Transporti, BE: Rrugët që duhet të ndërtojë Shqipëria për tre vjet

Transporti, BE: Rrugët që duhet të ndërtojë Shqipëria për tre vjet
Brenda këtyre tre viteve, Shqipëria duhet të ndërtojë disa akse të rëndësishme rrugore, por edhe hekurudha, si edhe të përmirësojë gjendjen e porteve që ka.

Këto janë kërkesat që i ka vendosur asaj Bashkimi Evropian, në kuadrin e Planit Kombëtar të Integrimit, 2018-2020.

Konkretisht, në zërin e transportit, i cili zë në një vend kryesor për procesin e integrimit si të tillë, ekspertët e BE-së kërkojnë nga Shqipëria që të realizojë ndërtimin e korridoreve kryesore rrugore, duke e nisur nga ai PanEvropian.

Por edhe Korridori 8, një projekt mjaft i rëndësishëm ky infrastrukturor rajonal, për të cilin ka vite që flitet në Shqipëri.

Përfshirë këtu edhe atë“Durrës-Morinë”, i cili mundëson lidhjen me Korridorin 10. Si edhe korridorin rrugor veri–jug (pjesë e autostradës Adriatiko-Joniane).

E në fund, asaj i duhet të ndërtojë patjetër edhe Rrugën e Arbrit dhe aksin qendror jugor, deri në vitin 2021.

“Integrimi i mëtejshëm i rrjetit hekurudhor shqiptar në rrjetin rajonal të Evropës Juglindore dhe rehabilitimi dhe ndërtimi i segmentit hekurudhor Durrës-Tiranë-Aeroport”, është gjithashtu një tjetër kërkesë që Bashkimi Evropian ia ka vendosur palës shqiptare për të plotësuar brenda këtyre tre viteve në vazhdim.

Pa harruar këtu të përmendin edhe faktin se “sipas nenit 70 të MSA-së, Shqipëria ka detyrimin të përafrojë legjislacionin e saj kombëtar me acquis të BE-së, si dhe të sigurojë që legjislacioni ekzistues dhe i ardhshëm të zbatohet dhe të zbatohet siç duhet”.

Gjithçka, sipas ekspertëve evropianë, në funksion të lidhjes së vendit tonë me rrjetet kryesore transevropiane dhe arritjen e standardeve operative të krahasueshme me ato të Bashkimit Evropian.

Sa i përket transportit rrugor, BE ka rekomanduar gjithashtu që Shqipëria t’i kushtojë vëmendje mirëmbajtjes së rrugëve. Kjo është vërejtur edhe në Strategjinë e Transportit Shqiptar, pasi vetëm 25% e fondeve të nevojshme për mirëmbajtjen e rrugëve alokohen nga buxheti i shtetit.

Gjithashtu, duhet të synohet përmirësimi i sigurisë rrugore, është një tjetër porosi që pala evropiane i ka lënë vendit tonë në lidhje me rrugët, që ato t’u afrohen parametrave të BE-së.

 

PRIORITETET

  1. Ndërtimi i korridoreve kryesore të transportit rrugor:

- PanEvropian; - Korridori 8; - Korridori “Durrës-Morinë”;

- Korridori rrugor veri-jug (pjesë e autostradës Adriatiko-Joniane), Rruga e Arbrit  dhe aksi qendror jugor

  1. Integrimi i mëtejshëm i rrjetit hekurudhor shqiptar në rrjetin rajonal të Evropës Juglindore dhe rehabilitimi dhe ndërtimi i segmentit hekurudhor Durrës-Tiranë-Aeroport.

  1. Përmirësimi i infrastrukturës portale në Shqipëri.

 

“Shqipëria duhet të rishikojë Planin Kombëtar të Transportit Shqiptar”

Shqipëria duhet të rishikojë Planin Kombëtar të Transportit Shqiptar, është një porosi e veçantë që pala evropiane i lë asaj shqiptare.

Edhe pse vlerëson se “në përgjithësi, në fushën e politikës së transportit është arritur njëfarë niveli përgatitje”. “Një farë përparimi u bë edhe gjatë vitit 2017, me miratimin e Strategjisë së Transportit dhe Kodit të ri Hekurudhor”, shtojnë ata.

Por vënë në dukje se gjithsesi ka vend për të tjera gjëra.

Përmendin këtu faktin se “mirëmbajtja e aseteve rrugore duhet të përmirësohet dhe legjislacioni të përafrohet më tej, veçanërisht në lidhje me inspektimet e automjeteve komerciale, sistemet e menaxhimit të trafikut dhe sigurinë rrugore”.

Për këtë arsye, sipas BE-së, do të përdoren partneritetet publike-private për të rritur financimin dhe për të përmirësuar efikasitetin e mirëmbajtjes së rrugëve, para së gjithash për mirëmbajtjen dhe funksionimin e akseve kryesore rrugore, siç janë rrugët Milot-Morinë, Tiranë-Elbasan dhe Rruga e Arbrit.

“Kodi i ri hekurudhor u miratua. Megjithatë, duhet të miratohet edhe legjislacioni zbatues i këtij kodi”, vënë në dukje gjithashtu ekspertët e BE-së.

 

 

Programi Trans-Evropian i Transportit, ja rrugët e Shqipërisë brenda tij deri në 2030-tën

Europa synon që të përfundojë dhe modernizojë rrugët e transportit deri në vitin 2030, përmes Programit Trans-Europian të Rrjetit të Transporti (TEN-T). Brenda tij përfshihet edhe Shqipëria.

Por cilat janë projektet rrugore e hekurudhore për Shqipërinë, që pritet të sjellin Europën më afër?

Konkretisht, ajo përfshihet në rrjetin europian TEN-T, përmes autostradaës Adriatiko-Joniane, që kalon në bregdetin kroat, me rrugët përgjatë bregdetit malazez dhe përshkon Shqipërinë nga Muriqani në Lezhë-Tiranë-Fier-Tepelenë-Gjirokastër dhe përfundon në Kakavijë.

Teksa synohet edhe rehabilitimi i linjës hekurudhore Vorë-Shkodër- Hani i Hotit (kufi me Malin e Zi); i linjës hekurudhore Durrës-Pogradec-Lin dhe ndërtimi i linjës së re Lin-kufiri me Maqedoninë (korridori VIII hekurudhor).

Si edhe mundësia e lidhjes së rrjetit tonë hekurudhor, me korridorin hekurudhor TEN-T Orient/East Med në Greqi nëpërmjet Kapshticës dhe Follorinës, përkatësisht në linjën hekurudhore Durrës-Elbasan -Pogradec-Kapshticë-Follorinë Selanik /Athinë (Pireu) që lidh Portin e Durrësit në Detin Adriatik me portin e Selanikut dhe të Pireut në Athinë, të cilat janë nga portet më të mëdhenj të mallrave në Mesdhe, etj.

Shpërndajeni me miqtë tuaj: