PSIKO-EXTENSION! - PËRSIATJE NGA JUELA MEÇANI

Publicitet
Publicitet
PSIKO-EXTENSION! - PËRSIATJE NGA JUELA MEÇANI

  • Nga Juela Meçani

Ky artikull është shkruar posaçërisht për gazetën “Albanian Free Press”

Gjen një moment të lirë e vrapon tek parukierja. Nuk ke ndër mend të bësh çudira, thjesht të krehësh flokët, me dëshirën për të qenë më e rregullt. Pavarësisht dashurisë për të bukurën, shkon e nga shkon e përsëri përfundon tek vetja jote, e krehur thjesht, ashtu si natyra ka “urdhëruar” për ty. Ja behin majtas e djathtas dy kliente nga ato me shumë zhurmë, njëra bionde e tjetra brune.

Hedh sytë majtas e djathtas se përse tërë kjo potere. Shikon estetistet e gjora që me shpejtësi prestidigjitatori, kanë në duar tufa me flokë të verdhë e të zi, i përpunojnë si në një punishte, i shtrijnë, i bëjnë me onde, e më pas, fillon një proces që me sy të lirë nuk e kisha parë asnjëherë. Koka e vashës së re, mbushet me flokë të ngjitur që kushtojnë “qimet e kokës”, se në këtë rast edhe shkon shumë kjo shprehje, dhe ja ku flutura doli në dritë e nuk është më....!

Gjithë kjo tollovi, teksa në ekran jepej parlamenti e “demat” me zë të hollë ndeshnin brirët, më hutoi krejtësisht.

Mendova se puna kishte mbaruar e do shijoja ca minuta paqe por jo, filluan shkrepjet e pozave, fryrja e buzëve përpara objektivit, u lajmërua bota se lindi bukuria, përsëri.

Nuk e fsheh, duke qeshur me vete mendova se si ja bëjnë ata të gjorët meshkuj kur u zënë kryet me duar.

Si në ato programet kompjuterike që të sjellin në origjinalitet, imagjinova këto dy portrete vajzash të reja shumë, si mund të ishin në mëngjes, kur dita lind e kur qenia zgjohet.

Extension mbi jastëk, extension mbi sy në formë qerpikësh krahëshqiponjë, extention në vetull, extension në dekolte, extension në buzë, extension në fundshpinë. “Me extension mund të jeni femrat që dëshironi!”-deklaronte një nga ekspertët më të njohur të këtij “sporti psikopatie” në botë.

Çfarë idiotësie tjetër e re qenka kjo?

Deri ku ka ndër mend të shkojë vaniteti?

Ndër mend më shkoi një këngëtare shumë e talentuar të cilën vajta me shumë kënaqësi ta dëgjoja live, por që më shtangu me “indoktrinimin” që edhe ajo kishte pësuar nga trendi vërdallë. Teksa këndonte bukur cover-at e Elita 5 ose Fisnikëve, të brendshmet me “fundshpinë fallco me silikon” kishin shkuar shtrembër dhe i gjithë publiku, mes vedit, harruan muzikën dhe komentonin “zbulimin”.

Po pse vallë është kjo nevojë kaq e thekshme kolegjiale tashmë, për një dukje kaq perfekte, që po ta shikosh më afër, kaq perfekte nuk është? Çfarë na shtyn të jemi në këtë garë të çmendur me kohën e vitet, me brezat përpara e pas nesh? Çfarë na mungon kaq shumë në jetë, që përpiqemi ta mbushim me të vetëndjerin ndaj bukurisë?

Nuk i përgjigjem dot kësaj pyetje, por përpiqem ta shikoj vetëm në aspektin estetik.

Si mund të jetë e bukur diçka që bëhet kaq masive?

Kur hedhim sytë drejt një grupi me njerëz, a nuk kërkojmë të dallojmë njeriun e veçantë, që ka atë, kiminë që na ndjell?

Të gjithë jemi nga pak vanitozë, ndryshe do të dilnim me tuta e pizhame tërë ditën e kudo.

Por ku ka shkuar dëshira për individualitet, për ato cilësi, edhe në dukje, që na bëjnë të jemi specialë, të jemi NE? Maskimi i të vërtetës, i asaj që jemi, ky proces me “extension” të jashtëm, sa na ndihmon që të kemi nga jeta atë që duam? E mbi të gjitha, a e dimë vërtetë atë që duam?

Nuk dua të jem patetike e të thur poezi mbi bukurinë e shpirtit, sepse jam koshiente që një sy me bisht e shikim krenar të hedh në tokë, ashtu si një vetull gajtan ose një dekolte bujare nga natyra.

Por  nëse jeta do të maskohet kaq shpesh me psiko-extension, sa gjasa ka që kur qerpiku e floku të thahet nga koha, të rrethohemi nga femra të palumtura dyfish, deri në personalitete dypolarë?

Nëse mbetemi me gojë hapur ende përpara filmave të dikurshëm, e ka vërtetë një arsye. Sepse Raimonda Bulku mbetet ajo, unikja. Margarita Xhepa nuk ngatërrohet dot me asnjë portret tjetër.

Atëherë pse shpenzohen mend e para, që shpesh as që i kanë, për t’u bërë njësoj me këdo që kanë pranë ose përballë?

Ndoshta për një përgjigje duhet një psiko-extension, por me flokë origjinalë ama, nga ata që i kalojnë 1000 eurot!

Ndalohet rreptësisht ripublikimi i këtij shkrimi pa një leje të shkruar nga redaksia e Albanian Free Press

Shënim: Qëndrimet e shprehura në shkrimet e rubrikës Opinion, nuk përfaqësojnë domosdoshmërisht një vijë editoriale të Albanian Free Press

Shpërndajeni me miqtë tuaj: