Zhvlerësimi i euros, i gjithë faji i BSH

Publicitet
Zhvlerësimi i euros, i gjithë faji i BSH
Euro ulet në nivele kritike, deri 127 lekë. Dëm kolosal për eksportet, shkatërrim edhe i turizmit. Telashe pafund për familjet që mbahen me paratë e emigrantëve. Në ekonominë e vendit qarkullojnë 104 milionë euro më pak, arkës së shtetit i zhduken 26 milionë euro. Flasin ekspertë nga Qendra e Eksporteve Shqiptare dhe Shoqata e Industrialistëve Ushqimorë, si po humbin 7 mijë vende pune. Kreu i AFI, Alban Zusi: Strategjia e deeuroizimit, e gabuar, paralajmëruam me kohë Bankën e Shqipërisë. Apeli për Sejkon, Ahmetajn dhe Ramën. Dhe paradoksi, strategjia e hedhur për zbatim mbetet mister, kërkohet zbardhja e saj për të marrë masat e nevojshme

Ashtu siç ishte paralajmëruar që në krye të herës, kur u shpall publikisht strategjia e deeuroizimit, ndodhi pikërisht dukuria negative e zhvlerësimit masiv të monedhës evropiane në Shqipëri, duke shkaktuar dëme të mëdha në ekonominë e individëve dhe vendit në tërësi, pasoja që do të vazhdojnë.

Ekspertët nga Qendra e Eksporteve Shqiptare dhe Shoqata e Industrialistëve Ushqimorë pohojnë se strategjia e deeuroizimit, dihej që do të sillte këto pasoja. Alban Zusi, Drejtor Ekzekutiv i AFI (Albanian Food Industry/ Shoqata e Industrialistëve Ushqimorë) thotë se veprimet e ndërmarra në kuadër të kësaj strategjie, apo dhe thjesht efekti psikologjik ndikuan në treg në zhvlerësimin e euros përkundrejt monedhës vendase duke dëmtuar kështu industrinë e eksporteve, të turizmit dhe shtresën me vulnerabël të popullsisë që jeton me remitancat.

“Në veçanti, në kategorinë e eksporteve, si kategori tepër e dëmtuar, do të përmendnim fermerët të cilët pësojnë një dëm te dyanshëm: iu ulen të ardhurat e realizuara nga eksportet fatmirësisht të rritura ndjeshëm në këto tre vitet e fundit, por njëkohësisht do iu ulen çmimet e shitjes së produkteve të tyre, veçanërisht qumësht dhe mish, për shkak te produkteve më të lira të importit si rrjedhojë e euros të zhvlerësuar”, - thotë Zusi.

“Ekzaktësisht siç e paralajmëruam, - vijon ai, - në fakt impakti ndodhi, madje më keq nga ç’e prisnim, pasi në harkun e më pak se tre muajve, euro u zhvlerësua kundrejt lekut me afër 4%”.

E thënë ndryshe nëse euro do të qëndrojë në këto nivele përkundrejt lekut, ekonomia shqiptare do të ketë këto impakte gjatë vitit 2018:

Do të mungojnë afro 7 miliardë lekë nga eksportet në qarkullimin e brendshëm;

Do të mungojnë afro 3.5 miliardë lekë nga remitancat;

Do të qarkullojnë afro 3.5 miliardë lekë nga turizmi.

Pra, në total në ekonominë vendase do të qarkullojnë afër 14 miliardë lekë më pak, ose 104 milionë euro.

Alban Zusi ndalet dhe në dëmet që po sjell strategjia e Bankës së Shqipërisë, te arka e shtetit. “Për efekt fiskal, do të kemi afër 25 % të munguar në buxhetin e shtetit, pra afër 3.5 miliardë lekë (26 milionë euro) më pak në buxhetin e shtetit vetëm për vitin 2018”.

Nëse do të merrnim në konsideratë që po kjo shumë do të jetë dhe xhiro e munguar e bizneseve të tjera të lidhura qoftë me industrinë e eksporteve, atë të turizmit apo të impaktuara drejtpërdrejt nga blerjet e shtesës së popullsisë që jeton në sajë të remitancave, të gjitha këto efekte dyfishohen.

Ndërkohë, po të llogarisim koston për hapjen e një vendi pune të barabartë me afro 2 milionë lekë, vetëm për këtë vit, nga mungesa e këtyre të ardhurave për sipërmarrjet e prekura, do të kemi aftësi të reduktuar për hapjen e të paktën 3.500 deri në 7.000 vende të reja pune. Duke mos llogaritur këtu edhe reduktimet e mundshme apo shkurtimin e personelit për shkak të rënies së konkurrueshmerisë dhe të xhiros së biznesit të sipërmarrjeve eksportuese por dhe atyre të lidhura me to.

Për z.Zusi, këto shifra janë sinjifikative dhe të mjaftueshme për të krijuar një ekip pune për menaxhimin e situatës së krijuar nga ky zhvlerësim i përshpejtuar i aftësive eksportuese të vendit tone dhe rënies së parave në qarkullim për gjithë ekonominë.

Ai siguron se Qendra Shqiptare e Eksporteve (Albexport) dhe Albanian Food Industry (AFI) janë të gatshëm për të vënë në dispozicion të gjitha kapacitetet dhe burimet e nevojshme në funksion të një analize të shkaqeve të dinamikës së zhvlerësimit të euros, të flukseve hyrëse të pashpjegueshme të kësaj monedhe në tre muajt e parë të vitit që si rregull janë dhe muajt me qarkullimin më të ulet të biznesit, dhe veçanërisht në propozimin dhe hartimin e hipotezave që mund t’i ndalin këto dinamika dhe t’i kthejnë ato në kahun pozitiv të zhvillimit ekonomik dhe të mirëqenies sociale.

Por si mund të arrihet kjo?

Banka e Shqipërisë, vërtet ka hartuar dhe vënë në zbatim atë që e quan strategjinë e deeurozimit, por konkretisht nuk ka treguar këtë plan. Në këto kushte, bizneset kanë të nevojshme që të dijnë se çfarë është kjo strategji.

“Në funksion të analizave dhe studimeve që ne jemi duke bërë për këtë fenomen do të donim nga Banka e Shqipërisë të na vinte në dispozicion me qëllim vlerësimin e opsioneve të parashikuara ne te për rastin e një fenomeni të ngjashëm me këtë që po ndodh”, - thotë Zusi, i cili thekson se mbeten ende në pritje të këtij dokumenti.

 

Alarmi për euron, apel Sejkos, Ahmetajt e Ramës

Të shqetësuar nga situata e krijuar me zhvlerësimin e euros, Qendra e Eksporteve Shqiptare dhe Shoqata e Industrialistëve Ushqimorë, kanë hartuar një letër të cilën ia kanë dërguar Guvernatorit të Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko, ministrit të Ekonomisë, Arben Ahmetaj dhe kryeministrit Edi Rama. Në letër ata renditin dëmet që po shkakton strategjia e deeuroizimit, që e quajnë të papranueshme. Ata po ashtu konsiderojnë paradoks, faktin që kjo strategji e hedhur në “treg” nga Banka e Shqipërisë, nuk është bërë publike ndaj dhe këmbëngulin që ta kenë në duar, për të parashtruar zgjidhje të situatës së krijuar.

 

Shpërndajeni me miqtë tuaj: