Troket sezoni turistik, hapen “dyert” për hotelet me 4-5 yje

Troket sezoni turistik, hapen “dyert” për hotelet me 4-5 yje
Në vigjilje të sezonit zyrtar turistik në vendin tonë, qeveria ka miratuar kushtet që duhet të plotësojë një investitor, për të ndërtuar njësi të tilla akomoduese, TVSH-ja e të cilave është vetëm 6%, tatim-fitimi 0 për dhjetë vjet me radhë dhe taksa e infrastrukturës përgjithmonë 0

U hapen “dyert” zyrtarisht hoteleve të luksit në Shqipëri.

Fjala është për ata me 4-5 yje, pronarët e të cilëve do të paguajnë vetëm 6% Tatim mbi Vlerën e Shtuar (TVSH) dhe do të përjashtohen për dhjetë vjet me radhë nga pagesa e taksës së infrastrukturës, tatimi mbi fitimin, si edhe nga taksa e pronës.

Tashmë,  të interesuarit për ta kanë të miratuar prej qeverisë listën e kritereve që duhet të përmbushin për të ndërtuar një të tillë. E në këtë mënyrë, të nisin të shtojnë përgjatë territorit të vendit këtë kategori njësish akomoduese, tashmë e kërkuar prej shtresës së turistëve të cilët zgjedhin Shqipërinë për pushime dhe që janë në gjendje ta përballojnë koston e tyre.

Por kush mund ta marrë këtë status special, cili lloj investitori?

Sipas vendimit përkatës të qeverisë, vlera e parashikuar e investimit është të paktën 8 milionë euro për ndërtimin e strukturës akomoduese me 4 yje dhe të paktën 15 milionë euro për ndërtimin e strukturës akomoduese me 5 yje. ”Të ketë pasur xhiro të paktën 40% të vlerës së investimit në tri vitet financiare të fundit të marra së bashku”, përcakton gjithashtu vendimi lidhur me anën financiare që duhet të përmbushë investitori.

Nga ana tjetër, këtij investitori i duhet që të investojë në ndërtimin e një strukture akomoduese me 4 ose 5 yje, në zonat me përparësi zhvillimin e turizmit në Shqipëri dhe jo në zona periferike.

“Nëse aplikon për statusin special për 4 yje, të ketë investuar në ndërtimin dhe/ose menaxhon të paktën 5 struktura akomoduese në fushën e turizmit, të cilat janë të licencuara me 4 dhe/ose 5 yje nga autoritetet kompetente për këtë licencim të vendeve ku ndodhen”, citon VKM-ja.

Në këtë rast, strukturat ndodhen në të paktën tre vende të Bashkimit Evropian. Dhe nëse nuk janë në vende të tilla, aplikuesi duhet të ketë investuar në ndërtimin dhe/ose menaxhon të paktën 8 struktura akomoduese në fushën e turizmit, me 4 apo 5 yje në destinacione ndërkombëtare të turizmit.

Kujtojmë sakaq se në Strategjinë e saj të Turizmit 2018-2022, qeveria ka parashikuar që në vend të kemi të paktën pesë resorte me 4 dhe 5 yje. Subjekte këto të cilat, sipas paketës fiskale të këtij viti shërbimet e kafeve, restorantit apo fjetjes, t’i kenë të gjitha me TVSH 6%.

Taksa e infrastrukturës zero është një tjetër lehtësi që qeveria ia dhuroi grupit të investitorëve me 4-5 yje që do të kenë status special. Kjo taksë normalisht paguhet në nivelin 4% të vlerës së investimit në Tiranë dhe 1-3% të vlerës në rajonet e tjera në vend.

Një lloj “parajse fiskale” kjo, për sipërmarrësit që do të duan t’i drejtojnë investimet e tyre në këtë lloj profili.

 

 

 

 

Shpërndajeni me miqtë tuaj: