Plani i integrimit, ç’kërkon BE për ekonominë tonë deri në 2020-tën?

Plani i integrimit, ç’kërkon BE për ekonominë tonë deri në 2020-tën?
Hapen apo jo negociatat për anëtarësim gjatë muajit qershor, Bashkimi Europian do të vazhdojë me kërkesat e tij ndaj Shqipërisë, sidomos në aspektin ekonomik. Një gjë e tillë duket qartë në Planin Kombëtar për Integrimin, 2018-2020, tashmë i zyrtarizuar e që shfaq brenda tij të gjitha pretendimet e BE-së për ekonominë shqiptare në këta tre vjet. Duke nisur që nga detyrimi për të ndryshuar ligjin ekzistues Bankës së Shqipërisë, planifikuar kjo për vitin 2019. Apo atë mbi statistikat, duke e bërë sipas standardeve evropiane brenda 2020-tës etj. Para së gjithash, ekspertët e huaj paraqesin të ngutshme këta tre vjet finalizimin e bërjes së ligjeve shqiptare, si ato të Bashkimin Evropian.

“Shqipëria nuk ka vetëm detyrimin për të sjellë teknikisht legjislacionin e saj kombëtar në linjë me atë të BE-së, por, gjithashtu, të sigurojë që implementohet dhe zbatohet siç duhet”, citojnë ata. Për të vijuar më tej edhe me gjëra praktike që pritet të ndryshojnë deri në 2020-tën, siç është për shembull ajo e ligjërimit të së drejtës për të huajt, që të blejnë toka apo prona në Shqipëri.

“Shqipëria është e vonuar në angazhimet për të ndryshuar regjimin për blerjen e pronës nga qytetarët/entitetet e BE-së. Aktualisht, blerja e pasurive të paluajtshme nga të huajt mbetet subjekt i kufizimeve: atyre nuk u lejohet të blejnë tokë bujqësore, pyje, livadhe dhe kullota”, citohet në dokument rreth kësaj. Sikundër, një çështje tjetër që ka rëndësi për BE-në është edhe ajo e pronësisë intelektuale dhe së drejtës së autorit. Rreth saj, BE kërkon që deri mot të jenë ndryshuar ligjet ekzistuese.

“Shqipëria duhet, në veçanti, në fushën e së drejtës së autorit dhe të të drejtave të lidhura me të, të përmirësojë funksionimin e agjencive kolektive të menaxhimit dhe pagesën e honorarëve për mbajtësit e të drejtave”, citon dokumenti. Duke shtuar se duhet bërë shumë punë për numrin e lartë të produkteve të falsifikuara në vend.

 

“Të ndryshojë ligji ekzistues për koncesionet, sidomos ai i PPP-ve”

Një apel që ekspertët e BE-së kanë për palën shqiptare deri në 2020-tën është që të ndryshojnë sa më parë ligjin ekzistues të koncesioneve. Sidomos, ata përmendin këtu edhe të ashtuquajturat PPP, forma koncesionare të Partneritetit Publik-Privat.

“Të harmonizohet legjislacioni i prokurimit dhe koncesioneve me direktivat e BE-së. Kjo veçanërisht lidhur me bonusin prej 10% në rastin e propozimeve të pakërkuara dhe përjashtimit nga fusha e veprimit e ligjit të projekteve të infrastrukturës”, saktësojnë ekspertët evropianë. Duke pohuar sakaq se është bërë tashmë edhe projekti përkatës.

“Projektligji, “Për koordinimin e procedurave për dhënien e kontratave të punëve, kontratave të furnizimit dhe kontratave të shërbimeve nga autoritetet ose subjektet kontraktuese në fushën e mbrojtjes dhe sigurisë” do të miratohet në tremujorin e katërt të vitit 2018”, saktësohet në Planin Kombëtar për Integrimin.

 

Bujqësia edhe ushqimi, porosia: Të ketë siguri

Një vend të veçantë, BE-ja i lë bujqësisë shqiptare dhe ushqimit, ku për këtë të fundit kërkon me çdo kusht rritjen e nivelit të sigurisë.

“Sektori bujqësor dhe ai i agropërpunimit duhet të arrijnë një nivel më të lartë prodhueshmërie dhe konkurrueshmërie”, citojnë ekspertët. Teksa pohojnë se do hartohet sipas BE-së edhe një ligj i posaçëm për verën dhe vreshtarinë shqiptare, i cili nuk ekziston.

Kurse në lidhje me ushqimin, kërkohet “rritja e përmirësimeve të ndjeshme në lidhje me kushtet sanitaro-veterinare në përputhje me kërkesat e Bashkimit Evropian”. Duke arritur edhe tek fusha e organizmave të modifikuar gjenetikisht, për të cilën sipas BE-së, në Shqipëri mbetet një prioritet kryesor hartimi i legjislacionit dhe caktimi i strukturës që e mbulon këtë fushë.

Shpërndajeni me miqtë tuaj: