrja e Shëndetësisë, e cila ka pohuar se do të shkohet drejt këtyre ndryshimeve ligjore. “Ne aktualisht kemi ngritur një grup pune për të diskutuar mbi ndryshimet ligjore sa i përket ligjit “Për mbrojtjen e shëndetit nga produktet e duhanit”. Kjo pasi na ka rezultuar të kemi subjekte të cilat janë gjobitur deri në nëntë herë, por ne nuk mund të marrim masa të tjera”, pohoi, zv/ministrja e shëndetësisë.

Shisha dhe cigare elektronike

Ndërkohë, nga ana tjetër është vetë Inspektorati Shtetëror Shëndetësor që po kërkon ndryshmin e ligjit për të futur për herë të parë edhe moslejimin e cigares elektronike dhe të shishave në ambientet e mbyllura. “Problem tjetër që ne kemi hasur në punën tonë dhe e kemi paraqitur përpara këtij komisioni për ndryshimin e ligjit është edhe koncepti i duhanpirjes. Domethënë, përkufizimi në ligj duhet të jetë akoma dhe më i qartë, që do të thotë çfarë nënkuptohet me këtë duhanpirje. Jo vetëm cigarja që ne kemi parasysh, por procesi në tërësi i duhanpirjes, qoftë edhe procesi që bëhet përmes mjeteve të tjera siç mund të jetë shisha, cigarja elektronike; ato përmbajnë produkte të duhanit. Pra, duhet të ketë një qartësi më të mirë të këtij termi”, pohojnë ekspertët e ISHSH. Sa i përket masave të gjobave dhe penaliteteve, komisioni ende nuk ka përcaktuar ndryshime apo shifra konkrete nëse për bizneset përsëritëse të masave administrative do të ketë gjoba të diferencuara.

Shifrat

Të dhënat e ISHP tregojnë se 50% e meshkujve janë duhanpirës dhe 10% janë femra. Ndërkohë, studimi i realizuar në nxënës të moshave shkollore tregon se rreth 25% e fëmijëve në moshë shkollore kanë pirë duhan të paktën një herë në jetë.

Të dhënat tregojnë se mjaft vdekje nga sëmundjet kronike i atribuohen duhanpirjes, ndërsa OBSH-ja në posterin e saj të këtij viti informoi se tre milionë vdekje ndodhin nga sëmundjet kardio-vaskulare, shumica e tyre kanë shkak duhanin. Mjekët flasin për tumoret, një ndër patologjitë me të rrezikshme. Tumoret nga duhani që prekin edhe 20- vjeçarët; fakt tronditës që nuk është njohur në vitet e mëparshme, duke marrë në konsideratë se tumoret e mushkërive janë vdekjeprurëse. “Pjesa më e madhe e të sëmurëve që paraqiten në urgjencë janë në atë gjendje që mushkëria ka pësuar dëme të tilla irevesibël, ku pacientët arrijnë deri në atë pikë sa kanë edhe ulje të oksigjenit në gjak. Duhani është shkaktar në 80% të kancerit të mushkërive”, pohon Eritjan Tashi, mjek në spitalin “Shefqet Ndroqi”. Sipas tij, stili i jetesës është një nga shkaktarët kryesore të rritjes së duhanpirjes. Po kështu, një rol shumë të madh duhet të kenë edhe politikat agresive, që duhet të ndiqen në lidhje me konsumimin e duhanit.

Në Shqipëri nuk kanë munguan politikat kundër duhanprirjes siç është rritja e akcizës së duhanit, ligji për ndalimin e duhanit në vendet të mbyllura. Por pavarësisht hapave të bërë në këtë drejtim, në aspektin e kostove shëndetësore, Shqipëria ka statistika të larta të konsumuesve të duhanit.

 

Gjobat aktuale të duhanit

300 000 (treqind mijë) lekë, subjekti i tatueshëm;

50 000 (pesëdhjetë mijë) lekë, personi përgjegjës në institucionet publike;

50 000 (pesëdhjetë mijë) lekë, administratori në banesat me bashkëpronësi të detyrueshme;

5 000 lekë (pesë mijë) lekë, duhanpirësi;

 

Në 5 muaj, 134 gjoba për bizneset ku pihet duhan

Inspektoriati Shtetëror Shëndetësor ka intensifikuar kontrollet mbi shmangien për pirjen e duhanit në ambientet publike, duke shtuar se vetëm gjatë muajve të parë të këtij viti janë realizuar 15.761 kontrolle nga inspektorët e shëndetësisë dhe janë marrë 134 masa administrative. “Vetëm në muajt e parë të këtij viti, u realizuan 15.761 kontrolle nga inspektorët e shëndetësisë, aq sa janë kryer gjatë gjithë vitit 2017. Janë marrë 134 masa administrative, çka tregon për një zbatueshmëri të mirë të ligjit anti-duhan” tregojnë të dhënat e ISHSH-së. Ndërkohë, pritet që brenda muajit qershor të miratohen edhe imazhet që do të kenë paketat e duhanit në Shqipëri, të cilat do të përfshijnë “sëmundje të tmerrshme” që shkaktohen nga duhani.

Shpërndajeni me miqtë tuaj: