PROTESTA PËR JETËN E FSHEHTË – KOMENT NGA FRROK ÇUPI

PROTESTA PËR JETËN E FSHEHTË – KOMENT NGA FRROK ÇUPI
Nga Frrok Çupi

Ky artikull është shkruar posaçërisht për gazetën “Albanian Free Press”

Pyetja më e thjeshtë që do të bëhej nga unë, nëse do të shkoja në protestë, do të ishte: “A ka gjë për jetën time në këtë protestë?”. Pastaj mund të shkoja edhe më larg: “Po jeta juaj, të dashur protestues, ku është?”. Ose edhe më tej: “Po jeta që duket në dritën e diellit, ku është?”...

Se jeta e fshehtë ja ku është, në ballë të protestës...

Njeriu bën pyetje para se të bëjë çdo gjë në këtë jetë. Po kur niset që nga Kelmendi ose nga Opari, për të ardhur në Tiranë, a nuk bën pyetje? Ta zëmë se ata që vijnë në protestë në Tiranë janë qorrollepsur nga gëzimi politik; po të tjerët në familje e në shoqëri, a nuk bëjnë një pyetje? Përshembull, teksa burri po vishet me rrobat më të mira të protestës, tek po shijon mëngjesin e ofruar nga zonja, teksa falet me portën e shtëpisë se nuk i dihet “vjen me fitore apo me turp”?, gruaja e këtij njeriu, a nuk i bën një pyetje: “Ore burrë, po pse po shkon në Tiranë për protestë?”.

Ky mund t’i thotë se “dikush, më duket gazetar, ka përgjuar njërin kur po fliste për drogë dhe po shkojmë për videon”. Gruaja do ta kishte rrahur atë burrë merhum, që po shkon në Tiranë pse dikush ka përgjuar dikë. Po sa njerëz në fshat përgjojnë prapa mullarit kur kalojnë gra të bukura, ose kur zihen çiftet në shtëpi? Por askush nuk doli në pazar dhe të thërrasë për protestë. Sikur të ndodhte kështu, vallë kush do të protestonte?

Por gruaja nuk pyeti, po edhe po të pyesë do të marrë përgjigje se “protestojmë kundër kryeministrit që mbolli krim e drogë”, siç i ka këshilluar partia.

Gruaja e fëmijët dhe gjithë njerëzit duhet të bëjnë pyetje: “A mund t’i mbjellim tokat tona këtë vit, se pranvera po shkon e ne nuk dimë çfarë bëhet me tokat?”.

Mbi të gjitha, duhet bërë pyetja “çfarë po bëjmë?”.

Kësaj here, pyetja del edhe më shumë sheshit, sepse sipas partisë, të shtunën do të vijnë në Tiranë 500 mijë protestues, gati gjysma e popullit shqiptar për të protestuar... Pse? Në gjithë skenarin e protestës qëndron jo realiteti i hapur, por jeta e fshehtë e dikujt. 500 mijë protestojnë të shtunën, sepse dy njerëz, vetëm dy, kanë krijuar një teatër për të fshehur më shumë realitetin dhe nxjerrin një video. Edhe në vitin 2011, në një demonstratë si kjo, u vranë katër burra; edhe atëherë për një video, por ajo kishte autorë të paktën.

Çfarë është kjo marrëzi kështu?

Partia që thërret protestën i gërmushet partisë që mban pushtetin, por në fakt, me një mënyrë që i ofron dashuri. Madje thotë se “do të rrëzojmë qeverinë”, edhe pse ka thirrur 500 mijë për të ngritur lart qeverinë. Dhe thonë “ta rrëzojmë”.  Qeveria nuk ka pse rrëzohet për “jetën e fshehtë”. Po të ishte puna për jetën e dukshme, jetën e çdo ore të popullit, atëherë qeveria duhej ndryshuar në pesë minuta. Por kur opozita deklaron se ka një përgjim për vëllain e ministrit si trafikant droge dhe prandaj protestojmë kundër qeverisë, kjo pikëpamje e saj e bën qeverinë tonë si më të mirën në Europë. Edhe sikur në Danimarkë ose Norvegji të ishim, nuk do të kishim qeveri më të mirë. A ka mbetur puna vetëm te një përgjim i vëllait të ministrit? A janë të gjitha të tjerat zgjidhur e kryer në mënyrë perfekte, sa nuk ka nevojë për kundërshtim? Atëherë qenkemi Norvegji, ose Amerikë...

Kështu e vë në panteon opozita qeverinë. Prandaj rrëmon jetën e fshehtë, për të mbuluar jetën e hapur.

Jeta e hapur, për të cilën duhen rrëzuar e ngritur dhjetë qeveri në vit, është para syve tanë:

A kemi ekonomi aq të qëndrueshme, sa të mos kemi frikë se po biem në situatë urie? Mbi 400 mijë familje jetojnë me më pak se 2 dollarë në ditë. Numri i këtyre familjeve po rritet dhe mund të shkojë në katastrofë. Qeveria nuk ka siguruar as investime, as projekte, as programe sesi shëndetësohet ekonomia. Shqipëria, njësoj si në epokën e diktaturës, vazhdon të mbetet vendi më i varfër në Europë.

Kjo është jeta e hapur e ditës dhe e vitit. Pse u dashka gërmuar natën nëpër skuta, që të zbulohet jeta e fshehtë e dikujt? Kemi punë me punët e mëdha, kur të jemi Holandë, atëherë ia rregullojmë qejfin ministrit që ka vëlla. Ministrat e PD-së nuk do të kenë vëllezër, ja u zgjidh.

A kemi orientim normal të shtetit, apo po rrënohemi nëpër rrëpira të historive të kapërcyera me shekuj? Në sajë të qeverisë, orientimi i Shqipërisë ka marrë drejtim të mbrapshtë. Aq sa ishte drejt Perëndimit dhe Amerikës, aq shumë po i bëhet karshillëk orientimit tonë historik dhe grandioz. Nëse Shqipëria po bëhet e neveritshme për kancelaritë e Perëndimit, ky është faji i politikës dhe qeverisë. A ka nevojë kjo situatë për përgjime me video, apo duket sheshit?

A kemi nevojë që të dimë çfarë bëhet me pasurinë publike? Ka mijëra dëshmi ekspertësh ndërkombëtarë që thonë se po shpërdorohen fondet e publikut. Kjo është jetë e hapur, që opozita ia fsheh protestës...

Opozita, në protestë, me një video spiunllëku do të fshehë tërmetin e pronave të shqiptarëve që ndodhen në një gjendje katastrofale mafiozësh, grabitqarësh, manipulatorësh dhe pronarësh të rrënuar nga “demokracia”. Nuk ka pikë nevoje për një spiun që të shihet kjo rrënojë.

Protesta do të fshehë jetën reale. Tragjedia politike që po i ndodh vendit ka për autor të parë opozitën, pastaj qeverinë. Opozita ka bërë thirrje për protestë në errësirë, aty nuk mund të shihet asgjë. Madje as ka folur, veçse ka thënë “është një video, do ta rrëzojmë atë mafiozin”. Por asgjë tjetër.

... Ai burri që u nis nga Opari, me këmishë të larë nga gruaja tamam për protestë, do të kthehet e kur të kthehet, në shtëpi mund t’i gjejë fëmijët në gjumë dhe gruan që do t’i thotë se “nuk kishin gjë për darkë’’. Por i zoti i shtëpisë do të ketë gjetur një qepë dhe do ta ngulë në kripë: “Hë ç’i bëmë! Ia plasëm mu në fytyrë atë spiunimin për të vëllanë...”.

Ndalohet rreptësisht ripublikimi i këtij shkrimi pa një leje të shkruar nga redaksia e Albanian Free Press

Shënim: Qëndrimet e shprehura në shkrimet e rubrikës Opinion, nuk përfaqësojnë domosdoshmërisht një vijë editoriale të Albanian Free Press

Shpërndajeni me miqtë tuaj: