ZONJA VIDEO – KOMENT NGA FRROK ÇUPI

Publicitet
Publicitet
ZONJA VIDEO – KOMENT NGA FRROK ÇUPI
Nga Frrok Çupi

Ky artikull është shkruar posaçërisht për gazetën “Albanian Free Press”

Zonja Video ishte këtu mes nesh, këta veçse e zgjuan... Vëllai i ministrit të Brendshëm është përgjuar dhe regjistruar në video dhe, pas kësaj, del “kriminel”. Po pse nuk doli kriminel, ministri vetë? Ky, me sa duket, ose jeton si peshk nëpër ujëra të pastra, ose izolohet nga mëngjesi në mëngjes. Ministri nuk shikon dritë dielli, as ka hemoglobinë. Kështu ka shpëtuar nga kamera. Po vallë, kështu e duam ministrin?...

Puna është se, kamera është Zonja e gjithëpushtetshme. Nuk ka rëndësi nëse përgjohet ministri, presidenti, bankieri ose bukuroshja; përgjohet secili që përbën ushqim për politikën. Asgjë nuk ka ndryshuar me kohët e shkuara, veçse është rritur cilësia e “Videos”.

Më duket se e shkrova që në hyrje se, “Zonja Video ndodhej këtu mes nesh”. Përgjimi ka qenë arma më e fuqishme e diktaturës komuniste, prej më shumë se katër dekada. Nuk ka asnjë ndryshim mes përgjimit komunist dhe përgjimit demokratik, veçse ndryshojnë emrat e shpikësve: Përgjimi komunist kishte baba Stalinin; ndërsa përgjimi i ri ka Mark Zuckerberg, që duket “i penduar” pse i hyri kësaj pune që po çmend botën. Por një botë e vogël, e rrënuar nga diktatura komuniste - siç është Shqipëria - i ka nervat të hapura.

Shqipëria, për 40 vjet, ka burgosur 34 mijë vetë me akuza politike dhe ka pushkatuar 6 mijë të tjerë. Të gjitha krimet janë kryer me të vetmen provë krimi: Përgjimi i atëhershëm ose Video e sotme. I vetmi numër që nuk është regjistruar dhe që nuk mund të ketë statistikë, është numri i përgjuesve ose spiunëve. Këta janë të pa fund në numër... Një bari në bjeshkë “kallëzohej” nga lopa ose nga dikush që shkëmbente cigare me bariun, ndërsa ministri kallëzohej nga miku më i ngushtë.

Kësaj here, në aferën e përgjimit të vëllait të ministrit, kemi përsëri të njëjtët elementë: Miku i ngushtë dhe hallexhi; ministri rival; vëllai i ministrit dhe ministri në detyrë... Njeriu hallexhi që kërkonte punë me drogën (që sot e tregoi emrin), ishte një skafist droge, kriminel trafiqesh, - sigurisht, siç pranon vetë, dhe mik i ngushtë i vëllait të ministrit. Një herë, kur kishte rënë në burg në një shtet të Europës, duke trafikuar drogë, - ja, këtu nisi konflikti me vëllain e ministrit. Skafisti Veliu u mërzit me mikun e tij, Goni, pse ky nuk i dërgoi cigare në burg. I mbajti inatin 15 vjet; derisa erdhi dita për përgjim, d.m.th., për përfitim politik. Ministri i larguar me akuzën e trafikimit të drogës mes shteteve (tashme nën arrest), u mërzit me ministrin që i zuri fronin dhe - siç thonë - aktivizoi spiunët e burgut për të përgjuar vëllain e ministrit... Të gjithë thonë: “Po si paska shpëtuar vetë ministri? Kaq i pastër qenka?”

Historia e “videove” ka një lidhje të mahnitshme me një ngjarje si kjo, në periudhën e diktaturës komuniste. Edhe atëherë ishte një ministër i regjimit, por posti i tij quhej “sekretar i parë i Partisë” në rajon. Një ditë, nisi burgosja e tre vetëve, si sot:

I dyti që erdhi në qeli, e pyeti atë që gjeti: “Më fal, po pse të kanë burgosur, vëlla?...”. Ai që kishte zënë qelinë i pari, u përgjigj: “Eh! Si të them!... Shava sekretarin e parë të Partisë”... Kaq tha dhe nuk e hapi më gojën, deri pas disa ditësh kur i bëri të njëjtën pyetje tjetrit: “Po ty, mor mik, pse të kanë burgosur?” “Edhe mua më kanë përgjuar, vëlla - tha. Del se kam lavdëruar më shumë se duhet sekretarin e parë...”.

Kur në qeli mbërriti i treti, të dy të parët i treguan secili historinë e tij dhe pastaj e pyetën: “Pse të sollën këtu? Se ky shau sekretarin e parë... Ndërsa unë lavdërova sekretarin e parë.... Po ti, pse?”. “Unë jam vetë sekretari i parë” - tha i treti.

Viktimat e përgjimeve janë viktimat më të dyshuara në botë. Disa prej tyre janë fajtorë, trafikantë ose kriminelë realë; disa të tjerë janë “ufo” të fajit, por nuk e gjejnë kurrë drejtësinë. Në këtë rast, mund të thuhet se, këta vetë nuk kanë kryer asnjë krim, por dikush ka thënë se kanë kryer krim. Pasiguria e shoqërisë në kohë përgjimesh dhe spiunimesh, është shumë e lartë. Diktaturat ndërtohen me spiunllëqe, edhe sikur diktatorët të kishin qenë engjëj në jetën e parë. Kush mund të peshojë vullnetin dhe emocionin e “gjykatësit”, d.m.th., të liderit shtetëror e politik, kur në dorë i bie një “video” spiunësh për atë që e ka shpallur armik!? Mbi bazën e një video mund të shkojë në ferr një jetë. Voluntarizmi në ndëshkime, pas “fajit” të përgjuar me video, mund të shkatërrojë paqen njerëzore e qytetare...

Po, atëherë, pse e kanë bërë “Videon”, zonjë kaq të rëndë?

1.

Opozita politike që mendohet se ekziston për të mbrojtur të drejtat e individit, ka implikacione diktature - njësoj si edhe shumica. Por opozita kthehet në inferioritet para shumicës, në momentin që ka humbur kontaktet dhe përfaqësimin e votuesve të saj. Partia Demokratike që ka paraqitur videopërgjimin kundër ministrit, ka marrë mbi vete përgjegjësitë e kompleksit për pushtet. Nesër nuk mund të votohet në masë, sepse është shfaqur si adhuruese e përgjimeve - një ves i neveritshëm për njerëzit. Veç kësaj, nesër detyrohet të lirojë nga burgu ose ta bëjë ministër, trafikantin e drogës që përdori sot për të spiunuar vëllain e ministrit. Një e nesërme qeverisëse premtohet e inkriminuar, njësoj si qeveria aktuale është shpallur e tillë. Shumica e tanishme po nxitet dhe po shpallet sikur po kërkon “kokën” e trafikantit që regjistroi vëllain e ministrit. Mund të jetë e vërtetë. Si në njërën anë, edhe në anën tjetër, sot dhe nesër, do të kemi qeverisje të infektuar në krim.

2.

Video, më në fund, shpallet arma kryesore për të fituar zgjedhjet parlamentare. Nuk është as shërbesa ndaj popullit, as lufta kundër varfërisë, as projekti për një shoqëri të pasur, as shkollimi, as kultura, as kombi, as familja... Në Kuvendin e ri do të kemi ata anëtarë që do të spiunojnë më shumë. Parulla e vjetër ironike, “Një popull spiun”, pas kësaj do të kthehet, “Një Parlament spiun”. Nga “qeveri e Noriegës” - sot, nesër do të kemi “qeverinë e “Kim Filbit”, ose “Edward Snowden”. Deformohet shteti dhe raporti me individin. Votuesit do të mashtrohen sikur po votojnë për përfaqësuesin - njeri; por në fakt do të votojnë për përfaqësuesen - Video. Video nuk ka as shpirt, as ndërgjegje, as dhimbje e as gëzim; as flet as dëgjon...

Këtë “Zonjë” do të votojnë njerëzit - si të votojnë njërën ose tjetrën parti.

Ndalohet rreptësisht ripublikimi i këtij shkrimi pa një leje të shkruar nga redaksia e Albanian Free Press

Shënim: Qëndrimet e shprehura në shkrimet e rubrikës Opinion, nuk përfaqësojnë domosdoshmërisht një vijë editoriale të Albanian Free Press

Shpërndajeni me miqtë tuaj: