Shtyhet afati, taksa e re e pronës do të paguhet nga 1 janari 2019

Publicitet
Publicitet
Shtyhet afati, taksa e re e pronës do të paguhet nga 1 janari 2019
Mos u shqetësoni për një taksë më shumë që prisnit t’u vinte bashkë me faturën e dritave këtë muaj. Ajo nuk do t’ju faturohet.

Një lajm të tillë e ka dhënë dje vetë ministri i Ekonomisë dhe Financave, Arben Ahmetaj.

Fjala është pikërisht për taksën e re të pronave, e cila ishte planifikuar t’i faturohej popullatës shqiptare, nga muaji prill i këtij viti e në vazhdim. Por që mesa duket, mungesa ende e një kadastre fiskale për të gjitha pronat e paluajtshme në rang vendi, si edhe mospërgatitja e vendorëve për ta llogaritur siç duhet atë, e ka detyruar qeverinë të tërhiqet nga ky vendim.

Ajo u ka dhënë kështu më shumë kohë atyre dhe ka vendosur si afat të ri, prej nga do të nisë faturimi ndaj popullatës, 1 janarin e vitit të ardhshëm, 2019.

“Periudha e 2018-tës është një periudhë tranzitore që u lejon njësive vendore të përgatiten mirë, që në 1 janar 2019, të gjitha njësitë vendore të aplikojnë taksën e pronës në bazë të vlerës reale të tregut”, ka deklaruar ministri Ahmetaj, lidhur me një fakt të tillë.

Duke sqaruar më tej se 1 janari 2019 do të jetë edhe kufiri i fundit kohor për llogaritjen e kësaj takse. Dhe se kanë qenë vetë njësitë vendore, ato që kanë kërkuar një periudhë tranzitore prej 6-9 muajsh, në mënyrë që të përgatiten siç duhet për ta vënë në jetë metodologjinë e dukur të llogaritjes së taksës së pronës.

Kujtojmë se kjo e fundit parashikon tarifat e reja prej 0.05%

për ndërtesën që përdoret apo shfrytëzohet për qëllime banimi; 0.2% për ndërtesën që përdoret apo shfrytëzohet për veprimtari ekonomike dhe 30% e shkallës së taksës përkatëse për të gjithë sipërfaqen ndërtimore, për të cilën zhvilluesi është pajisur me leje ndërtimi dhe nuk ka arritur ta përfundojë atë sipas afatit të përcaktuar në aktin e miratimit të kërkesës për leje ndërtimi.

 

TARIFAT

 Formula e re mbi taksën për pronat e paluajtshme:

 

  1. a) 05%

Për ndërtesën që përdoret, shfrytëzohet për banim;

b)  0.2%

Për ndërtesën që përdoret, shfrytëzohet për veprimtari ekonomike;

c)  30%

E shkallës së taksës përkatëse për të gjithë sipërfaqen ndërtimore, për të cilën zhvilluesi është pajisur me leje ndërtimi dhe nuk ka arritur ta përfundojë atë sipas afatit të përcaktuar në aktin e miratimit të kërkesës për leje ndërtimi.

 

Porosia e FMN-së: Taksa të aplikohet fillimisht në katër qarqet kryesore

Kujtojmë se fillimisht, për vendosjen e taksës së re mbi pronën sipas vlerës reale të tregut, qeveria u konsultua me Fondin Monetar Ndërkombëtar. Dhe sugjerimi i ekspertëve të tij ka qenë që ajo të mos aplikohet menjëherë mbi të gjithë popullatën, pasi do të shoqërohet me efekte të prekshme në financat e saj. Por të aplikohet fillimisht në katër nga qarqet më të mëdha në vend, konkretisht në Tiranë, Durrës, Korçë dhe Fier sipas një sistemi që bazohet në vlerën reale të pronës. Kjo edhe për faktin, pasi në rang vendi ende mundon ajo që njihet nga të gjithë si kadastra fiskale dhe presupozon regjistrimin e pronave të paluajtshme sipas vlerave reale të çmimeve. Nga ana tjetër, FMN-ja ka dhënë edhe opsionet e veta lidhur me tarifat konkrete të kësaj takse. Kështu, sipas tij, vlera e taksës mbi pronën duhet të jetë nga një minimum prej 0.075% të vlerës deri në maksimumin prej 0.15% të vlerës së pronës.

 

 

Shpërndajeni me miqtë tuaj: