Rama përgjigjet për Xhafajn: Nuk shkarkohet, ekspertët thonë se audiopërgjimi është inskenim

Rama përgjigjet për Xhafajn: Nuk shkarkohet, ekspertët thonë se audiopërgjimi është inskenim
Kryeministri Rama ka bërë të qartë sot se nuk do të shkarkojë ministrin e Brendshëm, Fatmir Xhafaj.

Ai tha se ka kërkuar ekspertizë për audiopërgjimin që, sipas opozitës, implikon vëllanë e ministrit, Agron Xhafaj.

“Unë e kam marrë mbrëmë përgjigjen e analizës shkencore nga një prej laboratorëve më të mirë në botë. Mua më mjafton ajo përgjigje. Po bëj një parantezë, jo për të vënë ulërimën kundër hetimit apo për të influencuar hetimin, por më mjafton për t’ju thënë juve se nuk jemi absolutisht përpara asnjë lloj prove kompromentuese për ministrin e Brendshëm, por para një mashtrimi me një material jo autentik, me të cilin synohet destabilizimi i qeverisjes dhe shkatërrimi i segmentit të fundit të rrugës evropiane”.

Rama akuzoi opozitën për inskenim dhe për një skenar që synon të ndërpresë integrimin evropian.

“Kjo është një maskaradë destabilizuese, e vënë në skenë për t’i thënë Evropës se ky është  vend ku Ministria e Brendshme është organizata mëmë e trafikut dhe për t’u thënë shqiptarëve se sa të jetë Rama në qeveri MB nuk mund të jenë tjetër sesa eksponentë të krimit global”.

Jo vetëm kaq. Kryeministri kërcënoi edhe me ndëshkim ata që kanë inskenuar këtë “skandal” dhe e kanë shpërndarë në kancelaritë evropiane.

“Kjo është sfidë e drejtësisë, ato t’u japin shqiptarëve provën e të vërtetës, ose të provojnë autenticitetin e audiopërgjimit, ose askush nuk mund të luajë qensh me dinjitetin e njerëzve, me gjakun dhe djersën e tyre”. /a.a/ Albanian Free Press Online/

Foto: LSA

Shpërndajeni me miqtë tuaj: