Sot nis Ramazani, këshillat që duhen ndjekur gjatë këtij muaji

Sot nis Ramazani, këshillat që duhen ndjekur gjatë këtij muaji
Gjatë orëve të mesditës, pikërisht atëherë kur edhe temperaturat janë më të larta, është e rëndësishme të qëndroni në vend të freskët e me hije, të mbrojtur nga dielli. Të plotësohen lëngjet që trupi ka humbur gjatë ditës së agjërimit, duke pirë lëngje përpara, gjatë dhe në fund të vaktit

Sonila Isaku

Nga dita e sotme e deri më 14 qershor, të gjithë besimtarët myslimanë kanë muajin e agjërimit, Muajin e Ramazanit. Ramazani është muaji i adhurimit ndaj zotit, reflektimit për të qenë më të dashur dhe të sakrificës, duke u ndjerë më pranë të uriturve.  Një mysliman që do të agjërojë, në këtë muaj, duhet të përgatitet shpirtërisht për devotshmërinë e tij dhe fizikisht për shkak të privimit me vetëdije, nga ngrënia dhe pirja, prej agimit deri në perëndim të diellit.  Mëngjesi i së mërkurës, syfyri, duhet të konsumohet brenda orës  03:21, ndërsa iftari që është mbyllja e ditës së parë të agjërimit, do të jetë mbrëmjen e së mërkurës, në orën 19:59.

Në këtë muaj, jeta  shoqërore është aktive. Besimtarët presin miq ose priten nga  të afërm, miq e të njohur. Ndërkohë, këto vizita janë të përqendruara kryesisht përgjatë kohës së vaktit që ndërpret agjërimin, i cili është mjaft i bollshëm dhe festiv, ku shërbehen ushqimet më të mira. Besimtarët agjërojnë gjatë ditës dhe qëndrojnë zgjuar e ushqehen gjatë orëve të mbrëmjes, por pa ushtruar aktivitet fizik. Si pasojë, shumë prej tyre shtojnë në peshë gjatë muajit të Ramazanit, ndërkohë që kontrolli i njerëzve me diabet, bëhet më i vështirë për arsye të adoptimit të zakoneve të pashëndetshme të ushqyerjes.

Rekomandime për ushqyerjen

Këtë vit, agjërimi për Ramazanin përkon me një periudhë stinore me ditë të gjata dhe relativisht të nxehta. Besimtarët agjërojnë mesatarisht 15-16 orë në ditë. Gjatë orëve të mesditës, pikërisht atëherë kur edhe temperaturat janë më të larta, është e rëndësishme të qëndroni në një vend të freskët dhe me hije, të mbrojtur nga dielli.

Është e rëndësishme të plotësohen lëngjet që trupi ka humbur gjatë ditës së agjërimit, duke pirë lëngje përpara, gjatë dhe në fund të vaktit. Uji është pija që rekomandohet në këto raste. Gjithashtu, duhet të shërbehen ushqime të pasura me ujë, të tilla si supë ose sallatë me perime të freskëta.

Rekomandohet ngrënia e Syfyrit,  një vakt i lehtë përpara fillimit të ditës së agjërimit, çdo ditë. Kjo vlen sidomos për grupe të veçanta besimtarësh, të tillë si të moshuarit, të rinjtë dhe adoleshentët, gratë shtatzëna dhe nënat në periudhën e ushqyerjes me gji, si dhe fëmijët që kanë zgjedhur të agjërojnë. Ky vakt i cili përbën një mëngjes të lehtë, duhet të përmbajë perime, ushqime të pasura me karbohidrate, të tilla si buka ose produktet e brumit të grurit, dhe të pasura me proteina, siç janë produktet e qumështit (djathë që nuk është i kripur/gjizë/qumësht dhe/ose vezë, shoqëruar me garniturë frutash ose perimesh jeshile).

Ëmbëlsirat dhe frutat

Gjithashtu, rekomandohet të mos konsumohen së tepërmi ëmbëlsirat e ofruara pas vaktit të Iftarit. Ëmbëlsirat që përdoren zakonisht gjatë Ramazanit, përmbajnë sasi të mëdha të shurupit të sheqerit. Ëmbëlsirat e rekomanduara për konsum, janë frutat me përmbajte të lartë uji, të tilla si shalqiri ose pjepri, ose ndonjë frut tjetër i stinës, si p.sh., pjeshkë e nektarina.

Mënyra e gatimit dhe mishi

Besimtarët duhet të përpiqen të pakësojnë konsumin e ushqimeve të bollshme me yndyrë, veçanërisht mishrat e pasura me përbërje dhjamore, ushqimet që përmbajnë pudër ëmbëlsirash, ose me yndyrë/margarinë e gjalpë të shtuar. Në vend të skuqjes ose fërgimit, është e këshillueshme të përdoren metoda të tjera gatimi, të tilla si, vlimi në avull, gatimi në salcë, fërgimi me përzierje vaji në një sasi të vogël dhe pjekja.

Është veçanërisht e këshillueshme, kufizimi i ushqimeve që përmbajnë sasi të mëdha kripe, si p.sh., salsiçet, mishi i përpunuar e i kripur dhe produktet e peshkut, ullinjtë dhe turshitë, ushqimet e shpejta dhe të lehta, djathi i kripur, llojet e ndryshme të biskotave të thata të gatshme, sallatat dhe salcat (si majonezë, mustardë, keçap). Gjatë përgatitjes së vaktit, rekomandohet ulja sa më shumë të jetë e mundur, e përdorimit të kripës; rekomandohet, madje, edhe largimi i kripores nga tryeza e ngrënies. Për të përmirësuar shijen e ushqimeve të vaktit, mund të përdoren erëza të ndryshme bimore, të cilat e pasurojnë me aromë dhe shije ushqimin që gatuhet.

Këshilla

Rekomandohet ngrënia ngadalë dhe në sasi të përshtatshme me nevojat e gjithsecilit. Vaktet e rënduara me ushqim të tepërt, shkaktojë urth dhe siklet. Është gjithashtu e këshillueshme, të mos teprohet duke humbur shumë kohë dhe energji me përgatitjen e gjellëve të shumta për Iftarin – vaktin që ndërpret agjërimin; pothuajse gjysma e ushqimeve të përgatitura, shpesh, shkon dëm. Rekomandohen përpjekjet për të lëvizur sa më shumë që të jetë e mundur dhe për të qenë energjikë gjatë mbrëmjeve; për shembull, duke dalë rregullisht për një shëtitje të përditshme.

Shembull i një vakti Iftar

Supë perimesh e gatuar në shtëpi (jo nga gatime që tregtohen me supëpluhur);

Sallatë lakër ose ndonjë lloj sallate me perime të tjera, sipas shijes;

Perime të mbushura (kungull/patëllxhan/gjethe rrushi);

Gjoks pule i pjekur;

Sasi të mjaftueshme uji të pijshëm; ndërkohë që mund të shtohen për të përmirësuar shijen, edhe feta limoni ose gjethe nenexhiku.

Shembull i një vakti Syfyr

Dy feta buke;

Omëletë me perime ose vezë të ziera fort;

Feta të përgatitura nga dy perime të ndryshme;

Gjizë ose djathë me erëza dhe vaj ulliri;

Çaj bimor;

Sasi të mjaftueshme uji të pijshëm.

 

Këshilla të shpejta

Mos e shmangni mëngjesin, Syfyrin! Mëngjesi është vakti më i rëndësishëm i ditës dhe gjatë Ramazanit – është vakti që do t’ju mbajë përgjatë orëve të ardhshme;

Gjatë Syfyrit dhe Iftarit  hani ushqime me porcione dhe kalori normale;

Shmangni ushqimet e pasura në yndyrë, kripë dhe sheqer;

Zgjidhni një dietë të pasur me fruta, perime, fasule, thjerrëza oriz dhe drithëra;

Pini shumë lëngje dhe shmangni pijet e pasura me kafeinë, si kafe, çaj, pije energjike ose me gaz;

Prisheni agjërimin me një ushqim të lehtë të shëndetshme, si hurma arabie – një hov kalorish sheqeri natyror;

Bisedoni me një profesionist të shëndetit, para se të ndryshoni regjimin e ilaçeve për Ramazan;

Shmangni aktivitetin e tepërt fizik. gjatë kohës së agjërimit – në qoftë se doni të shkoni në palestër, bëjeni pas Iftarit.

Të sëmurët diabetikë, para se të fillojnë agjërimin, duhet të bëjnë një kontroll mjekësor (2 muaj më parë), të këshillohen nga mjeku, si të mund të përballojnë periudhën e agjërimit dhe si të vetëkujdesen në rast hipo/hiperglicemie.

Shpërndajeni me miqtë tuaj: