PROTESTA DHE SKENARËT E KRIZËS – FAKTI I DITËS NGA PLATOR NESTURI

Publicitet
Publicitet
PROTESTA DHE SKENARËT E KRIZËS – FAKTI I DITËS NGA PLATOR NESTURI
Nga Plator Nesturi

Ky artikull është shkruar posaçërisht për gazetën “Albanian Free Press”

Skema në Parlament vijon të jetë e njëjtë prej tre javësh. Seancat nuk janë parlamentare, diskutimet janë thjesht thirrje për çlirim si në ndonjë tokë të pushtuar, debatet janë sherre dhe ligjet kalojnë pa u marr vesh çfarë është votuar. Dita e djeshme kishte diçka më shumë, sidoqoftë, thirrjen për protestën e së shtunës ku, kësaj radhe, janë të ftuar edhe socialistët. Një gjë të paktën është e sigurt, kriza politike po hyn në një fazë të re. Nuk përjashtohen edhe përplasjet. PD-ja ka kërkuar një leje pa afat për zhvillimin e protestës dhe kjo është një shenjë se skenari i saj nuk do të përmbyllet me një demonstrim njerëzish në shesh. Shenjat janë për vijimësi, duke filluar që nga mënyra e njohur e çadrës ose diçka tjetër. Në këto kushte, kur kriza po shpaloset drejt të panjohurave, është e kuptueshme se, veprimet priten të jenë jo vetëm nga ana e opozitës e cila po angazhohet në protestë. Veprime priten dhe nga kryeministri Rama. Çfarë surprizash do të kemi? Përballë janë dy rrugë: Ose të luajë fort, duke mos i lejuar asnjë centimetër terren opozitës në kërkesat e saj, ose të lëshojë diçka. Në rastin e parë, kjo ose do ta mposhtë kundërshtarin, por ka edhe rrezikun e përshkallëzimit. Dhe përshkallëzimi në të gjitha rastet, në sytë e ndërkombëtarëve ka dy fajtorë. Pavarësisht se faji mund të rëndojë më shumë për njërën anë. Lëshimi mund të zbusë situatën dhe, në këtë rast, mund të përbëjë ndryshime në kabinet. Jo thjesht për rastin Xhafaj, por ndoshta dhe më gjerë. Ndryshimet në kabinetin qeveritar mund të jenë një rrugëdalje. Në fakt, vetë Rama është shprehur se nuk është i kënaqur nga mbarëvajtja e një pjese prej tyre dhe mendon se ndryshimet mund t’i bëjë në shtator. Po kështu, edhe në opinionin publik ka shenja; perceptimi është se ka një ngërç në qeverisje. Pra, çështja është se, kur do të bëhen këto ndryshime, e lidhur kjo dhe me situatën e krizës aktuale.

Nëse si shkak do të mendohej se rifreskimi i ekipit do të bëhet në shtator ose në prag të zgjedhjeve lokale - siç ishte programuar nga kryeministri - ky mund të ishte një veprim i vonuar. Ndonëse qeveria e re nuk e ka bërë vitin në detyrë, kryeministrit Rama i është sugjeruar të zëvendësojë një pjesë të ekipit ministror, për t’i dhënë një dinamikë të re qeverisjes së majtë, por dhe si reflektim për kritika të shumta në sektorë të veçantë. Pas analizës së punës gjashtëmujore të ministrave, për herë të parë, Rama nuk i mbrojti me të njëjtin patos si dikur vartësit e vet, ndaj është vështirë të mendosh se, ndryshimet e pritshme janë një reflektim i vonuar.

Padyshim, shqetësimi kryesor i kryeministrit sot, është çështja e hapjes së negociatave me BE-në dhe çadra e re që mund të vendoset përballë zyrës së tij, mund t’i komplikojë më tepër gjërat. Para një viti, çadra e opozitës fillimisht u shpërfill, por ajo mbeti aty për dy muaj, si dëshmi se vendi është në një krizë politike. Pavarësisht se opozita ka qenë e dobët, pavarësisht se sondazhet e nxjerrin humbëse në zgjedhje, ajo çadër është shumë më tepër se një bojkot parlamentar dhe mbetet si pikë takimi e gatshme për tu mbushur nga çdo hap fals të qeverisë ose nga ndonjë skandal i papritur, që mund të irritojë qytetarët e t’i drejtojë drejt sheshit. Në këtë logjikë, sakrifikimi i ndonjë ministri do të quhej dhuratë paraprake për të dhënë besim për bisedime. Por loja ka edhe të tjerë aktorë.

Pavarësisht qëllimit për të zbutur situatën e tensionuar shumicë–pakicë, lëshimi i ministrave në detyrë dhe marrja e detyrës për të emëruarit e rinj, mund të hapë spirale të reja zhvillimesh dhe të paparashikuara. Deri tani, kreu i PD-së Basha, është shprehur për qeveri teknike, për të përgatitur infrastrukturën e re zgjedhore.  Deri tani, LSI-ja është ende e paqartë, pavarësisht gjuhës së ashpër që mbajnë drejtues të saj.  Ndoshta edhe për një fakt tjetër, pasi në momente krize në lojë mund të fytet me më tepër peshë, Presidenti i vendit. Jo më kot, disa ditë më parë, Rama e lajkatoi Ilir Metën se është presidenti më i mirë që ka patur vendi. A do t’ia rikthejë vlerësimin Meta, me të njëjtën ngrohtësi Ramës? Kjo nuk dihet, por fakti që duket është se kriza politike po hyn në një spirale të re të rrezikshme. Shenjat nuk duken të mira. Nuk duken as rrugët se si mund të zgjidhet. Në kohën që flasim, zgjidhja është larg. Së pari, duket se palët do të përplasin sërish brirët.

Ndalohet rreptësisht ripublikimi i këtij shkrimi pa një leje të shkruar nga redaksia e Albanian Free Press

Shënim: Qëndrimet e shprehura në shkrimet e rubrikës Opinion, nuk përfaqësojnë domosdoshmërisht një vijë editoriale të Albanian Free Press

 

Shpërndajeni me miqtë tuaj: