Rasti “Abazaj”, nxit eksod shqiptar drejt Europës

Rasti “Abazaj”, nxit eksod shqiptar drejt Europës
Futbollistët më të spikatur të kampionatit shqiptar, si Sabien Lilaj, Sidrit Guri, Gentjan Selmani, Enis Gavazaj, Dejvi Bregu dhe deri tek Albi Doka, në radarin e disa klubeve të njohura europiane 

Aranit Muraçi

Ishte Kristal Abazaj, i pari që konfirmoi largimin nga kampionati shqiptar. Talenti i Luftëtarit do të jetë pjesë e Anderlekt të Belgjikës, për tre sezonet e ardhshme. Në të njëjtën rrugë drejt largimit nga Shqipëria, janë edhe lojtarë të tjerë të spikatur, si golashënuesi më i mirë i kampionatit shqiptar, Sidrit Guri, Albi Alla i të njëjtit ekip, portieri i Laçit, Gentjan Selmani, mesfushorët e Skënderbeut, Sabien Lilaj dhe Enis Gavazaj, si dhe Dejvi Bregu i Luftëtarit dhe Asani i Partizanit. Për mesfushorin dhe një nga pikat kyçe të Skënderbeut, Sabien Lilaj, kanë shfaqur interes skuadra të Serisë B, ku mësohet se lista e klubeve të interesuara momentalisht, kryesohet nga Palermo. Palët janë pranë një marrëveshjeje, e cila pritet të bëhet zyrtare me përfundimin e këtij sezoni. Disa nga lojtarët më të talentuar të kampionatit shqiptar, i bashkon i njëjti emër, menaxheri që transferoi Abazajn te Anderlekt, Shkumbin Qormemeti. I njëjti menaxher ka në duar edhe kartonët e lojtarëve si Guri dhe Gavazaj. Por gjithsesi, më tepër se emri i tij, ndikojnë faktorë të tjerë për të ardhmen e futbollistëve të talentuar të kampionatit shqiptar, drejt një lige europiane.

Për “Albanian Free Press” konfirmohet fakti se, nga rreziku dhe dënimi i mundshëm i Skënderbeut nga UEFA dhe penalizmi i mundshëm për të mos e lejuar këtë ekip të luajë në Europë, ka detyruar shumë lojtarë që të kërkojnë të largohen gjatë verës, për të mos rrezikuar karrierën në fillim të sezonit tjetër. Gjithsesi, për të gjithë më të dalluarit të kampionatit shqiptar kanë nisur përpjekjet që, ata të transferohen gjatë merkatos së verës në një ligë ose klub europian. Një ndër kushtet kryesore që klubet e huaja binden të futen në bisedime dhe të arrijnë një marrëveshje me lojtarët e kampionatit tonë, është fakti që të kenë qenë pjesë e Kombëtares shqiptare dhe të jenë në moshë nën 25-vjeç. Abazaj, në ndeshjen e parë që u grumbullua në Kombëtare, pasuroi CV-në duke lehtësuar së tepërmi bisedimet e menaxherit në Belgjikë. E njëjta gjë vlen të theksohet për Gavazajn, i cili e ka nisur karrierën në Belgjikë. Sidrit Guri pritet të ftohet nga Panucci në miqësoret e këtij muaji, për t’i hapur zyrtarisht rrugë të ardhmes që e pret në të njëjtin kampionat. Paraqitja e mirë e dy portierëve në Serinë A, si të Etrit Berishës dhe të Thomas Strakoshës, ka bërë që të shfaqet një interes i madh për portierin e Laçit, Gentjan Selmani. Portieri i Kombëtares U-21 të Shqipërisë, e ka pasur të pamundur të bëhej pjesë e Kombëtares A, për shkak të tyre, por janë shumë ekipe italiane, që vështirë se mund të lejojnë të ardhmen e portës kuqezi të mbetet në Shqipëri. Albi Alla, Dejvi Bregu ose edhe lojtari i Tiranës , Albi Doka, janë gjithashtu në radarin e klubeve të huaja, për t’u transferuar gjatë verës.

Fenomeni kuqezi, pas Euro 2016

Menaxherët e futbollistëve shqiptarë pranojnë se, gjatë dy viteve të fundit, pasi Shqipëria mori pjesë në finalet e Francë 2016, ka pasur një fakt interesant: Është shumë më e lehtë marrëveshja me një klub të huaj, nëse ai është pjesë e kombëtares sonë, qoftë edhe nëse nuk ka përvojë. Mjafton të jetë i grumbulluar dhe të jetë i ri, çka ka ndihmuar në lëvizjen e mjaft futbollistëve gjatë dritareve të merkatos së dy viteve të fundit.

Shpërndajeni me miqtë tuaj: