PËRBALLJE  NË “ALBANIAN FREE PRESS”: Si do të vazhdojë aksioni opozitar?

Publicitet
PËRBALLJE  NË “ALBANIAN FREE PRESS”: Si do të vazhdojë aksioni opozitar?
FORUM/ Deputetët e Kuvendit, Përparim Spahiu,  Ismet Beqiraj dhe  Fadil Nasufi, flasin mbi protestën e së shtunës, të zhvilluar nga opozita, më 26 maj. Si e komentojnë ata ecurinë e saj?Dhe a parashikon aksioni opozitar në vazhdimësi mbajtjen e protestave të reja?

Opozita e bashkuar zhvilloi para dy ditësh, më 26 maj, një protestë, me kërkesën kryesore, largimin nga detyra të ministrit të Brendshëm, Fatmir Xhafaj, pas akuzave ndaj vëllait të tij se është i përfshirë në trafik droge. Ndërkaq, një ditë pas protestës, kreu i PD-së, Lulzim Basha, deklaroi se qëndrimi i opozitës është i pandryshuar dhe i pakompromis: “Fatmir Xhfaj duhet të largohet dhe do të largohet”. Më tej, duke përshëndetur të pranishmit në protestë, ai tha se ajo i tregoi mbarë botës të vërtetën e krimit dhe të drogës, të vërtetën e vëllezërve Xhafaj, të vërtetën e një kryeministri i cili është lidhur aq ngushtë me krimin. Por çfarë arriti në të vërtetë kjo protestë? Dhe a do të ketë në vijim të tjera të reja që do të ndërmerren nga opozita? Pikërisht mbi këto çështje, “Albanian Free Press”, përcjell sot mendimin e tre deputetëve të Kuvendit, atyre socialistë, Ismet Beqiraj dhe Fadil Nasufi; si edhe Përparim Spahiu i LSI-së...

 Intervistoi: “Albanian Free Press”

 

PËRPARIM SPAHIU, Deputet i LSI-së:

Protestat duhen vazhduar, deri në rrëzimin e qeverisë

“Opozita duhet t’i vazhdojë protestat dhe absolutisht në mënyrë paqësore deri në rrëzimin e kësaj qeverie dhe çuarjen e vendit në zgjedhje të reja. Zgjedhjet e qershorit nuk kishin asnjë lidhje me demokracinë e vendit. Ja, tashmë po e shohim rezultatin e atyre zgjedhjeve, rezultat që përcjell krim, drogë, vjedhje, grabitje, varfëri. Këto janë rezultatet e vjedhjes skandaloze të votës. Reforma në drejtësi a u bazua mbi norma, ligje dhe standarde? Pse dalin njerëzit në protestë? Dalin kur ka krim, kur ka drogë, kur ka varfëri, kur ka papunësi, kur nuk ka drejtësi. Ishin të gjitha këto që na çuan në protestë, e cila duhet të vazhdojë dhe do vazhdojë. Na duhen ministra të pastër dhe korrektë. Pa protesta nuk mund të jesh një vend demokratik dhe i lirë. Protestat nuk e zbehin imazhin e një vendi, përkundrazi, kur ato janë të drejta dhe me kauzë, e lartësojnë figurën e një kombi në sytë e botës. Ndaj të mos propagandohet se protesta ndalon procesin e hapjes së negociatave. Aspak! Bota e qytetëruar e di shumë mirë këtë faktor të demokracisë. Ndaj ne bëmë një protestë të drejtë dhe paqësore. Ndaj dhe mediat e huaja e përcollën me seriozitet. Kjo duhet të jetë rruga jonë, rruga e protestës për çdo padrejtësi. Ai vend që humb këtë frymë, do humbasë të drejtat e tij dhe do ketë vetëm detyra. Popujt e përparuar i kanë fituar të drejtat vetëm me protesta paqësore. Le të mos atakohemi tek shifrat, por tek fenomeni. Pra, pse çohemi në protesta. Shifrat ndryshojnë në kohë të caktuara, ndërsa nëse mbeti fenomeni, patjetër duhet përshkallëzim. Një qeveri që prodhon probleme, nuk duhet të tolerohet.

 

ISMET BEQIRAJ, Deputet i PS-së:

Efekti i protestës periferik, vetëm frymë-ngjallje opozitare

“Në një demokraci funksionale, protestat janë mjete për shprehjen direkte të demokracisë popullore. Në këtë kontekst, nuk duhen gjykuar dhe paragjykuar kush i frymëzon dhe kur zhvillohen. Por, duke vlerësuar zhvillimet politike në vend, shansin dhe momentin historik që kemi, reformat e thella të ndërmarra, të shoqëruara edhe me rezultatet e para mbresëlënëse të vetingut në drejtësi, të vlerësuara nga partnerët tanë strategjikë si “model” në llojin e vet, unë do të shtoja “një revolucion në pallatin e drejtësisë”, tani në prag miratimit të hapjes së negociatave për anëtarësim në BE.  Protestën e 26 majit do ta shihja si veprën e “dorës së zezë” që rrëzonte muret e kalasë së Rozafës në legjendë. Kurse në kontekstin historik, më kujton 26 majin e vitit 1996, ku të njëjtët “arkitektë”, e njëjta mendje diabolike dhe e njëjta dorë vrastare që groposi votën e lirë dhe ndërpreu ëndrrën e shqiptarëve për në Europën e lirë, riciklon tragjikisht 22 vjet më pas historinë, por këtë radhë duke u bërë “atentat” interesave të shqiptarëve si komb pak “metra” para derës së BE-së. Së dyti, një sulm i tillë në “pallatin e politikës” dhe terrenin mediatik me suport të pastër politik dhe revansh bajraktari për pushtet, bëhet për të goditur një nga protagonistët kryesorë të reformës në drejtësi, për të goditur dhe delegjetimuar vetë reformat dhe luftën kundër krimit të organizuar, korrupsionit, oligarkisë financiare dhe varfërisë. Të gjithë po i shohim rezultatet “unike” të këtij aksioni për një drejtësi “me duar të pastra”. “Kalorësit” e opozitës hibride nuk e kane më “Xhafajn” si njeri, por me atë që përfaqëson Xhafaj, në politikë, reforma zhvillimi dhe aksion-veprim. Periudha e dëbim-internimeve dhe e dënimeve kolektive, perëndoi, me vetë sistemin e diktaturës së proletariatit 28 vjet më parë. Një nga benefitet që na dha demokracia është ajo e “përgjegjësisë individuale”, të tjerat janë pallavra dhe mjerisht “skllavëri e mentalitetit monist”. Së treti, rekomandimi i Komisionit Europian për çeljen e negociatave ishte një provim i vështirë “pranveror” që Shqipëria e kaloi me sukses. Kemi edhe një “provim për përmirësim note para diplomimit” në prag vere. Tashmë, edhe miqtë tanë evropianë nuk e shohin me mentalitetin e opozitarizmit shqiptar gotën gjysmë-bosh, por atë e shohin gjysmë-plot. Ndaj dhe efekti i kësaj proteste ishte periferik, vetëm për frymë-ngjallje opozitare. Saktësisht, të gjithë e panë se protesta dështoi, pasi nuk kishte vizion dhe kauzë”.

 

FADIL NASUFI, Deputet i PS-së:

Protesta, sipërmarrje e dështuar për të dëmtuar interesat kombëtare

“Protesta e opozitës më 26 maj ishte dëshmi kuptimplotë e rrugës pa krye ku është futur lidershipi i PD dhe LSI, të cilët janë përfshirë në një anarki të plotë dhe janë fokusuar në një sipërmarrje të dështuar për të dëmtuar interesat kombëtare dhe europiane të Shqipërisë. Përballë sfidës së përbashkët për celjen e negociatave për në BE-opozita ka zgjedhur rrugën e bllokimit të tyre me çdo çmim dhe po investohet për të nxirë imazhin e vendit në sytë e ndërkombëtarëve. Të ashtuquajturat “kauza” të opozitës për të luftuar krimin, korrupsionin, trafiqet, drogën dhe “qeverinë e narkoshtetit apo oligarkëve janë përpjekje për t’i shpëtuar reformës në drejtësi dhe ndëshkimit ligjor që pret shumë nga ish-pushtetarët dhe zyrtarët e lartë të PD dhe LSI, të cilët e kanë ushtruar pushtetin e tyre nën një drejtësi të kapur dhe të kontrolluar politikisht nga ana e tyre. Lidershipi i PD dhe LSI po e konsumon përgjegjësinë e vet opozitare me forma antishtet, me bllokim të veprimtarisë parlamentare, me baltosje dhe shpifje monstruoze e të padenja ndaj qeverisë, me inskenime audio-përgjimesh ,viktimizimi, anatemimi e dizinformimi që nuk i shkojnë për shtat as nivelit me ordiner të rrugës, me ndotje dhe baltosje pa kursim të emrit të Shqipërisë e shqiptarëve dhe po e sakrifikon në mënyrë të sforcuar elektoratin opozitar në protesta që kanë si qëllim mbrojtjen e interesave të veta. Fatkeqësisht, kjo opozitë nuk do që reformat të zhvillohen, nuk i njeh dhe nuk i respekton marrëveshjet politike, nuk investohet për interesin kombëtar të Shqipërisë dhe nuk di të japë bekime për vendin e vet. Siç thotë një shprehje: “Kush nuk di të bekojë, duhet të mësojë të mallkojë!”. Mesa duket, kjo opozitë nuk ka kthim mbrapa në rrugën e vet. Ajo po vepron si ajo historia që tregon Herodoti për betejën navale të Salaminës: Një athinas e kapi një anije persiane me dorën e djathtë dhe nuk e lëshonte, gjersa ia prenë, atëherë e kapi me dorën e majtë dhe ia prenë edhe këtë; atëherë e kapi me dhëmbë dhe nuk e lëshoi deri sa i prenë kokën. Edhe pas 30 shekujsh, kjo histori është aktuale dhe i shkon për shtat kësaj opozite faqezezë. Fatmirësisht, shqiptarët edhe pse do mbajnë dhe vuajnë kostot e kësaj opozite, po e braktisin çdo ditë e më shumë dhe po përqafojnë programin e qeverisë “Rama” dhe ëndrrën e hershme dhe të përhershme europiane.

Shpërndajeni me miqtë tuaj: