QERSHORI PRITET I FTOHTË – ANALIZË NGA FRROK ÇUPI

QERSHORI PRITET I FTOHTË – ANALIZË NGA FRROK ÇUPI
Nga Frrok Çupi

Ky artikull është shkruar posaçërisht për gazetën “Albanian Free Press”

Nuk mund thuash se, në qershor, vendi ynë do të vazhdojë procesin e negociatave me BE-në; madje askush në BE nuk e beson “përrallën” që tha KE në Strasburg më 17 prill. Vetë qeveria dhe opozita në Shqipëri, janë të sigurt se nuk ka negociata; secila palë bën “sikur”.

Por në atë moment, ndryshon “klima” mbi vendin tonë.

Ndërprerja e procesit të negociatave e kthen gjithë “pasurinë” tonë në vlerën zero. Vlera e vetme që ka shteti nëpër duar në këto momente, është “hapja e negociatave”. Si të ishte minierë floriri... Qeveria, gjatë mandatit të dytë, nuk ka ofruar asgjë tjetër, përveç propagandës, spektaklit dhe fasadës. Nuk ka prodhim, nuk ka vende të reja pune, ka rënie të ekonomisë deri afër rrezikut të varfërisë ekstreme. Politika (qeveri+ opozitë) dolën së bashku në tregun e mrekullive dhe “shitën” “hapjen e negociatave”: Qeveria e shfaqi veten në rolin e zotit, ndërsa opozita në rolin e ndihmësit. Njerëzit, akoma naivë si në kohën e Maos, janë gati të pranojnë “duam negociata, edhe pa drita e pa ujë durojmë”... Atëherë, çfarë do të ndodhë në qershor, kur KE prapë të kthehet e të thotë se, “nuk ka negociata”? Ky është ndryshimi i klimës; një premtim bosh mund të krijojë një situatë pa shpresë dhe kaotike në vend.

A ka zjarrfikës para se të shembet shtëpia?

Nëse vëzhgohen nga afër veprimet e fundit nga Shtetet e Bashkuara dhe disa shtete europiane, do të kuptohet se këta kanë nisur të ngrenë skelat e zjarrfikëses për ditën “e keqe”. Nga njëra anë, politika e brendshme ka hapur fjalë se, “do të ketë zgjedhje të reja”; në anën tjetër, ndreqen disa zgjidhje pa të cilat mund të krijohej kaosi në rastin e humbjes së “ëndrrës”. Politika e brendshme gaboi, që e vuri zgjidhjen “negociata”, si zgjidhje të sigurt dhe si “bukë dhe ujë”, para se të sigurohej se do të mashtronte me sukses... Duket se, nga politika perëndimore janë projektuar disa zgjidhje: E para, një qeveri “me bazë të gjerë” PS+PD, menjëherë sapo të bien negociatat dhe ekonomia, njëkohësisht. Megjithëse kjo nuk shihet si zgjidhje e qëndrueshme. Sikur qytetarët të kishin besimin e mjaftueshëm ndaj opozitës, kjo mund të funksiononte... Një projekt tjetër është: Vënia në funksionim sa më shpejt, e reformës në drejtësi, e cila edhe kështu siç është e rrënuar, mund të bëjë efekt në mashtrimin popullor se, “ja vumë drejtësi, të paktën”. Fjalët e ambasadorit Lu se, “do të shkoj këtë verë, por nuk largohem pa vënë drejtësi”, nuk ishin thjesht lajthitje, por Lu shprehu si lajthitje një projekt: Në vend të “Negociatave”, të ofrojmë “Drejtësi”.

Pse po kërkohet më shumë anonimat në sistemin e srejtësisë?

A nuk ishte një “anonime” prokurorja Prela, që zëvendësoi prokurorin e krimeve të Rënda, Hajdarmataj? Njësoj si edhe zonja Marku, prokurore e Përgjithshme - anonime edhe në fshatin ku kishte lindur ose në qytetin ku banonte. Disa mendojnë se, me ndikimin e Amerikës po kërkohet aplikimi i modelit “Maqedoni”, ku një prokurore grua e vuri krimin dhe korrupsionin nën këmbë. Kjo edhe është, edhe nuk është funksionuese; ose më shumë është skematike. “Anonimët” në drejtësi po kërkohen për arsye të tjera: Njerëz pa taraf, njerëz pa shumë krime në kurriz, njerëz pa memorie dhe “të pamëshirshëm” në zbatim të direktivave nga Perëndimi. Sipas një skeme të paramenduar, me këtë mënyrë mund të rrafshohen “vlerat” dhe “gradat” e politikanëve që mbajnë përgjegjësi para ligjit, mbi korrupsionin dhe shpërdorimin e pushtetit. Nëse disa “peshq të mëdhenj” do të burgosen deri në qershor, atëherë është e sigurt se kjo do të ketë vlerën e “negociatave”. Njerëzit janë të kënaqur, sa me burgosjen e disa të mëdhenjve, aq edhe me “negociatat”, aq edhe me bukën e fëmijëve...

Betejë në Kuvend apo kërkesë e fshehtë për amnisti?

Dje ishte dita e një “tërmeti” në seancën Plenare të Kuvendit. Opozita mori në dorë frenat e situatës, mbajti fjalime “bombë” sikur aty të ndaheshin dy botët: bota e nderit dhe bota e krimit; opozitarët mbajtën sallën, ndërsa shumica doli nga salla... Loja ishte mjaft e kuptueshme, shumica po i rriste autoritetin opozitës.

Por çfarë kërkonte opozita? Opozita kërkoi të njëjtën gjë që kërkon qeveria... Opozita kërkoi që “ministri Xhafaj të dalë nga salla me pranga në duar”- siç tha vetë kryetari i PD-së, Basha. Nxitimi për të burgosur ministrin Xhafaj, fsheh qëllimin për të mos arrestuar ish-ministrin Tahiri. Në fakt, seanca e sotme ia arriti qëllimit: Tahiri u la në hije, ndërsa “iu vunë prangat” në dritën e diellit, ministrit Xhafaj... Ky është edhe objektivi që kërkon të arrijë shumica. Si opozita, edhe shumica, nuk e duan burgosjen e ish-ministrit Tahiri. Tahiri ka në duar shumë “sekrete” nga të dy anët; nëse ai i dorëzohet qelisë, aty brenda nuk mban gjë...

“Teatri” në Kuvend bëhet për të krijuar skena “lufte”. Sa më shumë luftë, (ndoshta mund të jetë ndonjë idiot që edhe përgjaket), kjo iu shërben të dy palëve. Sa më shumë rrezikojnë stabilitetin e vendit, aq më të lartë do ta kenë ofertën – ja, kjo është e tëra. Nëse Perëndimi iu ofron një zgjidhje politikanëve të të dy krahëve, në një moment tensioni ose prag kaosi si në “97, do t’u ofrojë:

  1. a) largimin e sistemit,
  2. b) ardhjen e të rinjve “pa memorie”,
  3. c) lënien menjëherë të armëve të luftës dhe posteve...

Po politikanët (që në fakt nuk janë dy krahë, por vetëm një), çfarë do të kërkonin? Është momenti kur politika ka në dorë të bëjë çfarë të dojë dhe ajo do që të fshihet e kaluara e korrupsionit e shpërdorimit. Politikanët do të kërkonin amnisti për vete!

Ja, kjo është... Kjo arrihet, ose me “ndezjen e zjarreve”, ose duke garantuar që Saimir Tahiri nuk do të shkojë para drejtësisë...

Ndalohet rreptësisht ripublikimi i këtij shkrimi pa një leje të shkruar nga redaksia e Albanian Free Press

Shënim: Qëndrimet e shprehura në shkrimet e rubrikës Opinion, nuk përfaqësojnë domosdoshmërisht një vijë editoriale të Albanian Free Press

 

Shpërndajeni me miqtë tuaj: