“Pikiata” e euros, justifikohet BSH: Nuk ra nga strategjia e deeuroizimit!

“Pikiata” e euros, justifikohet BSH: Nuk ra nga strategjia e deeuroizimit!
Guvernatori i Bankës së Shqipërisë mohoi dje publikisht ndikimin e strategjisë së shpallur prej këtij institucioni për dobësimin e euros dhe forcimin e lekut. Ndërkohë që rënia e euros vazhdon me ritme shqetësuese, nga dita në ditë...

 Rënia në “pikiatë” e monedhës evropiane, deri në 127 lekë, nuk ka ardhur si pasojë e strategjisë së bankës qendrore për dobësimin e saj dhe forcimin e lekut.

Ky ka qenë të paktën qëndrimi zyrtar, i mbajtur dje nga kreu i saj, Gent Sejko, lidhur me këtë çështje.

I pyetur nga gazetarët, Guvernatori i Bankës së Shqipërisë tha se kjo strategji ende nuk ka filluar të vihet në praktikë.

“Strategjia e përdorimit të monedhës vendase, ne kemi vlerësuar se do të ketë një efekt neutral. Parashikimet janë për një efekt në ulje të pozicioneve të monedhës së huaj në 3-5 vite. Dhe nëse kemi një efekt psikologjik, kjo vjen nga tregu e nga zhurma e krijuar”, pohoi  ai.

Deklaratë kjo, që u bë në fakt, pas një shqetësimi publik të ngritur nga Qendra e Eksporteve Shqiptare dhe Shoqata e Industrialistëve Ushqimorë, sipas drejtuesve të të cilëve, strategjia e deeuroizimit është e gabuar.

Madje, ata kanë dhënë edhe shifra konkrete që po shkakton zbatimi i saj, të tilla si një dëm prej 104 milionë eurosh më pak që qarkullojnë në ekonominë e vendit, ndërsa arkës së shtetit i zhduken 26 milionë euro.

Duke kërkuar hetim dhe zbardhje të detajeve të kësaj strategjie, që sipas tyre po i dëmton në aktivitetin e tyre të përditshëm, njësoj si edhe mjaft qytetarë që janë të detyruar të punojnë me euron dhe jo me lekun.

Por mesa duket, kreu i BSH-së nuk i ka pranuar këto “shigjetime” ndaj institucionit që ai drejton, duke pohuar se ai i sheh efektet e kursit të këmbimit në aspektin makroekonomik.

Sipas tij, madje, mbiçmimi i lekut duhet përkthyer në diçka pozitive, pasi flet për shtim të konsumit, e cila përkthehet në më shumë të ardhura për ekonominë.

E thënë më thjesht, qytetarët me një lek më të forcuar, po shpenzojnë më shumë se më parë.

“Në rast se kemi një mbiçmim të kursit, kjo nuk tregon problem të ekonomisë. Realisht, kemi më shumë importe sesa eksporte dhe çdo mbiçmim i lekut, ka më shumë fitues se humbës. Madje, ka edhe më shumë fuqi blerëse”, sqaroi ai.

 

APELI

“Do t’u bëja thirrje agjentëve ekonomikë që të mos bënin konvertime të nxitur nga oshilacionet e kursit. Çdo ndikim psikologjik ose i faktorëve të ndryshëm është gjithmonë i përkohshëm, pra kalimtar”, apeloi dje publikisht Guvernatori Gent Sejko. Duke i ftuar qytetarët që të mos bëjnë veprime të nxituara me këmbimin e parave në këto kohë, kur kursi i këmbimit po tregon mjaft luhatje.

 

127.92

U shënua dje vlera zyrtare e këmbimit të euros kundrejt monedhës vendase, lekut, me një nënçmim prej 0.82 lekësh në krahasim me ditën e mëparshme, duke shënuar rënien më të lartë që prej 21 marsit

Shpërndajeni me miqtë tuaj: