VIJOJNË AKUZAT/ PD publikon përgjime: Vëllai i ministrit, biseda me trafikantë

VIJOJNË AKUZAT/ PD publikon përgjime: Vëllai i ministrit, biseda me trafikantë
Në kuadrin e akuzave të ndërmarra ndaj ministrit të Brendshëm, Fatmir Xhafaj, Partia Demokratike ka publikuar dje një përgjim audio, në të cilin sipas saj, vëllai i ministrit bisedon me një person të cilësuar si “Bashkëpunëtori X” për trafik droge. Reagon Partia Socialiste. Kreu i grupit parlamentar, Taulant Balla: Nëse materiali është autentik, atëherë Xhafaj duhet të mbajë përgjegjësi morale.

 Partia Demokratike vijon sërish akuzat ndaj ministrit të Brendshëm, Fatmir Xhafaj, lidhur me vëllain e tij. Dje, ajo ka publikuar një përgjim audio, përmes të cilit ngriti pretendimin se Agron Xhafaj vazhdon të jetë ende në krye të një grupi trafikimi ndërkombëtar droge me qendër në Vlorë. Konkretisht, në këtë përgjim të servirur për publikun nga PD-ja, vëllai i ministrit pretendohet se zhvillon një bisedë për trafik droge, me një person, i cilësuar si “Bashkëpunëtori X”.

Sipas demokratëve, në të kaluarën, ky person dhe Agron Xhafaj kanë punuar së bashku në trafikun e drogës, por kur ai u dënua me burg në Itali, Agroni nuk u interesua kurrë për të, por më pas, ata lanë një takim të dy në Vlorë.

Përgjimi është bërë në ambientet e një lokali në këtë qytet, që njihet si pronë e vëllait të ministrit të Brendshëm.

Ndërkaq, nga Partia Socialiste, kryetari i grupit parlamentar, Taulant Balla ka reaguar rreth këtij përgjimi, duke pohuar se nëse materiali është autentik, atëherë Xhafaj duhet të mbajë përgjegjësi morale. Ai madje i ka bërë thirrje Partisë Demokratike që të depozitojë në prokurori çdo provë që posedon. Sipas tij, duhet vërtetuar së pari nëse video është autentike apo jo dhe kjo gjë bëhet nga organi i akuzës.

“Në zbatim të ligjit, disponuesit e këtij materiali, as të provuar dhe as si autentik duhet të depozitojnë materialin në prokurori. Presim me padurim të mësojmë të vërtetën, me bindjen se ose duhet të ndëshkohet i akuzuari nëse është fajtor, ose të ndëshkohen akuzuesit nëse janë regjisorë të kësaj shfaqjeje”, tha ai.

Shpërndajeni me miqtë tuaj: