Pranvera Lumani Veizi: I padëshiruar largimi nga spektaklet, gjërat “filluan të bëhen pis” nga politika

Pranvera Lumani Veizi: I padëshiruar largimi nga spektaklet, gjërat “filluan të bëhen pis” nga politika
Intervistë/ Flet aktorja Pranvera Lumani Veizi: Vendimin për t’u larguar për në SHBA, e kemi marrë familjarisht; pamë se në ç’duar “ustallarësh” ranë fatet tona dhe të fëmijëve, rrezikuam për një jete më të mirë dhe s’gabuam

Aktorja dhe prezantuesja e njohur, Pranvera Lumani Veizi, ka lindur në Berat. Ajo na rrëfen se, mësuesja e fillores, Shpresa Haznedari, dhe mësuesja e letërsisë, Elsa Vakeflliu, ishin nxitëset e saj të para për të ecur në rrugën e bukur të artit. Pas përfundimit të Akademisë së Arteve, u caktua aktore në qytetin e lindjes e rrethuar me shumë dashuri nga një kolektiv i shkëlqyer. Aty gjeti Ceken, Ilir Pipirine, Agron Ferron, Uljana Protopapën, Faton, Pavlinën, Meçanin, Shpëtimin, Xhuli Veizin, Ludin, Floreshën, Papin, Foton, Adonisin, Ylli Mestanin e Tom Filipin, Vangjush Poplin e shumë e shumë të tjerë. Lista do të ishte shumë e gjatë, por ata janë të shkruar në kujtesën e saj.

Intervistoi për Albanian Free Press, Albert Zholi

Vite të tëra në Amerikë, ju merr malli për Shqipërinë? Pse e morët këtë vendim kur ishit në kulmin e karrierës?

Atdheu mbetet atdhe, pavarësisht se në emigracion mund të jetosh më mirë. Edhe pse Amerika mbetet vendi ëndërr i çdo njeriu për demokracinë reale dhe mundësitë e shumta për punësim, sërish malli për atdheun nuk shuhet, përkundrazi, pasi aty janë kujtimet e vegjëlisë. Vendimin për t’u larguar për në Amerikë, e morëm familjarisht bashkë me bashkëshortin Valin, duke parë se në ç’duar “ustallarësh” ranë fatet tona dhe të fëmijëve, rrezikuam për “better life” një jete më të mirë dhe s’gabuam. Është vendimi më i mirë që kemi marrë në jetën tonë. Marrja e vizës është një nga ditët e mia më të lumtura, pasi do të bashkohesha me Valin që më priste në Amerikë.

Ju thatë që kujtimet e vegjëlisë nuk harrohen, madje në emigracion kujtohen më shumë; si vijnë këto kujtime që lidhen dhe me rrugën tuaj të artit? Si u hapën këto rrugë arti, me çfarë gjinie fillojnë, recitime, apo interpretime? Cili nga emisionet e TVSH-së dhe drejtueset e tyre, ju bënte të qëndronit ngjitur me ekranin?

Kujtimet netëve të vona në emigracion të vijnë të freskëta, sikur të kenë ndodhur sot. Qysh në bankat e fillores kam recituar vjershat e para të abetares, ose ndonjë vjershë për “partinë”. Mbaj mend mësuesen Shpresa Haznedari, person me zë dhe shpirt të butë. Si sot më kujtohet, sa bukur lexonte, tregonte e recitonte, si një aktore e vërtetë. Ashtu si mësuesja e klasës së parë, edhe në vitet e mëvonshme, mësuesja ime e letërsisë Elsa Vakeflliu të mrekullonte kur recitonte vjershat e rilindësve, sa bukur fliste për klasikët e famshëm! Nuk e di, por direkt ose indirekt, këto mësuese nxitën tek unë fantazinë e aktrimit. Gjithashtu dua të theksoj se, në fëmijërinë time i vetmi argëtim, ka qenë TVSH-ja, mezi prisja kur fillonte emisioni i përrallave, emisioni i fëmijëve, humbisja pas tregimeve të Pavlina Manit ose Vera Zhejit. Veç tyre, ndiqja çdo film të TVSH-së, të cilët jo i ndiqnim por i përjetonim, flisnim gjithë ditën rreth tyre dhe prisnim me padurim të kalonte java dhe të shikonim serinë tjetër: Davidi te David Copperfield,, Bice te Marko Viskonti, Dick Sheltoni (Shigjeta e Zezë) Verdi te Xhuzepe Verdi, e sa e sa të tjerë na ishin bërë si pjesëtarë të familjes. Jo vetëm që i diskutonim me pasion të nesërmen, por dhe i inskenonim me shoqet te shkallët e pallatit. I njëjta dukuri ndodhte edhe me estradat. Ne komunikonim me njëri-tjetrin me batutat e aktorëve në skeçet e tyre. ­Pra, mes këtyre emisioneve, moderatorëve dhe aktorëve, morën jetë ëndrrat e mia. Pasi mbarova shkollën e mesme, dëshira ishte vetëm dhe vetëm të konkurroja për aktrim.

Si vjen në kujtesën tuaj dita e konkursit për aktrim? Kush ishin në juri dhe çfarë emocionesh kishit? Në akademi, a u aktivizuat në pjesë të ndryshme teatrale apo filma? Cili ishte roli i parë?

Ajo ditë nuk më shqitet kurrë nga kujtesa, pasi tashmë isha një vajzë e kompletuar plot ëndrra, por dhe ide në jetë. Doja patjetër të arrija çka kisha ëndërruar për vite të tëra. Konkurrova në verën e vitit 1983, një ditë e bukur ku Tirana më dukej shumë madhështore. Kur u futa për konkurrim, pashë në juri disa personalitete të aktrimit shqiptar, që i njihja shumë mirë. Ata ishin Timo Flloko, Birçe Hasko, Gëzim Kamja dhe Kristofor Xhokaxhiu. Të katërt shumë profesionist dhe serioz në detyrë. Mbaj mend që kam interpretuar poezinë “Legjenda e Tanës”, disa fabula nga Dritëro Agolli, si dhe kam kënduar (sepse duhet të këndoje), kam kënduar këngën popullore “Rrushi i kuq i bukurooo”. Kisha kohë që isha përgatitur. Në fillim kisha emocion para atyre personaliteteve, por me kalimin e kohës doja të realizoja ëndrrën dhe i flaka emocionet. Kur dola isha mbuluar në djersë. Pashë miratim nga ana e tyre kur tundnin kokën, por... Kur pashë emrin në listën e fituesve pasdite, u gëzova pa masë, sa nuk dija si ta shprehja! Në shkollë kam qenë shumë aktive, duke filluar nga punët si studente, në aktivitetet e ndryshme artistike e deri angazhimet në disa filma të “Kinostudios”, si “Nxënësit e klasës sime” “Në prag të jetës” etj. Kam pasur fatin të edukohem artistikisht, nga një plejadë pedagogësh (aktorë), jo vetëm të talentuar, por të dedikuar në misionin e tyre mësimdhënës. Më lejo të përmend: Agim Qirjaqin, Agim Shuken, Fatos Haxhirajn, Birçe Haskon, etj. Roli im i parë ka qenë në komedinë, “Ëndrra e një nate vere”, e Shekspirit. ­

Akademia mbetet një auditor plot shkëlqim. Pas përfundimit kishit dëshirë të mbeteshit në Tiranë apo ëndrra juaj do të vazhdonte në qytetin e lindjes?

Çdo aktor do të donte që, pas përfundimit të Akademisë, të qëndronte ose të emërohej në Tiranë, pasi kishte hapësira më të mëdha për profesionin. Por të them të drejtën, unë kisha dëshirë të emërohesha në qytetin tim. Doja të jepja diçka në qytetin që më dha mundësinë të bëhesha aktore. Emërimi erdhi për në Estradën e Beratit, që në atë kohë ishte në kulmin e lulëzimit. Ishte një estradë që diskutohej kudo.

Si ju pritën në Estradën e Beratit dhe si fillove bashkëpunimin e ngushtë Ceke-Veizi? Cilat ishin vlerësimet që morët si shpërblim i profesionalizimit në art?

Në Estradën e Beratit u gjenda e rrethuar nga dashuria, nga një kolektiv i shkëlqyer! Aty gjeta Ceken, Ilir Pipirinë, Agron Ferron, Uljana Protopapën, Faton, Pavlinën, Meçanin, Shpëtimin, Xhuli Veizin, Ludin, Floreshën, Papin, Foton, Adonisin, Ylli Mestanin e Tom Filipin, Vangjush Poplin e shumë e shumë të tjerë. Lista do të ishte shumë e gjatë për t’i shkruar, por ata janë të ngulitur në kujtesën time. Në këtë estradë, kam kaluar vitet më të bukura të jetës! Në këtë institucion u formova plotësisht si artiste dhe gjeta mbështetje të gjithanshme. Krijuam shoqëri dhe harmoni të paparë. Rrallë mund të gjesh kolektiv të tillë, plot mirëkuptim dhe dëshirë për të bashkëpunuar në grup. Ndërsa në lidhje me bashkëpunimin me Ceken, do të duhen ditë të flasë, pasi Cekja tashmë kishte bërë emër në gjithë artin shqiptar. Besoj se kemi qenë një duet i bukur me Ceken, kemi pasur materiale të shumta bashkë dhe rolet, janë të shumta që nga grimcat humoristike, dialogë të ndryshme skeçet “Edukatorja dhe Altini” , “Njolla në biografi”, “I çmenduri” e shumë, e shumë të tjera. Sa i takon trofeve, më i miri është ai që më ka dhënë publiku gjatë gjithë karrierës sime. Si trofe zyrtar, do të përmend atë të konkurrimit të estradave në vitin 1994, ku jam vlerësuar nga juria si aktorja më e mirë e vitit. Pra, një bashkëpunim i gjatë dhe role nga më të ndryshmet.

Berati ju formoi, por Tirana ju lartësoi si aktore. Si erdhi ky kalim në Estradën e Tiranës. Çfarë atmosfere gjetët dhe cilat role do veçoje me këtë Estradë?

Kur në Berat arrita çka doja dhe ç’kisha menduar, tashmë rruga ime synonte drejt Tiranës. Kryeqyteti mbetet i tillë, si në sasi të aktiviteteve, por edhe në cilësi të artistëve. Tirana nuk të fal, pasi konkurrenca është e madhe. Ndaj emërimin në Estradën e Tiranës do ta quaj vlerësim dh përgjegjësi artistike. Aty gjeta një kolektiv të mirëfilltë profesional, me një karrierë të pasur artistike. Bëhet fjalë për emra si Vasillaq Vangjeli, Met Bega, Veli Rada, Koço Devole, Vegim Xhani, Xhevair Zeneli, Marjana Kondi, Rita Lati, Agim Bajko, etj. Vajtja ime në këtë kolektiv, jo vetëm që nuk ngjalli xhelozi, por për hir të së vërtetës, e kam ndjerë veten mjaft të mirëpritur nga ky kolektiv. ­Me të vërtetë ishte një trupë tepër profesionale, e mirëorganizuar; mund të them se ishte një Akademi më vete, pasi të gjithë aktorët vinin pas një pune shumëvjeçare dhe ishin të njohur në publik. Në këtë Estradë, rolet ishin të shumta, që po t’i përmend duhet kohë. Por them se këtu rolet ishin të ndryshme në skeçe të shumta e deri te rolet kryesore në komeditë e vëna në skenë nga regjisore si Haxhi Rama, Osman Mula, Sheri Mita, Kiço Londo. ­

Ndoshta ishte pikërisht Estrada e Tiranës që shërbeu si trampolinë, që ju të bëheshit prezantuesja e parë e një lotarie televizive, që transmetohej live çdo të diel. Kush ju afroi në këtë rol? Diçka e re, si e përballuat dhe pse u larguat?

Ndoshta ka shërbyer Estrada, pasi fama tashmë ishte më e madhe. Këtë rol (në mund ta quaj të tillë), ma kanë ofruar regjisorët e parë të kësaj lotarie televizive, Rikard Ljarja e Pali Kuke. Propozimin e prita me shumë dëshirë dhe bashkë me partnerin tim prezantues, Robert Citozi, u bëmë një dyshe mjaft dinjitoze e popullore. ­Ishte emision i ri për ekranet shqiptare. Ishte risi, një tjetër gjini dhe konceptim. Po hynim të artin perëndimor me të gjitha cilësitë e ndryshme. Por çdo përvojë e re ka dhe vështirësitë dhe përballjet. Çdo punë, çdo nismë, çdo komedi o prezantim, ka vështirësitë e veta. Dita më e vështirë ishte dita kur më njoftuan largimin nga ky spektakël, pas një prezantimi prej dy vitesh shumë profesionale dhe dinjitoz. Dikujt i ra ndër mend të më zëvendësojë. Pra, gjërat filluan të bëhen pis... të vijnë erë të keqe… S’jam larguar, por më “zëvendësuan” me njeriun e ri “demokrat”, “socialist” , “PD-ist”, “LSI-st” ose vërja emrin vetë… ­U largova kur isha në kulmin e suksesit. Ishte një largim i padëshiruar, që më la shije të hidhur, por më bëri më të fortë. Tashmë kisha një përvojë të madhe mbi supe, e mund të konkurroja denjësisht në çdo kategori arti.

Si do ta cilësosh aktrimin dhe sa privime ke në jetë?

Aktrimi është profesion i lashtë, i bukur, magjik, magjepsës, që të nxit, të edukon, të përmirëson komunikimin, jetesën, të lidh me publikun, me njeriun, me hallet, problemet, shqetësimet, të rrethon me respekt dhe duartrokitje, të frymëzon, të bën vizionar, por edhe të lodh. Si çdo profesion tjetër, edhe aktrimi kur e zbaton, e vë në jetë me dashuri, me ndjenjë dhe përkushtim, mund të arrish rezultate. Por dua të theksoj se, aktrimi ka angazhime, që vetëm nëse di të racionosh kohën dhe aftësitë, mund të arrish sukses. Më e rëndësishmja është mjeshtëria e balancimit mes jetës private, familjes, punës, pasi arti në vetvete është edhe mënyra se si e jeton jetën. Nga ana tjetër, në aktrim ndikon shumë dhe mendimi kritik, pasi kur kritika është profesionale, reale, jo e shtirë, jo e nxitur, jo me synim “lufte”, ndikon shumë në rezultatin e aktorit. Ana tjetër është puna e regjisorit që ka ndikim të madh. Kur regjisori punon shfaqjen, varet çka kërkon nga personazhi; ai duhet të jetë elastik në punë, i hapur, që personazhi të zbulohet deri në fund. Mandej, mbetet puna e aktorit, mjeshtëria e tij, se si do të zbuloj atë çka kërkon regjisori, në ç’mënyrë do të luaj atë personazh, sa do të zbuloj personazhin. Ëndrra e aktorit mbetet gjithmonë transformimi në raport me rolin.

 

Meditim mbi Pranvera Lumani Veizi nga Piere Simsia, shkrimtar, Berat (sot jeton në SHBA)

Në vitin 1984, u krijua Teatri Profesionist i Beratit, i cili solli risi në jetën qytetare beratase; u nda estrada nga teatri. Aktorë profesionistë të diplomuar në Institutin e Lartë të Arteve në Tiranë, sot Akademia e Arteve të Bukura, e pasuruan trupën e teatrit, për të vënë në skenë me mjeshtëri dhe përgjegjësi të lartë profesionale, jo vetëm vepra të autorëve shqiptarë, por edhe të atyre botërorë. Aktorë të talentuar si: Thoma Rrapi, Ilia Vera, Pranvera Lumani, (që tani quhet Pranvera Veizi bashkëshorte e Valentinit), Shpëtim Dyrmishi, Adonis Filipi, Foto Vongli, Aleksandër Rrapi, Ilir Pipiria, Agron Ferro, Rudolf Kumati, Liri Lushi, Xhuljeta dhe Nikolla Lena, Vangjush Popli, Adrian Cerga, Çimi… nga Tirana, që pas diplomimit ishin emëruar për të punuar në Berat, Iliri nga Gjirokastra.

Pjesa e parë teatrale që u vu në skenë nga trupa e Teatrit Profesionist të Beratit, ishte komedia “Tufan në dovlet” e shkrimtarit Luan Qafëzezi; regjisor, Gëzim Kame dhe asistent regjisor, Adonis Filipi. Në atë kohë, ishte emëruar në Berat, të punonte me premierat edhe regjisori i mirënjohur, Sheri Mita.

Komedia “Tufan në dovlet” pati sukses të paparë, për t’u pasuar më vonë me drama dhe komedi të tjera të suksesshme. Një ndër aktoret më të mira dhe më të pëlqyera për spektatorin, ishte sigurisht Pranvera Limani. Ajo me plastikën e saj, me lëvizjet, të folurin e bukur, me ndërhyrjet, u bë një nga themelet e teatrit të Beratit. Pranvera ishte e qeshur si pranverë, ishte e bukur zi Zanë, ishte plot energji dhe virtyte. Një aktore të tillë e kishin zili dhe teatrot e tjerë nëpër rrethe. Rolet e saj kanë ngelur në mendjen e spektatorit dhe diskutohen edhe sot.

 

Filmat, rolet dhe partnerët

Janë jo pak rolet e Pranvera Veizit në kinematografi. Madje në filma që kanë lënë gjurmë dhe me aktorë me emër. Në rolet kinematografike shqiptare, jam evidentuar në disa filma e role karakteresh, duke filluar nga viti 1985.

Filma:

1985 (Nxënësit e klasës sime) ­

1984 (Në prag të jetës)

1985 (Dasma e çuditshme)

1986 (Kur hapen dyert e jetës)

1986 (Eja)­

1987 (Një vit i gjatë)

1987 (Për pushime në Romë)

1995 (Zemër nëne)

"Partnerët në këto filma kanë qenë duke filluar nga Petrit Malaj, Reshat Arbana, Tinka Kurti, Dhimitër Orgocka, Darling Mamaqi, Ema Ndoja, Pavlina Mani etj. Do të përmendja Dhimitër Orgockën, Marko Bitrakun, Tinka Kurtin, Sotiraq Bratkon, Petrit Malajn, Darling Mamaqin e deri aktorët në filmat komedi, Sejfulla Myftarin, Koço Devole, Agim Bajkon, Met Begën, Vaso Vangjelin etj."

 

Shpërndajeni me miqtë tuaj: