Përdorimi i celularit në timon, 4 herë më shumë rrezik për aksident

Përdorimi i celularit në timon, 4 herë më shumë rrezik për aksident
Ekspertët theksojnë se, kur rritet shpejtësia nga 50 km/orë të lejuara në 80 km/orë, rreziku është tetë herë më i lartë për t’u përfshirë në një aksident. Këto aksidente shkaktohen kryesisht nga drejtues mjeti me moshë të re, ku shfaqet kryesisht pakujdesia në formën e vetëbesimit të tepruar

Sonila Isaku

Të ngasësh makinën nuk është kënaqësi e madhe, por përgjegjësi shumë e madhe. Të dhënat zyrtare të Policisë Rrugore tregojnë se, fillimi i vitit 2018, ka qenë ndër vitet me të përgjakshëm, për shkak të aksidenteve rrugore. Ndaj pikërisht në javën e sigurisë rrugore, ekspertët e shëndetit publik kanë zgjedhur nxënësit e shkollave të mesme për të përçuar mesazhet dhe këshillat e nevojshme për përdorimin e rrugës si nga këmbësorët, ashtu edhe nga shoferët e rinj, ku një pjesë janë 18-vjeçarët e gjimnazeve. Ulja e shpejtësisë, vendosja e rripit të sigurimit, mospërdorimi i alkoolit, drogës si dhe celularit, janë ndër këshillat më kryesore të ekspertëve në javën Botërore të Sigurisë Rrugore.

Shpejtësia

Qëllimi ynë është të afrojmë disa rekomandime për të përmirësuar lëvizjet në trafik, duke synuar përqasje sa më të mirë të sjelljeve me rregullat e përcaktuara. Kufijtë e lejuar të shpejtësisë duhen respektuar me rigorozitet të lartë. Përshtateni shpejtësinë e lëvizjes së automjetit në varësi jo vetëm të rrugës, të kushteve klimaterike, por edhe të shikueshmërisë.

Drejtimi i mjetit me shpejtësi mbi normat e lejuara mbetet shkelje kryesore si burim për aksidentet automobilistike. Ato zënë afro 30% të aksidenteve me pasoja të ndryshme. Këto aksidentet shkaktohen kryesisht nga drejtues mjeti me moshë të re, ku shfaqet kryesisht pakujdesia në formën e vetëbesimit të tepruar. Sipas ekspertëve kur rritet shpejtësia nga 50 km/orë të lejuara në 80 km/orë, rreziku është tetë herë më i lartë për t’u përfshirë në një aksident dhe ku mund të vrasë një kalimtar në rrugë. E kundërta kur e ulim shpejtësinë vetëm 1%, numri i aksidenteve mund të zbresë me 2-3%.

Alkooli dhe droga

Si alkooli, ashtu edhe drogat të shkëpusin vëmendjen, duke të “futur” në një realitet tjetër krejtësisht iluziv, euforik dhe të rremë. Për këtë shkak nuk do jeni në gjendje të kontrolloni mjetin dhe mund të aksidentoni veten e të tjerët. Të dhëna shkencore kanë treguar se, përdorimi i alkoolit edhe në doza të vogla, ndikon në reagimin e funksioneve psikike e fiziologjike në organizmin e njeriut.

Për shkak të alkoolit rritet koha e reagimit; drejtuesi i mjetit reflekton përfytyrime të gabuara të pozicionit, vendndodhjes së mjeteve e përdoruesve të rrugës, kafshëve dhe të mjeteve të tjera që lëvizin. E thënë më ndryshe, kjo mungesë vëmendjeje dhe reagimi kohor me bazë përdorimin e alkoolit, mund të sjellë aksidente dhe ngjarje të rënda me pasoja fatale për jetën e njerëzve.

Parakalimet

Nga parakalimi i gabuar dhe mosrespektimi i lëvizjes së mjetit në korsinë e duhur, janë shkaktuar mbi 30% e aksidenteve në rrugët tona. Edhe në këto raste, shkalla e fatalitetit, pra numri i aksidenteve me pasojë vdekjen, është i lartë. Këto ndodhin nga drejtues të rinj, impulsiv që ngasin makina me fuqi të lartë motorike, si dhe mjete që kanë timon në krah të kundërt.

Rripi i sigurimit

Tematika e javës së ndërgjegjësimit të sigurisë rrugore është “PO rripit të Sigurimit! - JO përdorimit të celularit!” Një nga faktorët më të rrezikshëm që shkakton dëmtime të rënda dhe fatale gjatë aksidenteve rrugore, lidhet me mospërdorimin e rripit të sigurimit. Grupmosha më e prirur për mospërdorimin e pajisjeve mbrojtëse, janë të rinjtë. Sipas të dhënave rezulton që, përdorimi i rripave të sigurimit tek automjetet dhe i kaskave mbrojtëse te motoçikletat, është ende në nivele të ulëta po ta krahasojmë me vendet e tjera të Europës. Megjithëse, nga viti në vit, kemi një rritje të përqindjes së përdoruesve të rripit të sigurimit dhe kaskave mbrojtëse, përsëri jemi shumë larg parashikimit të vitit 2020 që kërkon deri në 80% të përdorueseve të kësaj mase sigurie.

Përdorimi i mjeteve mbrojtëse gjatë udhëtimit, ul rrezikun e përfshirjes në aksidente vdekjeprurëse. Veçanërisht, kjo konstatohet në dy vitet e fundit 2016-2017, ku vërehet se, përqindja e viktimave që ka përdorur mjete mbrojtëse, është shumë  më e ulët krahasuar me ata që nuk kanë përdorur këto mjete gjatë udhëtimit. Mungesa e rripit të sigurimit kur qarkulloni me makinë, përbën rrezik për jetën dhe është model i keq për fëmijët. Të mos harrojmë se, më shumë se gjysma e fëmijëve nuk transportohen siç duhet gjatë udhëtimit me automjete. Tregoni kujdes në lëvizje, vendosini fëmijët në ndënjësen e pasme me rrip sigurie dhe në poltronin e posaçëm.

Përdorimi i celularit

Përdorimi i telefonave celularë gjatë drejtimit të mjetit, ndikon direkt në uljen e përqendrimit të vëmendjes tuaj, duke ulur aftësinë e manovrimit në trafikun rrugor. Ai ndikon në drejtimin e mjetit sipas shenjave në rrugë, ndikon në kontrollin e shpejtësisë, në kontrollin e distancës ndërmjet dy mjeteve etj.

Sipas studimeve të kryera nga ekspertët e huaj, drejtuesit që përdorin telefonin celular gjatë drejtimit të mjetit, janë katër herë më të rrezikuar të përfshihen në aksidente, se sa ata që nuk  e përdorin telefonin celular.

Përdoruesit e rrugës

Siguria rrugore nuk mund të arrihet pa kontributin dhe sjelljen normale edhe të përdoruesve të tjerë në trafik, jo vetëm të atyre që drejtojnë mjetet motorike. Që përdoruesit e rrugës me këmbë të ecin të qetë, është e domosdoshme të kenë njohuri mbi rregullat të cilat kondicionohen nga sinjalistika në qytet dhe jashtë tij.

Kujdes duhet treguar kur kaloni rrugën me fëmijët për dore, mbajini ato gjithnjë në krahun e kundërt nga vijnë mjetet. Mos harroni se, fëmijët për dore duhet të mbahen mirë dhe me kujdes dhe në krahun tuaj të majtë!

Në kushtet e ndriçimit të kufizuar (natën ose me kohë të keqe), drejtuesit e mjeteve e kanë vështirë t’ju shikojnë. Në këto kushte, duhet të tregoheni shumë të kujdesshëm, si në veshjen e rrobave (që ato të jenë me ngjyrë të çeltë), ashtu edhe për të mbajtur në dorë sende që ju identifikojnë (elektrik dore ose edhe diçka tjetër fosforeshente).

Për të kaluar rrugën, në kryqëzim, në semafor ose edhe kur qarkulloni në rrugë të drejtë, sigurohuni që drejtuesi i mjetit po ju shikon. Në udhëkryqe sidomos fëmijët, e kanë të vështirë të orientohen si duhet në trafikun rrugor, sepse automjetet ose biçikletat mund të vijnë nga të gjitha anët. Fëmijëve u duhet një kohë më e gjatë për të parë nga të katër drejtimet dhe ndërkohë që ata janë duke bërë këtë, përdorues të tjerë të rrugës kanë ose janë duke ardhur.

Përpara se të kalohet rruga, duhet që gjithmonë të shohim në të dyja drejtimet, sepse edhe mjetet vijnë nga të dyja drejtimet. Në fillim shikoni nga ana e majtë, pasi kjo është ana në të cilën mjetet dhe rreziku prej tyre janë më pranë jush. Të sigurohemi derisa nuk ka mjete që kalojnë në të dyja drejtimet dhe vetëm kur të sigurohemi për këtë, të kalojmë rrugën.

Gjatë kalimit të rrugës, nuk duhet të vrapojmë, por të ecim shpejt duke parë në të dyja drejtimet. Nëse dëshirojmë të përshkojmë një largësi më të madhe në rrugë, kjo do t’u kërkojë më shumë kohë. Kjo do të thotë se, mundësitë për të ndeshur me automjete janë më të mëdha. Kjo është arsyeja pse ne nuk duhet ta përshkojmë rrugën duke ecur diagonal me të, por të zgjedhim rrugën më të shkurtër dhe me hap të shpejtë.

Përdoruesit e rrugës këmbësore, duhet të mësojnë se, nëse ekzistojnë sinjalizime për trafikun, (tabela, vija të bardha, semaforë, mbikalime etj.), ato duhet të përdoren!

Shpërndajeni me miqtë tuaj: