PROTESTA NUK MBËRRITI NË VESHËT E SHUMICËS – FAKTI I DITËS NGA PLATOR NESTURI

Publicitet
Publicitet
PROTESTA NUK MBËRRITI NË VESHËT E SHUMICËS – FAKTI I DITËS NGA PLATOR NESTURI
Nga Plator Nesturi

Ky artikull është shkruar posaçërisht për gazetën “Albanian Free Press”

Protesta e organizuar të shtunën nga opozita u diskutua në shumë anë. Për pjesëmarrjen që mendohej se do të ishte shumë më e madhe; për mesazhet ku më kuptim patën instalacionet e të rinjve, sesa fjalimet me Babalen; për kohën e reduktuar në të cilën e zhvillua, kur mendohej se protesta do të ishte disa-ditore madje, e kështu me radhë. Në fund, çështja që mori më tepër vëmendje ishte nëse protesta quhej e dhunshme, apo jo. Bilanci me 11 policë të plagosur dhe 3 protestues të dëmtuar tregon se ku ka shtyrje e gurë që vërtiten, bëhen dhe dëme. Sidoqoftë, edhe kjo çështje nuk përbën thelbin e asaj çka do mbahet mend si protestë.

Ajo çfarë është e dukshme, vërehet se protesta nuk arriti të shkojë deri në veshët e shumicës. Pra, nëse po protestohej kundër trafikut, lidhjes së politikës me krimin dhe abuzivizmit, opozita jo vetëm nuk arriti të bindë në masë shtresat qytetare se ajo do jetë një gardian i ligjit dhe e interesit qytetar, por nuk arriti as të krijojë presionin e duhur ndaj shumicës, për ta imponuar me gjuhën e forcës së protestës. Ndaj menjëherë pas mitingut, kryeministri Rama, jo vetëm që nuk shfaqi ndonjë shqetësim se ç’po ndodhte para zyrave të qeverisë së tij, por dhe qesëndisi Lulin se nuk e mbështet kush, madje as një pjesë e demokratëve që nuk shkuan në protestë dhe që ai i falënderonte. Mesazhi I protestës nuk kishte mbërritur aspak në veshët e Ramës. Çka në vetvete ndodh, ose pse opozita është aq e dobët sa të mos i shkojë dot zëri lart, ose kjo nuk është forma e duhur. Pasi protesta në Kukës, megjithëse me shumë më pak njerëz, arriti ta përçonte mesazhin e saj.

Gjithsesi, atje ku vërtet duhet të shkonte si mesazh, pra në shtresat qytetare, dëshmoi se nuk ngjall besim. Nuk ka besim as te kjo opozitë që mbetet model i të njëjtit klasicizëm partiak shqiptar, ku fryma demokratike nuk arrin të fryjë dhe ku funksioni parësor mbetet pushteti i kryetarit e kastës pranë tij.

Fryma e pakënaqësisë nuk është e pakët në një vend si Shqipëria ku tranzicioni nuk ka fund dhe ku padrejtësitë nga gjykatat, korrupsioni dhe abuzivizmi me pushtetin, kanë krijuar hendeqe të thella dhe pabarazi të theksuar sociale. Të gjitha këto rrëkeza të vogla protestash mund të shndërroheshin në një lumë të madh proteste, porse kjo nuk ka ndodhur, përderisa dhe opozita ka mbetur  një ngrehinë gjysmë e rrënuar. Është rrëzuar besimi, kur në podium ngrihen folës që tundin të njëjtët flamuj politikë, të cilët në 28 vite u kanë shpërdoruar votën dhe shpresat njerëzve të thjeshtë. Dhe kjo ndodh ndërsa vetë Evropa, me më pak probleme se ne, ndodhet në një valë të ethshme ndryshimi elitash.

Fryma e re evropiane, si lëvizje qytetare që kërkon ndryshime thelbësore, po shtrihet në të gjithë Evropën. Si një kundërvënie ndaj kastave politike dhe ekonomike e që shpesh janë të ndërthurura, si pakënaqësi për lehtësinë sesi u kanë hedhur barrën e krizës në shpinë qytetarëve dhe së fundmi, si ngritje krye prej fyerjes nga arroganca e demagogjisë mbi reformat, por që askush nuk i ndjen. Në këtë furtunë që sa vjen e forcohet, nuk kursehen as ata liderë që deri pak kohë më parë ishin parë si shpresa e ndryshimit, e efikasitetit të qeverisjes dhe e rritjes ekonomike. Renzi ishte viktima më e freskët.

Ndryshimet në Evropë, gjithmonë në Shqipëri kanë ardhur si një valë e vonuar. Por përherë kanë mbërritur në brigjet tona. Edhe këtu qytetari ndihet i harruar, i lodhur nga çdo prurje politike që i ka premtuar së pari ndryshim, shtet ligjor e bum ekonomik. I është vrarë shpresa, ndaj synon të ikë diku jashtë, sepse sheh që atje në Evropë, edhe kur punët shkojnë keq, vetë qytetarët imponojnë ndryshim pushtetarësh, që u kanë dalë fjale. Të pafuqishëm ndaj pushtetarëve që kanë shumëfish zullume ndaj të metave të homologëve evropianë, tashmë kanë zgjedhur të ikin nga sytë këmbët. Por jo të gjithë do të mundin. Ndaj vjen një ditë që, dikush duhet të lirojë skenën. Ose populli të gjejë një atdhe tjetër, ose kjo kastë e ardhur në emër të ndryshimit të largohet. Një popull që po vuan në zgrip të mbijetesës nuk mund të ngopet me idenë se zgjidhja e problemeve dhe ndryshimi i madh do të arrihet vetëm me shembjen e kalasë së krisur të drejtësisë.

Ndalohet rreptësisht ripublikimi i këtij shkrimi pa një leje të shkruar nga redaksia e Albanian Free Press

Shënim: Qëndrimet e shprehura në shkrimet e rubrikës Opinion, nuk përfaqësojnë domosdoshmërisht një vijë editoriale të Albanian Free Press

Shpërndajeni me miqtë tuaj: