PSE DUHET PRITUR SHTATORI, PËR NDRYSHIME NË QEVERI – OPINION NGA PLATOR NESTURI

PSE DUHET PRITUR SHTATORI, PËR NDRYSHIME NË QEVERI – OPINION NGA PLATOR NESTURI
Nga Plator Nesturi

Ky artikull është shkruar posaçërisht për gazetën “Albanian Free Press”

Analiza e punës gjashtëmujore e institucioneve të ndryshme, duket se ka paraqitur mjaft probleme. Këtë e dëshmoi vetë kryeministri Rama që, në mbledhjen e asamblesë së PS-së, shigjetoi defekte në mjaft sektorë dhe madje kërcënoi se do marrë masa drastike. “Do të ketë kurbane”, - u shpreh ai, dhe në këtë rast nuk do të kursehen edhe ministra. Sidoqoftë, për "peshat e rënda" të qeverisjes, afati për shkarkime shtyhet për në shtator, pasi të ketë mbaruar dhe sezoni i plazhit.

Prej disa javësh, në mbledhjet e grupit të deputetëve, ministrat “sfiluan” arritjet e punës së tyre, të cilat u morën në analizë dhe nga strukturat e PS-së. Realisht, nuk ka patur ndonjë informacion shtesë, nëse grupi parlamentar e ka miratuar punën e kryer dhe në cilët sektorë ka vërejtur se çalojnë. Në këtë aspekt ka patur veç heshtje. Nëse ka patur dalje mediatike për punën e qeverisë, nuk ka patur ndonjë prononcim për institucione të veçanta, por thjesht si punë e gjithë ekipit qeveritar. Dhe, në këtë rast, prej drejtuesve të PS-së, ka veç arritje dhe suksese. I vetmi tregues se, jo gjithçka ka rrjedhur vaj, ishte fjala e kryeministrit në Asamble, ku shigjetoi jo vetëm drejtues institucionesh, por dhe drejtues partie dhe kryetarë bashkish në rrethe. Lidhur më këtë çështje, duket se ka nisur dhe një task forcë partiake ankesëmbledhëse, e cila do të marrë në shqyrtim pakënaqësitë nga qytetarët mbi institucionet. E njëjta skemë mbi bazë pikë avarazhi, që do të behët dhe për çështjen e ri kandidimit të kryetarëve të bashkive, të cilët duhet të përmbushin një formular për të vlerësuar se çfarë kanë si arritje dhe ku kanë dështuar.

Ajo çfarë të bën përshtypje në gjithë këtë fushatë vlerësimi, është gjithmonë zhvendosja në kohë e çdo vendimi që do të ndërmarrë Rama, kur bëhet fjalë për shkarkime ose ndryshime në qeveri. Në historinë 28-vjeçare të pluralizmit, mund të thuhet se, qeveritë Rama janë ato që kanë patur më pak ndryshime në përbërje, dhe disa nga ministrat e tij kanë thyer çdo rekord në jetëgjatësinë e tyre në krye të dikastereve të veçanta. Vështirë të mendohet se, kjo vjen si rezultat i shkëlqimit në punë dhe arritjeve të veçanta që kanë kryer. Më së tepërmi, duket si një përtesë e vetë Ramës, për t’iu futur andrallave të shkarkimeve e për t’u përballur me balancat brenda PS-së dhe raportet e reja që krijon çdo ndryshim. Dhe nuk është hera e parë që Rama ka kërcënuar me ndryshime në qeveri. Edhe në mandatin e kaluar e ka shprehur këtë, porse ndryshimet e vetme që bëri, ishin vetëm ato të kushtëzuara nga marrëveshja e çadrës më Bashën dhe lëvizja e imponuar  me Tahirin. Ndaj, shtyrja në kohë drejt shtatorit për zëvendësimin e kujt nuk ka kryer punën, mund të merren sërish me rezervë. Pasi, nëse është zbuluar që tani diagnoza, përse duhet pritur deri në shtator për të kryer operacionin.

Ndërkohë, ka patur veç disa shkarkime drejtorësh provincial e të rangut të tretë, që gjithsesi janë shumë pak për të mbështetur tezën se ndërhyrjet për rregullimin e defekteve, kanë nisur të japin rezultate. Në vend të kësaj, më së shumti frika, është zhvendosur tek administrata, porse nuk dihet nëse kjo ka sjellë rritje të efektivitetit. Ndjesia e alarmit ka përfshirë jo vetëm specialistët e thjeshtë, por ngrihet deri lart te drejtorët, madje edhe te ministrat. Çështja është, nëse vërtet do të ketë një angazhim për të ndrequr apo edhe kjo është një fushatë nga të zakonshmet, që do të fashitet me kalimin e kohës?

Në kushtet e sotme, kur kemi një situatë të ndezur me opozitën dhe protestat, do të dukej si një tërheqje dhe tregues frike, çdo ndryshim. Pasi mund të interpretohej si tërheqje nga presioni i opozitarizmit. Por është dhe e vetmja rrugë për të treguar se shumica ka fuqinë për tu vetëpërmirësuar. Gjatë qeverisjes pesëvjeçare të Ramës, kemi shumë shembuj se kanë mbretëruar për aq kohë sa ka PS-ja në pushtet, edhe shumë drejtues qendrorë e të nivelit të dytë. Jo se kanë shkëlqyer, por thjesht kanë mbijetuar si gjysmë të harruar, gjysmë të politizuar e ngrefosur në pseudoprofesionalizëm. Nëse ende nuk ka mbërritur në veshët e kryeministrit mesazhi se, kjo eskortë është varrmihëse e shtetit e që mund të bëhet edhe e tij, atëherë një fushatë se do të bëhen ndryshime thjesht për demagogji, do të ulë më tej besueshmërinë se këtu do bëhet ndonjëherë shtet.

Me deklaratën e tij se do të ketë ndryshime, Rama krijoi vëmendje. Vëmendje se edhe mund të ndryshohet diçka. Pritshmëria e opinionit publik është që, gjërat të ndryshojnë në funksionimin e administratës publike, ndaj dhe po përcillet me vëmendje mënyra sesi do bëhen zëvendësimet. Nëse administrata në një pjesë të saj, ishte e paaftë dhe e politizuar, atëherë zëvendësimet nuk duhet të jenë thjesht në rend të kundërt: të politizuar dhe të paaftë. E për këtë, nuk ka pse pritet shtatori.

Ndalohet rreptësisht ripublikimi i këtij shkrimi pa një leje të shkruar nga redaksia e Albanian Free Press

Shënim: Qëndrimet e shprehura në shkrimet e rubrikës Opinion, nuk përfaqësojnë domosdoshmërisht një vijë editoriale të Albanian Free Press

Shpërndajeni me miqtë tuaj: