TEPËR ËSHTË TEPËR – KOMENT NGA FRROK ÇUPI

TEPËR ËSHTË TEPËR – KOMENT NGA FRROK ÇUPI
Nga Frrok Çupi

Ky artikull është shkruar posaçërisht për gazetën “Albanian Free Press”

Tepër! - Nuk është gjë e madhe; por kur teprohet me ‘tepër’ atëherë ç’dreqin bëjmë?!...

Të të rrënojnë jetën katër a pesë vetë që kanë hipur në pushtet, kjo është tepër. Kjo po na ndodh thuajse tërë jetën tonë si qytetarë në shtet... Të të dalin përnatë në ekrane këta që na nxijnë jetën përditë, ku ndihmojnë qindra gazetarucë - edhe kjo është tepër. Të të renditen ministrat në radhë- ky trafikant droge dhe njerëzish...; vjen tjetri për të mbuluar të parin, me vëlla trafikant; pret ministri i tretë në radhë- vetëm nënës së tij i vodhën në shtëpi 35 milionë euro; asnjë investim, asnjë lek në xhepat e njerëzve të zakonshëm; një varfëri ekstreme në familjet shqiptare; një administratë me njerëz që i nderon fjala e panjohur për ta “injorancë”; ka një arrogancë që i falesh zotit të mos jesh aty ku kalojnë këta se do të të flakëronin sytë...

Po pse kemi ardhur në jetë? Për të duruar teprimet e tepërta?...

Askush në jetë nuk i ka duruar; sepse njeriu është krijuar për të mos duruar ‘tepër’. Në urrejtje- jo e jo. Në vjedhje dhe në krim- jo! Në rrënimin e ekonomisë e të shkollës- jo. Në vrasje dhe në helmime - jo!...

Madje as në dashuri nuk durohet ‘tepër’.

Po të kishim pasur rastin të paguanim pak lekë për Barbara Streisand në vend të këtyre miliona që paguajmë nga djersa jonë për koncertet e “fake” në sheshin “Nënë Tereza”, zonja amerikane mund të na kishte dhënë ndonjë shuplakë duke na thënë se ‘nuk durova dashurinë njësoj si kushdo, si duroni ju krimin si askush?”. Barbara Streisand - aktore dhe këngëtare prej 6 dekadash, ka kënduar një këngë aty nga vitet ’79 ose ‘80; thirrja e saj “Enough is enough!” është ngjitur deri në qiell. (Enough is Enough në shqip i themi “Tepër është tepër”).

“Enough is enough”/ I can't go on, I can't go on, no more no/ Enough is enough/ I want him out, I want him out that door now”. Kështu këndon zonja Streisand, tek thërret “ma nxirrni jashtë! Jashtë!” atë partner që e teproi duke qenë veç i “zakonshëm”. Kishte ëndërruar një të dashur perfekt, por ai doli si çdo burrë tjetër... Si sot, si dje - bie shi e lagemi; derdhet shiu e hapim ombrellën,..., nuk kemi asgjë çfarë flasim... Atëherë merre pallton, jepja e le të dalë në shi... “There's nothing left for us here/ And we won't waste another tear”. (Kaq ishte, nuk ia vlen të harxhojmë më lot!), bën thirrje artistja për atë që është ‘tepër’.

Edhe një partner i ngjitur ta shpif- thonë analet e dashurisë, ky të zë hapësirat. Po partnerët pushtetarë të urrejtjes dhe të skamjes?... Këto janë tmerri vetë.

Partnerë të urrejtjes janë bërë qeveritë. Bota është e mbushur me qeveri të urryera, por edhe me popuj të urryer: Qeveritë urrehen nga popujt, ndërsa popujt nga qeveritë. Në të gjitha rastet kjo ka ndodhur sepse qeveritë e teprojnë; e teprojnë tepër. Por edhe popujt nuk kanë tjetër gjë në dorë, veçse ta “teprojnë” me qeveritë: I ruajnë deri ditën e fundit, por atë ditë jo vetëm i rrëzojnë nga pushteti, atë ditë iu kërkojnë qeverive të pasuruara e të pispillosura- që të zvarriten e jargaviten në këmbë të njerëzve më të zakonshëm rrugëve. Kjo më e shumta ndodh në vendet e botës së dytë e të tretë. Sot qeveria e re e Malajzisë i ndaloi kryeministrit të rrëzuar që të dalë nga vendi, për pak ditë ai do të jetë nën hetim mbi 700 milionë dollarë që i shpërdoroi kur ishte në pushtet. Pse po flas për Malajzinë?... Sepse është ngjarje paralele e ditës. Përditë në Kuvendin e Shqipërisë, ca nga opozita kërcënojnë qeverinë se “do t’u tërheqim zvarrë”. Edhe ca nga populli shkruajnë po kështu në media sociale... Sepse u mësuan në vitin 1991 kur panë diktatorin Hoxha duke e tërhequr zvarrë. Vetë historia ka treguar në gjithë botën se kur teprohet në njërën anë, atëherë teprohet edhe në anën tjetër. Në gjithë Lindjen e prapambetur ka kudo nga një simbol të “teprimit” të popullit ndaj qeverisë ditën e fundit; sepse qeveritë anti-popullore e kanë tepruar çdo ditë në mënyrë tragjike kundër popujve të tyre. Qeveritë e propagandës dhe jo të veprimit, po bien edhe në Perëndim. E tepruan me premtime, e tepruan edhe me korrupsion. Qeveritë që kanë vënë në plan të parë ‘imazhin’, “të drejtën e emigrantëve pa kufi”, ‘të drejtën e homoseksualëve”, ‘multikulturalizmin”,... këto në fillim e pastaj shumë larg - realitetin e njeriut - këta po konceptohen se ‘e kanë tepruar”...

Tepër është tepër!...

Qeveritë (dëgjoj më shumë këtu në vendin tonë) kanë gjetur formulën idiote se ‘e di prokuroria’, ‘po deshe kallëzo në prokurori”. Më e tepërta!, mes teprimeve. Nuk po them një gjë që e dinë të gjithë: Se prokuroria lidhet nga qeveria, e pastaj qeveria thotë “falemi në prokurori”. Jo nuk është vetëm kaq. Por kur ‘teprohet”, kjo bëhet ligj. Kur teprohet, atëherë ligji i mëparshëm nuk funksionon më, del nga puna; nis ligji i “teprimit”. Një ministër nuk mund të paraqitet si ministër para ligjit; më parë zhvishet... Është njësoj si ‘ligji i luftës” për të cilin flitej më shumë gjatë periudhës së Luftës së Ftohtë. Në një shoqëri normale, kur “teprohet” nga shteti, individi ka të drejta jashtë kodeve të shkruara. Prej kohësh po flitet në politikën e Tiranës rreth ‘rikthimit të vitit 1997”, sigurisht jo pa efekt. Autoritetet, si në qeveri edhe në opozitë, e dinë se ‘e kanë tepruar’. Aleatët perëndimorë kësaj po i ruhen, me sa duket po marrin masa që këtu një ditë të parandalohet ‘ligji i teprimit”. Ne u dëshmuam si të paaftë që vetë me fuqitë tona morale e mendore t’i japim fund asaj që shteti e tepron me individin.

Të gjitha palëve iu kërkohet “enough!”, sipas Barbara Streisand.

Ndalohet rreptësisht ripublikimi i këtij shkrimi pa një leje të shkruar nga redaksia e Albanian Free Press

Shënim: Qëndrimet e shprehura në shkrimet e rubrikës Opinion, nuk përfaqësojnë domosdoshmërisht një vijë editoriale të Albanian Free Press

Shpërndajeni me miqtë tuaj: