Rama: Rritje pagash për infermierët

Rama: Rritje pagash për infermierët
Kryeministri Edi Rama paralajmëroi rritje të mëtejshme të pagave të infermierëve. Gjatë Kongresit të parë Kombëtar të Infermierisë, Rama tha se do të bëhet çmos rritja e pagave për këtë kategori, brenda këtij viti, pa dhënë detaje të tjera.

“Sot do t'ju them që, këtë vit, do të bëjmë çmos ta rrisim përsëri pagën tuaj. Dhe pse do të bëjmë çmos që ta rrisim? Për disa arsye, por ndër të cilat njëra është, sepse shumica juaj janë gra. Sa më shumë të rrisim pagat e grave, aq më mirë shkojnë punët në llogari në familje” - ka pohuar Rama.

Po kështu, kreu i qeverisë u shpreh se, mbi shërbimin shëndetësor ka një perceptim të gabuar kur thuhet se, nëse nuk paguan, vdes. Kryeministri gjithashtu u shpreh se, guri i parë sistemit të shëndetësisë janë infermierët.

“Është e pashmangshme që, për njëmijë e një arsye, natyrisht, të drejtë ose jo shëndetësia është objekt i një perceptimi shumë të rëndë. Në sistemin tonë shëndetësor ka mjekë, ka edhe infermier, ka dhe të tjerë që e njollosin bluzën e bardhë, por ajo që unë mund të dëshmoj, është se kam parë jo pak mjedise të shërbimit tonë shëndetësor dhe kam takuar jo pak njerëz të këtij sistemi, që nuk janë të gjithë njësoj. Shumica janë gra dhe burra, që e mbajnë bluzën e bardhë me dinjitet. E vërteta është që, nëse pyet njerëzit që për fat të mirë, dhe fati i mirë i ndjektë gjithë jetën, nuk e kanë marr rrugën në spital, thonë se nëse nuk paguan, vdes, por ama nëse pyet ata që marrin shërbimin për kaq vite, përgjigjja nuk është e njëjtë” - ka pohuar kreu i qeverisë, duke theksuar se infermierët janë shtylla kryesore e sistemit shëndetësor.

Shpërndajeni me miqtë tuaj: