Sezoni i ri turistik, Shqipëria mes shifrave që synon dhe masave që po merr ende

Sezoni i ri turistik, Shqipëria mes shifrave që synon dhe masave që po merr ende
Starton sezoni i ri turistik 2018. Por cilat janë pritshmëritë rreth tij? A do të kemi sivjet më shumë turistë të huaj, që do zgjedhin bregdetin shqiptar për të kaluar pushimet? Mjafton të kujtojmë që vetëm pak kohë më parë, u publikua vendimi për shtimin e dhjetë linjave të reja të fluturimeve charter këtë verë drejt Shqipërisë. Por ndërsa sezoni po hapet,  nëpër plazhe ende po vijon pastrimi dhe disinsenktimi i tyre. Ndërsa qeveriska planifikuar në strategjinë e saj të turizmit shifra në rritje për sivjet. Përveç atyre të bizneseve, në funksion të turizmit, që parashikohet të shtohen në rang vendi...

Starton sezoni i ri turistik 2018. Por cilat janë pritshmëritë rreth tij? A do të kemi sivjet më shumë turistë të huaj, që do zgjedhin bregdetin shqiptar për të kaluar pushimet e tyre?

Mjafton të kujtojmë që vetëm pak kohë më parë, u publikua vendimi për shtimin e dhjetë linjave të reja të fluturimeve charter këtë verë drejt Shqipërisë. Gjë e cila sipas ekspertëve, pritet që të shoqërohet me një shtim të turistëve, në rang vendi.

Ndërkaq, teksa në disa prej pikave kryesore të rivierës shqiptare, të tilla si Vlora apo Ksamili, çelja e sezonit tashmë  realizuar zyrtarisht edhe në prani ministrash, në shumë rajone të tjera bregdetare të vendit, ende po vijon procesi i pastrimit dhe disinsektimit të tyre. Duke dhënë në këtë mënyrë pamjen se Shqipëria gjendet gjithmonë në proces parapërgatitor për sezonin turistik veror, me rrugë që janë ende pa përfunduar në akse të rëndësishme të qarkullimit të turistëve, apo edhe me punime në proces e sipër për ujësjellësa apo kanalizime.

E gjitha kjo, në një kohë, kur qeveria ka parashikuar zyrtarisht një rritje deri në nivelin prej 20% të turistëve të rang vendi.

“Presim që në vitin 2018 të kemi padyshim një rritje prej 15 deri në 20% të numrit të turistëve”, kujtojmë të ketë thënë vetë ministri i Turizmit, Blendi Klosi, gjatë prezantimit në fillim të këtij viti të Strategjisë së Turizmit për vitet 2018-2022. Një dokument ky i cili përcakton rrugën nëpër të cilën do të ecë zhvillimi i turizmit në vend dhe sesi industria turistike do të shndërrohet në degën kryesore të të ardhurave në ekonomi. Madje, në të gjenden edhe shifra konkrete që synohen të arrihen përgjatë këtij viti. Ku ajo që bie në sy brenda tyre se i vetmi tregues që nuk pretendohet të ndryshojë sivjet, është pikërisht ai i krijimit të bizneseve apo sipërmarrjeve të reja që operojnë në sektorin e turizmit.

E thënë më thjesht, sivjet, por edhe në vitet në vijim, në rivierën shqiptare dhe jo vetëm, turistët do të gjejnë thuajse ato biznese që kanë qenë edhe vitet e kaluara.

Konkretisht, referuar shifrave të përfshira në strategji, niveli i shtuar i tyre për sivjet do të jetë vetëm 5%, krahasuar me 5.3% që ka qenë vitin e kaluar. Akoma më i ulët edhe në vitet në vijim, përkatësisht 4.8% vitin e ardhshëm, apo deri 4.4% në vitin 2022.

Ndërsa nga ana tjetër, sivjet shteti ka parashikuar që në Shqipëri të vijnë 5.272.628 turistë të huaj, në krahasim me 5.117.700 që u raportua se erdhën gjatë vitit të kaluar. Shoqëruar edhe me një rritje të netëqëndrimeve të tyre në vendin tonë, respektivisht me 26.541.551 të tilla, krahasuar me  25.277.668 që u realizuan gjatë vitit të kaluar.

 

SHIFRAT

Ç’parashikon shteti për turizmin këtë vit?

 

Rritja e kontributit direkt në PBB

 

8.7% - 2017                    8.9% - 2018

 

Rritja e punësimit direkt nga turizmi

 

7.8% - 2017                    7.9% - 2018

 

Rritja direkt e të ardhurave të taksave

 

23 mld l - 2017               24.2 mld l - 2018

 

Krijimi i bizneseve të reja turistike

 

5.3% - 2017                    5.0% - 2018

 

Rritja e të punësuarve të kualifikuar

 

15.2% - 2017                  16.6% - 2018

 

Rritja e investimeve të huaja në turizëm

 

2 mln euro-2017         2.178 mln euro-2018

 

Rritja e investimeve private në tërësi

 

22.771 mln l - 2017                23.909 mln l - 2018

Rritja e numrit të vizitorëve të huaj

 

5.117.700 - 2017             5.272.628 - 2018

 

Rritja e netëqëndrimeve në akomodime

 

25.277.668 – 2017          26.541.551 - 2018

 

 

 

MOS-ARRITJET

Njësitë akomoduese në rang vendi, ende të paklasifikuara

Një nga mosarritjet e sezonit turistik të sivjetshëm në rang vendi, mund të cilësohet ajo e mosklasifikimit ende të njësive akomoduese. Kjo është konfirmuar nga vetë ekspertët e qeverisë, në dokumentin e tyre të strategjisë së turizmit, brenda të cilit parahsikojnë që klasifikimi i 2000 strukturave akomoduese në vend, të jetë mundësuar deri në fund të këtij viti. Por nga ana tjetër, edhe regjistrimi të paktën në nivelin prej 80% i njësive akomoduese të akomodimit familjar, të tilla si dhoma, apartamente apo shtëpi, të cilat në fakt e kanë kryer këtë funksion deri tani si të tilla, por që nuk figurojnë aspak të regjistruara.

Shpërndajeni me miqtë tuaj: