VIJOJNË REAGIMET/ Çështja “Tahiri”, BE: Kujdes me prezumimin e pafajësisë!

VIJOJNË REAGIMET/ Çështja “Tahiri”, BE: Kujdes me prezumimin e pafajësisë!
Pas Shteteve të Bashkuara të Amerikës, dje ka qenë Bashkimi Evropian ai që ka dhënë qëndrimin e tij mbi çështjen “Tahiri”, pas vendimit të Gjykatës për Krimet e Rënda, i cili la në arrest shtëpie ish-ministrin e Brendshëm.

Bashkimi Europian përshëndet punën e autoriteteve ligjzbatuese në Shqipëri, por kujton parimin e prezumimit të pafajësisë dhe rëndësinë që ka ai në një shtet të së drejtës”, thuhet në deklaratën e posaçme të delegacionit të BE-së. Duke shprehur më tej pritshmërinë e tij që autoritetet shqiptare ta vazhdojnë me vendosmëri luftën e tyre kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar.

Një gjë të tillë, delegacioni i Bashkimit Evropian e cilëson si thelbësore për avancimin e procesit të anëtarësimit të Shqipërisë në strukturat e tij, me të drejta të plota.

Kujtojmë se gjykata vendosi ditën e shtunë masën për “arrest shtëpie” ndaj Saimir Tahirit, e kundërshtuar kjo nga avokati i tij, ndërsa akuza kërkon masë sigurie për “arrest me burg”.

Ndaj një vendimi të tillë ka reaguar edhe ambasada e SHBA-ve, sipas së cilës Shqipëria ka bërë përparim në luftën e saj kundër krimit të organizuar edhe korrupsionit.

“Vendimi i gjykatës për të vendosur Saimir Tahirin në arrest shtëpie është një shenjë se kjo çështje e rëndësishme korrupsioni do të vendoset në mënyrë të drejtë dhe transparente në gjykata”, thuhej në qëndrimin zyrtar të SHBA-ve.

Ndërkaq, pritet që gjatë kësaj jave, prej Saimir Tahirit të ketë një apelim ndaj vendimit të gjykatës ndaj tij, duke kërkuar një masë më të lehtë sigurie.

Kurse ditën e parë në “arrest shtëpie”, dje ai e ka kaluar me kafe, cigare dhe mbajtje shënimesh në ballkonin e shtëpisë së tij.

Shpërndajeni me miqtë tuaj: