Tirana dhe Vllaznia, “të persekutuarat e demokracisë”

Tirana dhe Vllaznia, “të persekutuarat e demokracisë”
Trofetë gjatë regjimit komunist, apo emrat e mëdhenj të futbollit tonë, që u bënë pjesë me këto dy ekipe, janë kthyer prej një dekade në nostalgji për tifozët e shumtë kryeqytetas dhe ata shkodranë

Nga Aranit Muraçi

Historia tregohet ironike ndonjëherë. Janë të shumtë tifozët e Tiranës në kryeqytet, të cilët mendojnë se, para viteve ’90 skuadra e tyre ishte e paprivilegjuar, madje e persekutuar nga regjimi i kohës. Arsye këto të cilat ndihmuan dy ekipe të tjera, që u themeluan në kryeqytet gjatë viteve të para të regjimit komunist, si Partizani dhe Dinamo. Po ashtu, janë të shumtë edhe tifozët shkodranë që mendojnë të njëjtën gjë, se Vllaznia ishte e persekutuara e regjimit komunist.

Por ironia qëndron se, përse 27 vjet pas rënies së komunizmit, këto dy ekipe sot po përjetojnë ndoshta momentet e tyre më të errëta në histori. Si ekipit të Tiranës, ashtu edhe Vllaznisë, prej një dekade, u mungojnë trofetë, më kryesori titulli kampion, si asnjëherë tjetër në historinë e tyre. Të dyja këto ekipe, duket sikur tashmë janë “të persekutuarat e demokracisë”.

Në fakt, historia që lidhet me të shkuarën e regjimit komunist dhe urrejtjen e dy klubeve për atë regjim, ka të bëjë me emra të mëdhenj. Shembulli më konkret janë Sabah Bizi e Panajot Pano. Të dy lojtarët e nisën karrierën me klubet e tyre, Vllaznia e Tirana, por i mori Partizani, në atë që njihet si “merkato ushtrie”. Partizani ishte në varësi të Ministrisë së Mbrojtjes dhe të dy lojtarët në periudhën e shërbimit ushtarak, ishin të detyruar të bëheshin pjesë të Partizanit. Sabah Bizi, me këmbënguljen e tifozëve shkodranë, u rikthye te Vllaznia. Kjo nuk ndodhi me Panajot Panon, futbollistin më të shquar të historisë së futbollit tonë, që siç dihet u përjetësua te rivali historik i Tiranës.

Gjatë kohës që ai ishte gjallë, kurrë nuk preferoi të përmendë ndasitë mes dy ekipeve të kryeqytetit. Në bisedat me ikonën e futbollit shqiptar, Panajot Pano, ai nuk kishte dëshirë t’i kthehej asnjëherë së shkuarës.

“Tirana dhe Partizani kanë pasur gjithnjë lojtarë të shkëlqyer. Nuk ka rëndësi ku kaloi karriera ime. Lojtarë të shkëlqyer patën edhe ekipet e tjera, si Dinamo dhe Vllaznia. Kampionati ishte më i drejtë dhe më i bukur se sot,” – tha Panajot Pano, gati një vit para se të ndahej nga jeta.

Kryeqyteti dhe Shkodra që dikur nxirrnin lojtarë dhe furnizonin ekipet e tyre, sot janë të “paralizuara” përballë qyteteve si Korça e Kukësi, që nuk patën asnjë problem me regjimin e kaluar.

Ekipet e dy qyteteve në fjalë, ngjajnë sikur janë të privilegjuarat e demokracisë, sidomos gjatë dekadës së fundit, falë menaxhimit.

Hysenaj-Bizi

Senad Hysenaj, nga Shkodra te Partizani. Një lojtar mjaft i talentuar, sa që në kampin shkodran janë revoltuar. Drejtori i Akademisë së Vllaznisë, Alban Hasani, u shpreh se Shkodrës po i “vjedhin” talentet. Ai ka ngritur zërin disa herë, që Vllaznia t’i kthejë sytë nga talentet e saj, por askush nuk e ka dëgjuar deri tani. Hysenaj është talenti më i fundit shkodran, që kalon te një skuadër tjetër, Partizani. Ka ndryshuar historia dhe mënyra sesi Partizani i rrëmbente dikur Sabah Bizin, të njëjtit klub.

 

Vllaznia, dikur historia shkruhej në Shkodër

Vllaznia e Shkodrës para viteve ’90, ishte skuadra më e suksesshme e futbollit shqiptar, pas atyre të kryeqytetit. Në vitet ’60, te Vllaznia spikati një brez i artë si, Paulin Ndoja, Frederik Çapaliku, Sadetin Zmijani, Ramazan Rragami, Nikoll Gjergji, Kol Gjoni, Esat Rakiqi, Menduh Dedja, Selami Dani, Sabah Bizi, Zija Dani etj., të cilët janë drejtuar me sukses, nga trajneri tiranas, Skënder Jareci. Në vitet ’70, vjen periudha më e lavdishme e futbollit shkodran: Ramazan Rragami, Sabah Bizi, Medin Zhega, Paulin Ndoja, Lekë Koçobashi, Hajrullah Lekaj, Esat Rakiqi, Halil Puka, Rauf Çanga, Millan Vaso, Lutfi Basha, Ahmet Meta, Fatmir Axhani, Fatmir Lugji, Genc Boshnjaku, Astrit Hafizi, Luan Vukatana, Ferid Borshi, Ardian Arra, Selman Gruda etj, nën drejtimin e Xhevdet Shaqirit. Në vitet ’80, Gjergji Kushe, Hysen Dedja, Bep Pali, Fatbardh Jera, Nikolin Thana, Fatmir Paçrami, Roland Luçi, Ferid Rragami, Hysen Zmijani, Ardian Bushati, Fasli Fakja, Viktor Briza, Kujtim Shaba, Arvid Hoxha, Isak Pashaj, Ilir Kepaj, Agron Lika, Lulëzim Bërshemi, Arjan Laçja, Astrit Semaj, Fejzi Shkenza. Trajnerë në këto suksese janë Ramazan Rragami, Medin Zhega, Esat Rakiqi e Astrit Hafizi. Vllaznia shpallet për herë të fundit kampione, më 2001. Armir Grima, Vioresin Sinani, Edi Martini, Astrit Premçi, Suad Lici, Luan Zmijani, Armando Cungu, Safet Osja, Gaspër Ndoja, Amarildo Belisha, Elvis Plori, Dorian Bylykbashi, Klodian Duro, Saimir Patushi, Albert Kaçi e Elvin Beqiri, nën drejtimin e trajnerëve Hysen Dedja dhe Dervish Haxhiosmanoviç, ishin të fundit që nderuan futbollin shkodran. Ka gati dy dekada që Vllaznia nuk e shijon titullin kampion dhe jo vetëm, por i është dashur të shmangë rënien nga kategoria.

 

Tirana, pas një epoke të artë, vinte një tjetër

Para viteve ’90, Tirana njihej ndryshe me emrin 17-Nëntori. Megjithëse kryeqyteti kishte dy ekipe të tjera më të privilegjuara të sistemit, në vitet ’60 Tirana arriti suksese të jashtëzakonshme falë emrave të mëdhenj si Skënder Halili, Vasif Biçaku, Bedri Omuri, Ali Mema, Besim Fagu, Qamil Teliti, Fatmir Frashëri, Isuf Pelingu, Enver Shehu, Rexhep Spahiu, Aristidh Parapani, Sllave Llambi, dhe vazhdoi edhe në dekadën tjetër të mbahej në majat e futbollit tonë. Emra të tjerë të spikatur, si Millan Baçi, Arjan Bimo, Halim Mersini, Gëzim Kasmi, Muhamet Vathi, Skënder Begeja, Johan Driza, Perikli Dhales, Bahri Ishka, Josif Kazanxhi, Niko Xhaçka, Sulejman Mema, Skënder Hyka, Skënder Hodja, dhuruan të tjera emocione dhe trofe për kryeqytetasit. Me trajnerë të shquar ndër vite, si Myslym Alla, Enver Shehu e Shyqyri Rreli, Tirana arriti të shkruante historinë e futbollit shqiptar. Histori që vazhdoi me një brez të artë në vitet ’80, ku bënin pjesë emra si Artur Lekbello, Arben Minga, Mirel Josa, Agustin Kola, Shkëlqim Muça etj. Por kjo histori do të vazhdonte edhe disa vite pas ’90. Blendi Nallbani, Sokol Prenga, Saimir Malko, Alpin Gallo, Alban Bushi, Ardian Mema, Krenar Alimehmeti, Nevil Dede, Ardian Mema, Indrit Fortuzi, Devi Muka, Ervin Bulku, Ansi Agolli, etj. Epoka e artë e Tiranës, mori fund gjatë dekadës së fundit. Nuk ishte mësuar asnjëherë ky klub të kalonte një dekadë dhe të mos e fitonte titullin kampion. Por ka edhe më keq, sepse prej këtij sezoni, Tirana ka rënë një kategori më poshtë, si asnjëherë tjetër në histori.

 

Vllaznia

Kampione vendi: 9 herë

1945, 1946, 1971–72, 1973–74, 1977–78, 1982–83, 1991–92, 1997–98, 2000–01

Nën-kampione vendi: 11 herë

1932, 1933, 1936, 1937, 1947, 1949, 1974–75, 1996–97, 1998–99, 2002–03, 2008–09

Fituese e kupës: 6 herë

1964–65, 1971–72, 1978–79, 1980–81, 1986–87, 2007–08

Finaliste e kupës: 8 herë

1938–39, 1965–66, 1967–68, 1969–70, 1985–86, 1998–99, 2005–06, 2009–10

 

Tirana

Kampione vendi: 24 herë

1930, 1931, 1932, 1934, 1936, 1937, (1939, 1942 nuk njihen zyrtarisht), 1964–65, 1965–66, 1966–67,1968, 1969–70, 1981–82, 1984–85, 1987–88, 1988–89, 1994–95, 1995–96, 1996–97, 1998–99, 1999–00, 2002–03, 2003–04, 2004–05, 2006–07, 2008–09 (rekord)

Nën-kampione vendi: 13

1945, 1959, 1966–67, 1971–72, 1975–76, 1978–79, 1979–80, 1983–84, 1993–94, 1997–98, 2000–01, 2001–02, 2005–06

Fituese e Kupës: 16 herë

1938–39, 1962–63, 1975–76, 1976–77, 1982–83, 1983–84, 1985–86, 1993–94, 1995–96, 1998–99, 2000–01, 2001–02, 2005–06, 2010–11, 2011–12, 2016-17 (rekord)

Finaliste e kupës: 8 herë

1948, 1949, 1952, 1981–82, 1994–95, 2004–05, 2007–08, 2008–09

 

 

Shpërndajeni me miqtë tuaj: