PROVIMI NË SOFJE DHE SITUATA E NDEZUR NË TIRANË – FAKTI I DITËS NGA PLATOR NESTURI

PROVIMI NË SOFJE DHE SITUATA E NDEZUR NË TIRANË – FAKTI I DITËS NGA PLATOR NESTURI
Nga Plator Nesturi

Ky artikull është shkruar posaçërisht për gazetën “Albanian Free Press”

Në Sofje, janë mbledhur sot 30 krerë shtetesh, në një samit të BE-së që parashikohet të vendosë piketa të reja, në kushtet me të cilat ballafaqohet bota e sotme. Natyrisht, ne na intereson pjesa që do të diskutohet mbi çështjet e zgjerimit të BE-së, pasi kështu do të përcaktohet dhe vendimi i ardhshëm, nëse do të çelen negociatat për anëtarësimin në Unionin Europian. Kjo është edhe arsyeja që Rama, por dhe Basha ndodhen në kryeqytetin bullgar, për të influencuar për një vendim pozitiv për Shqipërinë që, së bashku me Maqedoninë, ka ende një mur skepticizmi nga vende të ndryshme, për të ecur më tej.

Sidoqoftë, Europa e sotme po përballet me kriza të tjera, të cilat duket se do t’i marrin më shumë energji dhe vëmendje. Në fjalën e Tuskut, duket se vëmendja më e madhe është për të krijuar një kohezion midis vendeve europiane, jo vetëm për çështjet kryesore të jashtme e rreziqet mbi to, - duke nisur që nga Lindja e Mesme, Rusia dhe deri tek Kina. Sipas tij, një problem i ri është dhe mbrojtja e interesave të ekonomisë europiane, pas taksave të reja të SHBA-së mbi importet e çelikut dhe aluminit, por që nuk përmbyllet me kaq. Ai e quajti politikën e re të presidentit Trump si "tekanjoze", duke kritikuar tërheqjen e tij nga marrëveshja e armëve bërthamore me Iranin, si dhe politikat mbi Lindjen e Mesme. Në këtë aspekt, vëmendja më e madhe e këtij samiti të nivelit të lartë, do të fokusohet më së shumti, jo te çështjet e zgjerimit të BE-së, por qëndrimet që do të përcillen mbi çështje të sigurisë globale. Jo pa rëndësi, do të jenë dhe qëndrimet e vendeve të veçanta, të cilat vetë Brukseli i ka anatemuar se kanë rrëshqitur drejt politikave populiste. Dhe nëse si shabllon për këtë çështje ishte, deri më tani, Hungaria me kryeministrin Urban, tashmë në skenë ka dalë dhe një shtet tjetër i rëndësishëm si Italia, e cila duket se do të drejtohet nga dy forca populiste, si 5 Yjet dhe Lega, që janë shprehur mjaft kritike në raport me politikat që ndjek Brukseli.

Në këtë klimë antagonizmi - ku vetë vende të veçanta do të duhet të vendosin në balanca të reja raportet, si me Brukselin dhe me aleatin e madh SHBA - shqetësimi ynë për të arritur hapjen e negociatave, duket shumë minor. Sidoqoftë, për ne është shumë, pasi ikja e këtij treni do e vononte shumë, jo vetëm procesin, por dhe shpresat se nën një tutelë më te drejtpërdrejtë të Brukselit, reformat dhe proceset e demokratizimit do të ishin më të efektshme. Por si paraqitet Shqipëria në panelin e Samitit?

Rekomandimi i Komisionit Europian ishte pozitiv dhe ky ishte një sukses. Gjithsesi, mesazhet nga kancelaritë në kryeqytete të ndryshme, kanë shprehur hezitim. Vizitat e kryeministrit Rama në Berlin dhe Paris nuk e kanë davaritur dot ende hijen e dyshimit se, reformat janë funksionale dhe se detyrat që kanë mbetur ende të parealizuara, mund të përmbyllen me sukses gjatë procesit të negociatave. Termi demokraci hibride që u shfaq në disa raporte, si dhe shqetësimi për nivelin e lartë të korrupsionit, të krimit të organizuar dhe të pandëshkueshmërisë së tyre, krijojnë një klimë mosbesimi. Ndërkohë, vetë situata politike në Shqipëri, duket sikur kërkon të ilustrojë këtë mosbesim. Në asnjë rast nuk ka patur një përpjekje serioze për të unifikuar qëndrimet e palëve politike në shërbim të procesit të integrimit. Përkundrazi, secila palë ka akuzuar tjetrën se po bëhet pengesë, dhe se fatura në rast se nuk e kalojmë provimin e hapjes së negociatave, do të jetë e krahut tjetër. Për të ardhur keq, pasi, në fakt, faturën do ta paguajnë qytetarët shqiptarë dhe jo politika.

Fakti që Rama dhe Basha po shkojnë drejt Sofjes të ndarë, si t’u përkasin dy delegacioneve të ndryshme dhe jo bashkë për të arritur në të njëjtin rezultat, paraqitet si një element negativ për të shpresuar më të mirën. Pas tyre në Tiranë, kanë lënë një gjendje të ndezur dhe pas akuzave ndaj ministrit të Brendshëm, Xhafaj, çka në sytë e europianëve natyrisht që nuk ndikon mirë. Gjithsesi, ajo çka vlen nuk është vetëm ajo çfarë duhet t’u tregojmë ndërkombëtarëve, por fakti që ta bëjmë demokracinë funksionale, institucionet të besueshme, që operojnë në emër të ligjit. A po e japim këtë imazh - kur edhe nëse politika zihet e debaton, institucionet vijojnë punën e tyre të pandikuar e në emër të ligjit? Për fat të keq, jo! Përderisa, vetë politika i ka shndërruar institucionet si pjesë të debatit, çka jep imazhin se, këtu asgjë nuk funksionon!

Ndalohet rreptësisht ripublikimi i këtij shkrimi pa një leje të shkruar nga redaksia e Albanian Free Press

Shënim: Qëndrimet e shprehura në shkrimet e rubrikës Opinion, nuk përfaqësojnë domosdoshmërisht një vijë editoriale të Albanian Free Press

 

Shpërndajeni me miqtë tuaj: