Qeveria: Forcimi i lekut, do gabonim po të ndërhynim në tregun e këmbimit

Publicitet
Publicitet
Qeveria: Forcimi i lekut, do gabonim po të ndërhynim në tregun e këmbimit
Qeveria nuk mund të ndërhyjë në tregun e këmbimit valutor dhe madje, do të gabonte po ta bënte një gjë të tillë. Një qëndrim i tillë është shprehur dje publikisht nga ministri i Ekonomisë dhe Financave, Arben Ahmetaj, në lidhje me shqetësimin e krijuar së fundmi mbi mbiçmimin e monedhës vendase, lekut, në tregun e brendshëm të këmbimit valutor. Duke dalë kështu, në një linjë me Bankën e Shqipërisë, e cila para disa ditësh, shprehu gjithashtu qëndrimin e saj për të qenë mënjanë ndërhyrjeve të mundshme në këtë treg.

“Dua të theksoj që në një vend normal me kurs këmbimi të pafiksuar, siç është ekonomia shqiptare, qeveria nuk bën ndërhyrje në kursin e këmbimit dhe do të ishte e gabuar të bënte”, tha konkretisht, ministri Ahmetaj. Kjo, edhe pse nga ana e kategorisë së prodhuesve shqiptarë, por edhe asaj të fasonistëve, është ngritur tashmë zyrtarisht shqetësimi i tyre për “pikiatën” e euros gjatë muajve të fundit në Shqipëri, gjë e cila sipas tyre po ua çon drejt falimentimit bizneset që ata kanë.

“Ka një diskutim për fasonët, përsa i përket dëmtimit që mund të kenë nga kursi i këmbimit. Vlera e shtuar e tyre në Shqipëri, për shkak të regjimit të përkohshëm siç i referohemi, e bazuar në lek është maksimumi 20%, që do të thotë se, edhe sikur kursi, pra leku, të mbivlerësohej në masën 20%, kosto që iu lëviz është në nivele nga 2% deri në 3%. Pra është e kufizuar, sepse shumicën e furnizimit e kanë kryesisht nga vendet e Eurozonës, ku kuptohet, blejnë dhe shesin në euro”, tha ministri. Duke pranuar gjithsesi faktin se sigurisht që mbiçmimi është tregues i forcimit të ekonomisë shqiptare, por nuk është gjithmonë pozitiv për disa nga aktorët ekonomikë. “Kjo nuk diskutohet, deri në akomodim të tyre me tregun, dhe i detyron diku dhe forcërisht, që të shohin më shumë nga produktiviteti sesa nga kosto”, shtoi ai.

 

“Ajo që po ndodh me kursin e këmbimit valutor tek ne, po ndodh edhe në rajon”

“Ajo që po ndodh në Shqipëri, në kursin e këmbimit valutor, po ndodh pothuajse në të gjitha vendet e rajonit, për shkak të përmirësimit të fondamenteve të ekonomisë së rajonit. Pra, nuk është se ne po përjetojmë një fenomen të veçantë. Shikoni dhe Serbinë, dhe Kroacinë, thjesht për referencë”. Ky ka qenë një tjetër argument që ka dhënë dje ministri i Ekonomisë dhe Financave, Arben Ahmetaj, lidhur me ecurinë e kursit të këmbimit në vendin tonë. Kurs ky që sipas tij, është ndër më të qëndrueshmit në rajon dhe luhatjet e tij tentojnë historikisht të kenë një shpërndarje normale. “Mbiçmimi i tij gjatë periudhës së fundit pasqyron ndër të tjera përmirësimin e faktorëve fondamentalë, siç janë përmirësimi i bilancit të pagesave, miksimi i politikave monetare pozitive, konsolidimi fiskal që vazhdon, si dhe niveli i lartë i investimeve të huaja”, argumentoi mes të tjerash ministri.

 

Bizneset, nga 8 deri në 14 milionë, tatim-fitimi 5%

Nga 1 janari i vitit të ardhshëm, pragu që ndan bizneset e vogla nga i madhi do të rritet në 14 milionë lekë, nga 8 milionë lekë që është sot. Kjo do të sjellë automatikisht ulje të tatim fitimit nga 15 në 5% për 10.850 biznese, që janë gjysma e bizneseve që paguajnë tatim fitim në nivelin e 15%. Kjo u bë me dije nga vetë ministri i Ekonomisë dhe Financave, Arben Ahmetaj. “Për statistikë, janë 21 mijë sipërmarrje që janë objekt i tatim-fitimit 15%, me luhatje të qarkullimit nga zero deri në miliarda, dhe nga këto, 10.800 apo 50% të tyre u zbritet tatim-fitimit në 5%. Pra, duke iu shtuar dhe atyre që përfitojnë nga tatim-fitimi i thjeshtësuar, bëhen mbi 93 mijë biznese që kanë përfituar ulje të drejtpërdrejtë takse. Që do të thotë, se nga 110 mijë biznese aktive, mbi 93-95 mijë e kanë tatim fitimin nga 5 deri në zero”, tha ai.

Shpërndajeni me miqtë tuaj: