SITA E STËR-IMËT E VETTINGUT – analizë nga EDUARD ZALOSHNJA

SITA E STËR-IMËT E VETTINGUT – analizë nga EDUARD ZALOSHNJA
Nga Eduard Zaloshnja

Ky artikull është shkruar posaçërisht për gazetën “Albanian Free Press”

Dje u zhvillua seanca dëgjimore e Vettingut për gjykatësin e Kushtetueses, Fatmir Hoxha. Nëse ai nuk e kalon dot sitën e Vettingut, kjo gjykatë e rëndësishme për rendin kushtetues, mbetet me vetëm tre gjykatës – praktikisht jashtë funksionit.

Por, a ka gjasa që gjykatësi Hoxha të ngecë në sitën e Vettingut?

Nga kontrolli i figurës morale të tij dhe i praktikës profesionale, rezultoi se nuk ka asnjë njollë. Edhe nga kontrolli i pasurisë në 13 nga 14 vitet e raportuara në ILDPK, rezultoi të ketë përputhje mes të ardhurave dhe shpenzimeve familjare. Vetëm në vitin që ai kishte shitur një apartament në Shkodër, ndërkohë që bleu një apartament në Tiranë, kishte një mospërputhje prej 1.7 milionë lekësh. Dhe kjo mospërputhje vinte nga diferenca mes vlerës së mobilieve të shitura në Shkodër, e atyre të blera në Tiranë. Sipas gjykatësit, për blerjen e mobilieve të reja, kishte përdorur një hua nga kunati dhe pará që ishin mbledhur në dasmën e tij.

Në qoftë se vetëm kjo mospërputhje do të bëhet shkak për largimin e këtij gjyqtari nga sistemi i drejtësisë, mund të thuhet se sita e Vettingut e ka rrjetën e saj tejet të stërimët. Në të mund të kalojnë fare, fare pak gjyqtarë e prokurorë, që ndoshta mund të numërohen vetëm me gishtat e duarve.

Gjykatësi në fjalë (Fatmir Hoxha), nuk është shquar si partizan i njërës palë politike. Në fakt, ai ka votuar për vendime të ndryshme që, në disa raste, i kanë dhënë të drejtë shumicës së sotme, e në disa rate të tjera, opozitës së sotme (edhe kur ato i kanë patur rolet të kundërta). Sipas ILDPK-së, ai është gjykatësi i vetëm ndër gjykatësit e lartë, që nuk disponon një automjet privat. Dhe është gjykatësi që e ka siguruar apartamentin e tij, me ndihmën e një kredie (nga e cila i mbeten edhe rreth 40 mijë euro për të shlyer).

Në qoftë se një gjykatës i tillë nuk e kalon dot Vettingun, kush mund ta kalojë atëherë?

Një maksimë e lashtë e drejtësisë na mëson se, ligjit nuk duhet t'i lexohet vetëm germa, por edhe fryma. Fryma e paketës së Vettingut ka në qendër të saj synimin të pastrohet sistemi i drejtësisë nga njerëzit e korruptuar dhe të paaftë. Ndërsa germa kërkon të mos ketë as edhe një mospërputhje në kontrollin e pronësisë. Por kjo e fundit, mund të mos arrihet në asnjë rast.

Dhe atëherë, sistemi i drejtësisë duhet të mbetet pa asnjë gjyqtar e prokuror?

Fryma e ligjit duhet të prevalojë mbi germën, në rastet kur mospërputhjet në deklaratat e pronësisë janë të vogla, ndërkohë që figura morale dhe profesionale e gjykatësit/prokurorit është e pastër.

Kështu, para disa ditësh, një prokurore nga Shkodra (Besa Nikëhasani) nuk e kaloi dot sitën e Vettingut, për mospërputhje të vlerës së pronave që kishte, me të ardhurat familjare të deklaruara. Kjo mospërputhje dukej se ishte shkaktuar nga të ardhurat e bashkëshortit dhe dhurimeve që kishte bërë nëna e këtij të fundit.

Kjo prokurore kishte kandiduar për Këshillin e Lartë të Prokurorisë (që zgjedh kryeprokurorin dhe prokurorët e rëndësishëm të SPAK-ut, ndër të tjerë). Dhe kandidimin e kishte bazuar në reputacionin që kishte krijuar, si një prokurore e rreptë dhe e pakorruptueshme. Në mjediset e prokurorisë, ajo njihej si një prokurore që ishte e kotë t'i ndërhyje për ndonjë rast, sepse "nuk hante pykë". Jo më kot, ajo u përbetua para kamerave me lot në sy (pas vendimit të komisionit të Vettingut), se nuk kishte patur asnjë rast në karrierën e saj, ku të kishte shkelur ligjin ose procedurën penale.

Në rastin e vendimit mbi prokuroren Nikëhasani duket se ka prevaluar gërma mbi frymën e ligjit të Vettingut. Dhe ky është një precedent që të fut frikën. Sepse në të ardhmen, mund ta kalojnë Vettingut disa gjykatës/prokurorë që janë në rregull me germën (kanë qenë të zotë t'i rregullojnë letrat e pronësisë), po mund të mos jenë në rregull me frymën e ligjit (kanë reputacion si të korruptuar).

Procesi i Vettingut është vetëm në fillimet e tij. Mbetet të shihet sesi do të vazhdojë më tej. Por në qoftë se në sitën e Vettingut ngecin gjykatës/prokurorë, vetëm pse nuk i kanë rakorduar saktë dokumentet e pasurisë së tyre, ndërkohë që kalojnë të tjerë (që njihen për të korruptuar), ky proces do të jetë një dështim i madh.

Ndalohet rreptësisht ripublikimi i këtij shkrimi pa një leje të shkruar nga redaksia e Albanian Free Press

Shënim: Qëndrimet e shprehura në shkrimet e rubrikës Opinion, nuk përfaqësojnë domosdoshmërisht një vijë editoriale të Albanian Free Press

Shpërndajeni me miqtë tuaj: