Si u prish kurora e blertë e Tiranës në ’91-‘92? Brutalitet ndaj miliona pemëve

Si u prish kurora e blertë e Tiranës në ’91-‘92? Brutalitet ndaj miliona pemëve
INTERVISTA/ Flet ish-drejtori i Ndërmarrjes “17 Nëntori” Tiranë, Seit Alikaj: Në këtë ndërmarrje punonin afro 10.000 mijë punëtorë efektivë. Vetëm në kodrat e Vorës u mbollën mbi 1 milion pemë frutore dhe 500.000 rrënjë ullinj dhe sipërfaqja e serave arriti në 100 ha. Më kryesorja, ajo dilte çdo vit me fitim”

“Pasuria e vënë me djersën e njerëzve, për të krijuar kurorën e blertë të Tiranës, u shkri, u prish dhe u shkatërrua me brutalitet, brenda një periudhe shumë të shkurtër të viteve 1991-1992. Kjo më bën të ndjej dhimbje e trishtim...”. Kështu vijon rrëfimi i posaçëm për “Albanian Free Press”, i ish-drejtorit të Ndërmarrjes “17 Nëntori” Tiranë, Seit Alikaj. Ai sjell gjithashtu përgjatë saj edhe mjaft kujtime nga koha kur ka punuar në Vlorë, me ish-Sekretarin e Parë të këtij rrethi, Petro Dode. Midis këtyre ngjarjeve të kohës, në mendjen time ngrihet si në një piedestal edhe portreti i Petro Dodes, që unë dhe miq të mi, e thërrasim edhe “Biri i dashur i Vlorës dhe i Labërisë”, pohon ai...

Intervistoi për “Albanian Free Press”: Albert Zholi

(Vijon nga numri i kaluar)

Në sa kongrese të PPSH-së ke marrë pjesë?

Që nga viti 1970, kam qenë anëtar i Pleniumeve të Partisë Vlorë, Tiranë, Rajonit 4, me sekretar të Parë Petro Dode; në Vlorë, Manush Myftiu, Simon Stefani, Foto Çami, Pirro Kondi, Xhelil Gjoni; në Tiranë, Veli Kaleshi, Zyber Sinani, Ramadan Garo, Met Loci, në rajonin nr.4,Tiranë, etj. Në vlerësim të punës në forumet e sipërme dhe në Komitetin Qendror të BRPSH-së, jam zgjedhur delegat në disa kongrese të PPSH-së, vlerësim mjaft i lartë për atë kohë.

 

Cilat janë disa nga aktivitetet tuaja si Sekretar i Komitetit Qendror të BRPSH-së?

Në krye të një ekipi me 20 anëtarë të Plenumit të Komitetit Qendror të Rinisë dhe punonjës të aparatit shkuam në Peshkopi, në muajin korrik 1974, për të nxjerrë vullnetarë nga rinia dibrane, për të zëvendësuar të burgosurit, në minierën e Bulqizës. Me punën e bërë në çdo organizatë rinie u regjistruan 450 të rinj. Më bëri përshtypje pritja që na bënin kudo si Ismete Jashari, e cila na priti në shtëpinë e saj në Shupenzë. Nga 450 të rinjtë nga vizita mjekësore dolën të aftë për të punuar në minierë, veç 35 vetë. Dibranët janë mjeshtra të mikpritjes, të besnikërisë dhe të punës, në mënyrë të veçantë në frutikulturë dhe ndërtim, ku ka nxjerrë mjeshtra të vërtetë që kanë marrë pjesë në ndërtime të veprave të mëdha në të gjithë Shqipërinë. Një ditë bëmë ekskursion në liqenet e Lurës. Para se të shkonim aty, më kërkoi në takim sekretari i parë i partisë rrethit, shoku Hekuran Isai, i cili më shprehu falënderimet për nxjerrjen e vullnetarëve për të punuar në minierë dhe shprehu dëshirën të vinte me ekipin në Liqenet e Lurës, por nuk lëvizte dot nga zyra, sepse ishte arrestuar Beqir Balluku. Hekurani më tha të vija në dijeni edhe ekipin që kryesoja, gjë që e bëra kur bëmë pushim në fshatin e Lurës, para se të shkonin në liqenet madhështore. Në kthim shkuam nga rruga me ahe shekullore, zbritën nga miniera e Nuherit të kuq dhe dolëm nga pemëtaria madhështore e NB së fushës së Kastriotit.

 

Me cilët patët fatin të punonit, në aparatin e Komitetit Qendror të BRPSH-së?

Aty punova me personalitete si: Rudi Monari, Jovan Bardhin, Hilmi Dauti, Vera Sejdini, Ylli Tare, Fuat Çano, Dallëndyshe Ibrahimi, Liliana Jarazi, Bashkim Aliraj, Dylbere Elmazi, Timom Bezhani, Arqile Semini, Luan Dibra, Zef Gurakuqi, Luçije Doçi. Shemsi Izeti, SkënderBiba, Alerksandër Çela, Çlirim Çepani, Hysen Gostivari, fotoreporteri Vath Korreshi, Pirro Tase, Qemal Sakajeva, Thoma Jani, Riza Këlliçi, Dyr Këlliçi, Nasho Bakalli, Lulieta Milo, Mevlude Përllaku, Pirro Dode, Nexhat Myftiu, Nexhat Gjuzi, Vasil Melo, Ikbale Nura, Bekim Gaçe, Ariste Dhima, etj. Në Kongres u zgjodha Sekretar i Komitetit Qendror të BRPSH, krahas Asim Bedallit, Lumturi Rexhës e Ilia Kongos, Rudi Monari, sekretar i parë. Në këtë forum të lartë kam patur si bashkëpunëtorë: Thoma Jani, Riza Këlliçi, Nasho Bakalli, Mevlude Përllaku, Pirro Dode, Nexhat Myftiu, Nexhat Gjyzi, Vasil Melo, Ikbale Nura, Bekim Gaçe, Ariste Dhinma, Viron Kona, Dyr Këlliçi.

 

Po pas aparatit të Komitetit Qendror të BRPSH-së, ku shkuat me punë?

Së fundi, jo pa dhimbje, kujtoj 10 vitet që drejtova NB “17 Nëntori” në Tiranë, duke vënë në jetë ato mësime të gjithanshme që më kishin dhënë profesorët e mi, e me të cilët mbajta lidhje të vazhdueshme. Aty punonin afro 10.000 mijë punëtorë efektivë dhe u futën nën ujë 1300 ha tokë. Vetëm në kodrat e Vorës u mbollën mbi 1 milion pemë frutore dhe 500.000 rrënjë ullinj dhe sipërfaqja e serave arriti në 100 ha. Më kryesorja, ndërmarrja dilte çdo vit me fitim. Edhe kjo pasuri, e vënë me djersën e njerëzve, kjo kurorë e blertë për Tiranën, u shkri, u prish e u shkatërrua me brutalitet, brenda një periudhe shumë të shkurtër të viteve 1991-1992. Kjo më bën të ndjej dhimbje e trishtim.

 

Çfarë kujtimesh ruani nga Sekretari i Parë i Partisë për Vlorën, shokun Petro Dode?

Vitet ikin dhe në kujtesën tonë shpaloset jeta, e cila mban mbi supet e saj kujtimet e thella, vendlindjen, ngjarjet, bëmat dhe njerëzit e dashur që përcjellin përherë mesazhe e fisnikëri. Midis këtyre ngjarjeve të kohës, në mendjen time ngrihet si në një piedestal edhe portreti i Petro Dodes, që unë dhe miq të mi, e thërrasim edhe “Biri i dashur i Vlorës dhe i Labërisë”.

Në verën e vitit 1969, ai erdhi në fshatin Kuç të Kurveleshit dhe qëndroi atje disa ditë. Në këtë kohë u organizuan mbledhje e takime me fshatarë e intelektualë, ku raportoheshin për punët dhe problemet e kohës e të jetës. Unë isha agronom, në fund të stazhit 3-vjeçar. Shoku Petro më dëgjoi me vëmendje kur fola dhe më drejtoi disa pyetje, në një nga të cilat kërkonte të dinte se si ishte e mundur që 400 të rinjtë e Kuçit punonin me dëshirë e entuziazëm në fshat dhe nuk kërkonin që të largoheshin në qytet. Unë iu përgjigja duke argumentuar se të rinjtë e Kuçit kishin bërë një punë të madhe duke prodhuar bukën në vend që në vitin 1966, gjë që në historinë e shumë vjeçare nuk ishte realizuar kurrë. Ata kërkonin që në këtë periudhë të realizonin objektiva të tjera. Ata kërkonin që të ndërtonin edhe më mirë jetën e tyre në Kuç, duke punuar për t’i zhvilluar të dyja degët e prodhimit, blegtorinë e cila zinte 70 % të të ardhurave dhe bujqësinë. Ata kishin pasion e dashuri edhe për pemëtarinë, vreshtarinë e ullirin, njëlloj si në fshatrat e Bregut të Detit, të cilat dalloheshin në këto fusha.

Në fillim të shtatorit 1969 unë u paraqita në Byronë e Partisë të rrethit. Në këtë mbledhje shoku Petro paraqiti propozimin për t’u zgjedhur Sekretar i Parë i Rinisë të rrethit Vlorës dhe Byroja e miratoi propozimin. Ai m’u drejtua me disa pyetje. Duke patur parasysh se kjo detyrë e re kërkonte përveç të tjerave edhe cilësinë për të folur rrjedhshëm e bukur, unë i thashë se më i aftë në këtë detyrë mund të ishte një i ri, i cili të kishte mbaruar shkollën e lartë për letërsi. Shoku Petro m’u drejtua duke thënë se nuk edukohet vetëm me fjalë, por edhe me shembullin personal, ndershmëri, sinqeritet, karakter dhe tek ty janë grumbulluar këto cilësi dhe ato patriotike të fshatit tënd, të fisit e të krahinës dhe me vullnet plotësohet çdo detyrë. Kur mbaroi mbledhja, dolëm me të dhe gjatë rrugës së Skelës deri në shtëpinë e tij, më foli për karakteristikat e të rinjve të zonës së Topaltisë, Sevasterit, Llakatundit, Mavrovës, të Lumit të Vlorës, të Kurveleshit të Poshtëm, të Bregdetit të Himarës dhe të rinisë punëtore e asaj shkollore të qytetit të Vlorës. Kjo ishte një ndihmë e madhe për mua, por kjo rrugë që bëmë bashkë shërbeu edhe për prezantimin tim të parë në opinionin e Vlorës. Ky kujdes më ka mbetur në mend.

Kur shkova në Kuç, ua tregova edhe të tjerëve. Në atë periudhë, shoku Petro ngriti edhe problemin për ta drejtuar më mirë punën e partisë në rreth. Kështu, ai nuk e shikonte të drejtë që Byroja e Partisë e rrethit të kishte pesë anëtarë nga Vunoi dhe asnjë nga Lumi i Vlorës, apo nga zona të tjera. Ai punoi për të realizuar një shpërndarje më të mirë të të zgjedhurve, në mënyrë që të përfaqësoheshin të gjithë zonat e Vlorës.

 

Me të kanë lidhje edhe ngjarjet e përkujtimit të 50-vjetorit të Luftës së Vlorës.

Po. Në vitin 1970, me rastin e 50-vjetorit të Luftës së Vlorës, shoku Petro tregoi një përkushtim të veçantë. Ai e konsideronte Luftën e vitit 1920, jo vetëm si një ngjarje të rëndësishme, por edhe si një epope të lavdishme të historisë shqiptare. Në Barçalla, në Llogora dhe në Beun u vendosën pllaka përkujtimore. Në Barçalla shkuam me Hasan Banjën, Qani Kamberin, Guçe Lacaj etj. dhe pllakën e vendosëm tek burimi. Në Llogora u bë vendosja e pllakës përkujtimore, kurse në Beun u organizua një takim i madh përkujtimor dhe një koncert letraro-artistik. Neve të rinisë na ishte ngarkuar që të bënim festën e lojërave popullore, që manifestuan të rinjtë nga të gjithë fshatrat dhe nga qyteti i Vlorës. Ai tregonte një kujdes të veçantë për aktivitetet e rinisë dhe na nderonte gjithnjë me pjesëmarrjen e tij.

 

Po në lidhje me Kuçin, çfarë vlerësimi kishte shoku Petro?

Lidhur me vlerësimin që shoku Petro i ka bërë Kuçit, duhet të përmend këtu, ndërtimin e shtëpisë së kulturës në kohën kur ra tërmeti. Me prishjen e vatrës së kulturës, me interesimin e tij personal u gjendën fonde dhe bazë materiale për ngritjen e shtëpisë së kulturës në qendër të Kuçit, me një projekt shumë të bukur. Por me këtë rast, unë dua të vë në dukje respektin e dashurinë e veçantë që kishte ai për Kuçin dhe kuçiotët kudo që ishin. Me rastin e promovimit të librit tim “Kuçi i Labërisë ndër shekuj”. Që u bë më 12 qershor 2001, shoku Petro erdhi së bashku me shoqen Sofije në sallën e Shtëpisë Qendrore të Ushtrisë në Tiranë. Ai e kishte lexuar të gjithë librin dhe e vlerësoi atë si një dokument të rrallë, që përjetësonte jetën e veprën e të parëve tanë, si dhe e përcillte atë tek të gjithë kuçiotët me të cilët takohej.

 

Po iniciativa të tjera të kësaj kohe në Vlorë, a mund të na përmendni?

Gjatë periudhës që shoku Petro punoi në Vlorë, të rinjtë morën disa iniciativa, që kishin të bënin me gjallërimin e jetës dhe me emancipimin e tyre. Më të dalluar u treguan të rinjtë e shkollës “Ali Demi”, me drejtor Spiro Jovanin. Ata në një natë përgatitën 500 fletë rrufe, ku kritikonin shfaqjet e huaja që konstatonin në qytet. Ato u vendosën ne xhamat e dyqaneve të tregtisë, por shoku Festim Sina, në fillim e kundërshtoi vendosjen e tyre me arsyen se pengohej reklamimi i mallrave në dyqane. Të rinjtë shkuan direkt në zyrën e shokut Petro për t’u takuar e ankuar dhe ai i priti me shumë kënaqësi. Ai vlerësonte sidomos zgjuarsinë dhe pjekurinë e të rinjve në shtrimin dhe trajtimin e problemeve të ndryshme që i  shqetësonin dhe ndërhynte për zgjidhjen e tyre. Gjithashtu, nga KQ i BRPSH u organizua në atë kohë një seminar në shkallë vendi, të cilën e drejtonte Asim Bedalli. Qëllimi ishte përgjithësimi i punës së kryer nga rinia e Vlorës. Mirpo dita e Seminarit përkoi me ditën që do të bëhej mbledhja e Byrosë së Partisë së Rrethit të Vlorës, ku do të analizoheshin mosmarrëveshjet midis Abdyl Hakiut dhe Mehmet Sulës. Unë kërkova leje dhe shkova në shkollën “Ali Dermi”, ku zhvillohej seminari i BRPSH dhe kështu nuk asistova në këtë analizë. Me mbarimin e mbledhjes së Byrosë së Partisë, më thirri shoku Petro dhe më shpjegoi sepse kishin vendosur të mbanin qëndrim. Ai ishte shumë i shqetësuar, që dy bashkëfshatarët e mi nuk kuptoheshin me njëri-tjetrin dhe me qëndrimet e tyre thyenin unitetin e popullit në Kuç.

 

HISTORIA

Cili ka qenë kontributi i Kuçit në luftën e Vlorës të vitit 1920?

Fshati Kuç në luftën e Vlorës të vitit 1920 dha një kontribut të veçantë e të rrallë me pjesëmarrjen e 180 luftëtarëve të ndarë në 5 çeta, me komandantë të tyre Sefedin Mecaj, Harshi Saraç Brahimaj, Rrapo Aliaj, Jaho Gjolikaj, Meto Pecaj. Gjithashtu, pranë shtabit të Mbrojtjes Kombëtare me kryetar Osman Haxhiu, kanë qenë kuçiotët Avdul Hoxhaj (Kuçi), si prokuror i këtij shtabi, Xhafer Aliko Alikaj, si oficer komandant i çetave të Kurveleshit, Major Ismail Haki Kuçi, si i deleguar i qeverisë së Sulejman Delvinës me grupin e oficerëve për hartimin e planeve të veprimeve luftarake, Zenel Shaqir Gjolekaj; si oficer invalid i kësaj lufte, kapiten Xhevdet Kadri Gjolekaj; si oficer i shtabit të Luftës së Vlorës, Arif Sali Mëhillaj; si oficer i Shtabit të Drashovicës dhe oficerët Ismail Meto Brahimaj, Kadri Myslym Gjolekaj, toger Bajram Guro Jonuzaj.

 

 

Shpërndajeni me miqtë tuaj: