PRITSHMËRIA E PROTESTËS SË PD –ANALIZË NGA ROLAND QAFOKU

PRITSHMËRIA E PROTESTËS SË PD –ANALIZË NGA ROLAND QAFOKU
Nga Roland Qafoku

Ky artikull është shkruar posaçërisht për gazetën “Albanian Free Press”

Vera e re në fuçinë e vjetër

Partia Demokratike ka lajmëruar se, të shtunën më 26 maj, do të mbajë një protestë nga më të mëdhatë që ka organizuar deri më sot. Përtej datës ters për historinë e PD-së - sepse të kujton zgjedhjet parlamentare më të turpshme në këto 27 vjet - por edhe klishesë së përhershme se “pritet të jetë protesta më e madhe”, ka një pritshmëri të madhe për këtë protestë. Në fakt, më parë se të rendisim atë që opinioni pret, vlen të theksohet se lidhur me videopërgjimin, Partia Demokratike tashmë ka arritur një fitore që nuk duhet t’i mohohet nga askush: Falë publikimit të videopërgjimit, ministri i Brendshëm, Fatmir Xhafaj, dërgoi të vëllanë në Itali dhe, prej një jave, ai ndodhet në një burg të Romës. Kjo do të thotë që, PD-ja ka arritur një fitore të padiskutueshme. Vetëm falë denoncimit të saj u bë i mundur ky dorëzim, sepse - nëse nuk do ishte kështu - Agron Xhafaj do të vazhdonte jetën i qetë në Vlorë, për më tepër që nuk kishte asnjë kërkesë për ekstradim. Por duket qartë se, për Partinë Demokratike dorëzimi i të vëllait është një gjë dhe dorëzimi - domethënë largimi nga detyra i ministrit të Brendshëm, Fatmir Xhafaj - një gjë tjetër. Atëherë, çfarë pritet nga protesta e së shtunës nga Partia Demokratike dhe gjithë opozita, por edhe nga qytetarët e thjeshtë që, PD-ja - në formë propagandistike - i quan iniciatorë? Në fakt, opozita ka 101 arsye të protestojë ndaj qeverisë, mjafton të përmendim raportet ndërkombëtare. Sipas tyre, ekonomia është në nivele të ulëta, klima e biznesit aspak e favorshme, taksat janë të larta, korrupsioni galopant dhe pandëshkueshmëria është aty ku e kanë lënë të gjitha qeveritë paraardhëse dhe kjo opozitë ka të drejtën e saj legjitime të protestojë. Por çfarë duhet të arrijë opozita ditën e shtunë?

Në radhë të parë, protesta mbahet se kjo opozitë ekziston. Jo vetëm kaq, por ajo dikton që qeveria të vihet të siklet, të reflektojë dhe të ndryshojë kah, falë asaj që do të bëjë dhe do të kërkojë opozita. Besojmë se, fitorja më e madhe e protestës duhet të jetë që, qeveria të bëjë një pastrim të administratës, sidomos atë të niveleve të larta. Të jetë shumë herë më e kujdesshme me ministrat, zëvendësministrat dhe zyrtarët e  saj. Përpara kemi zgjedhjet lokale. Sipas të dhënave ka nisur diskutimi i emrave për kandidatë në 61 bashki. Më e rëndësishmja është që, të gjithë emrat e kandidatëve do të jenë, më saktë po synohet të jenë të pastër, pa lidhje me krimin, me trafikun e drogës, të mos kenë qenë të dënuar më parë, të mos kenë familjarë me probleme me drejtësinë. Kjo nuk është pak për opozitën, sepse është kauzë të cilën ajo e ka nisur prej 5 vjetësh dhe, për hir të vërtetës, ka arritur shumë.

Sa për largimin e ministrit Fatmir Xhafaj, pak e besojmë. Opozita nuk e bëri këtë, as në marsin e vitit të kaluar, kur premtoi se nuk do ta linte të hynte në zyrë. Nuk besojmë se, të shtunën, Xhafaj nuk do jetë më ministër i Brendshëm. Me ose pa protestën. E megjithatë, ky duhet të quhet një aksion jo i pasuksesshëm i opozitës. Dhe të mos harrojmë, po vjen Botërori dhe e gjithë bota do jetë rrotull topit të futbollit dhe jo politikës!

Ndalohet rreptësisht ripublikimi i këtij shkrimi pa një leje të shkruar nga redaksia e Albanian Free Press

Shënim: Qëndrimet e shprehura në shkrimet e rubrikës Opinion, nuk përfaqësojnë domosdoshmërisht një vijë editoriale të Albanian Free Press

Shpërndajeni me miqtë tuaj: