“Tradhtia” e Albian Ajetit dhe Shqipëria që tradhton veten  

“Tradhtia” e Albian Ajetit dhe Shqipëria që tradhton veten  
Zvicra shpall listën e lojtarëve për Botërorin Rusi 2018, duke përfshirë edhe sulmuesin Albian Ajeti, vëllai i vogël i Arlindit, duke ndezur sërish debate të kota për “tradhti”, në kohën kur Shqipëria ende nuk ka mundur të shkojë në një botëror, duke djegur me qindra talente që rrit vendi i saj 

Aranit Muraçi

Albian Ajeti është grumbulluar zyrtarisht, me skuadrën e parë të Zvicrës, për të qenë në finalet e Kupës së Botës, Rusi 2018. Më herët, në muajin mars, “Albanian Free Press” pati raportuar mbi vendimin e lojtarit me origjinë shqiptare të Basel, pavarësisht kërkesës intensive të stafit kuqezi, si dhe këmbënguljes së FSHF-së, se kishte zgjedhur përfundimisht Zvicrën. Madje u angazhuan edhe lojtarë, si shoku i tij i ekipit te Basel, Taulant Xhaka, ose vëllai më i madh,  Arlind Ajeti, për të bindur sulmuesin e talentuar, që edhe ai t’i bashkohej ofertës kuqezi.

Shpesh, pretendohet se, në kohë moderne profesionalizmi triumfon mbi patriotizmin. Kjo ka ndodhur në rastin konkret, teksa Albiani i është bashkuar përfaqësueses së Zvicrës, duke u ndarë më të vëllanë, mbrojtësin kuqezi të Crotones, Arlind Ajetin.

Kjo është historia e dytë e rrallë, pas asaj të vëllezërve Xhaka.

Ndryshimi është se, Granit Xhaka pranoi ftesën e Zvicrës dhe Taulanti më vonë u bë pjesë e Kombëtares së Shqipërisë, madje rasti i tyre bëri bujë, edhe në finalet e Francë 2016.

Pas atij rasti, më tej, Shqipëria dhe Zvicra do të ndajnë dy vëllezër të tjerë me origjinë shqiptare, ata Ajeti. Arlindi është bindur përfundimisht nga projekti i Zvicrës, për të qenë pjesë e këtij ekipi në botërorin Rusi 2018. Ai u bind fillimisht nga menaxherët që i sugjeruan Zvicrën, pasi me të do të jetë në gjendje të luajë në një aktivitet të madh, çka i hap rrugë edhe një karrierë më të mirë.

Nisur edhe nga fakti, që është rritur dhe e ka nisur karrierën në një vend si Zvicra, në përfaqësuesen e së cilës luajnë aktualisht disa lojtarë të tjerë me origjinë shqiptare, si Valon Behrami, Granit Xhaka, Xherdan Shaqiri, Admir Mehemdi dhe Blerim Dzemaili, Arlindi ndonëse e pati të vështirë zgjedhjen në fillim, vendosi për këto arsye, të bëhej pjesë e ekipit “helvet”.

Çdo futbollist ka ëndërr të lërë gjurmë në një aktivitet me rëndësi si Kupa e Botës, atje ku Shqipëria, duhet theksuar, se nuk ka shkuar asnjëherë. Jo sepse i kanë munguar talentet dhe as nuk i mungojnë, por sepse ka mbetur pas vendeve të tjera në zhvillimin ekonomik, sportiv e në fushat e tjera, duke mos qenë konkurrente. Dhe më keq akoma, nuk ka ditur të rrisë dhe kultivojë si duhet talentet e shumtë që ka.

Kështu që, para se të akuzohet Albiani për “tradhti”, duhet parë edhe ana tjetër e medaljes: Shqipëria, duke mos treguar kujdes për talentin dhe të ardhmen e saj, ka “tradhtuar” e ka shuar ëndrrat e qindra e mijëra të rinjve të lindur këtu dhe bashkë me ta nuk ka shkuar deri tani në Botëror, si vendi i vetëm i Ballkanit (nuk janë përfshirë Malin e Zi e Maqedonia, vende që ishin pjesë e historisë së ish-Jugosllavisë para ’90 dhe me probleme etnike).

Karriera e sulmuesit kryesor, Armando Sadiku, ka një histori interesante, që provon sa pak interes ka talenti dhe sa në rrezik është e ardhmja e tij në Shqipëri.

Shpërndajeni me miqtë tuaj: