PËRBALLJE NË “ALBANIAN FREE PRESS”/ Pse po sulmohet ministri i Brendshëm?

PËRBALLJE NË “ALBANIAN FREE PRESS”/ Pse po sulmohet ministri i Brendshëm?
INTERVISTATDeputetët Andrea Marto, Antoneta Dhima, Ervin Salianji dhe Klevis Balliu flasin mbi çështjen më të fundit të përfolur në qarqet politike të vendit, atë mbi ministrin e Brendshëm, Fatmir Xhafaj dhe vëllanë e tij, për të cilin opozita pretendon se është i implikuar në trafiqe. Përse shërben krijimi i një debati të tillë të ri politik, pas atij të shumëpërfolur mbi pararendësin e tij, Saimir Tahiri?

Intervistoi: “Albanian Free Press”

Pas një çështje të shumëpërfolur si ajo “Tahiri” që ka nisur rrugën e gjykimit, tashmë një tjetër duket se është hedhur për konsum në qarqet e politikës vendase: ajo për ministrin e Brendshëm aktual, Fatmir Xhafaj. Prej ditësh, opozita po e shigjeton atë, nën pretendimin se ka një vëlla të inkriminuar dhe si i tillë, kërkon që ai të dorëhiqet nga posti që mban. Ndërsa dje, nga selia e Partisë Demokratike, përmes një konference të jashtëzakonshme, u publikuan fakte të reja për dosjen "Agron Xhafaj", shoqëruar madje me akuzën se vëllai i ministrit të Brendshëm vijon të organizojë ende trafikun e drogës në Vlorë. Konkretisht, PD-ja publikoi përgjime audio, përmes të cilit pretendon se Agron Xhafaj kryen biseda për trafik droge, me njw person tw inkriminuar. Pikërisht mbi këtë çështje,“Albanian Free Press”, përcjell sot mendimin e katër deputetëve, Ervin Salianji, Klevis Balliu, Andrea Marto dhe Antoneta Dhima. Si e komentojnë ata këtë zhvillim të fundit në skenën e politikës shqiptare? Përse po sulmohet ai nga opozita ministri i Brendshëm? Dhe kujt i shërben realisht një gjë e tillë?

ERVIN SALIANJI, Deputet i PD-së:

Familja Xhafaj, peshkaqenët e mëdhenj të drogës!

“Unë i thashë mendimet e mia në konferencën për shtyp të Partisë Demokratike. E vetmja që mund të citoj me theks është: “Familja Xhafaj, peshkaqenët e mëdhenj të drogës!”. Ndërsa Agron Xhafaj është bos i drogës në Shqipëri, por i paprekshëm për sa kohë është vëllai i ministrit të Brendshëm. Fatmir Xhafaj është mbrojtja e Agron Xhafajt. Fatmir Xhafaj i siguron vëllait të tij trafikant droge mbështetjen e Policisë së Shtetit. Ky është realiteti i qeverisjes së Edi Ramës, ku ministrat e tij të Brendshëm mbështesin dhe lehtësojnë trafikun e drogës. Pushteti i Edi Ramës e ka lidhur fatin e vet me atë të krimit të organizuar. Agron Xhafaj është bosi i drogës në Shqipëri, por është i paprekshëm”.

 

KLEVIS BALLIU,Deputet i PD-së:

Rilindja e ka si kriter drogën dhe jo problem

“Rilindja e ka kriter drogën dhe jo problem. Rama nuk gjeti në pesë vite në Partinë Socialiste një ministër që nuk është i implikuar me narko-trafikun. Çështja është e qartë si drita e diellit dhe nuk ka nevojë për teori të tjera, për shkak se si kurrë më parë, sot provat janë me zë dhe figurë. Tashmë, bandat kanë pushtetin dhe po vjedhin paratë e qytetarëve, ndërsa policia nuk garanton sigurinë e tyre, por trafikun e narko-trafikantëve në pushtet. Partia Demokratike do të vazhdojë përballjen e saj me qeverinë e drogës”.

 

ANDREA MARTO, Deputet i PS-së:

Opozita vijon që të kërkojë çështje, për të ndërtuar aksionin e saj

“Opozita prej kohësh vijon të kërkojë çështje, për të ndërtuar aksionin opozitar. Nuk ofron asnjë alternativë tjetër, kërkon të kapet pas çdo rasti, si i mbyturi pas çdo fije kashte. Kërkon me çdo kusht të dëmtojë procesin e integrimit, se çdo përparim në këtë drejtim, e gjykon si fitore të shumicës dhe qeverisë. Rastin e Agron Xhafajt, opozita ka vite që e përcjell në mënyra të ndryshme dhe të paqarta nga vetë ajo. Sot, jetojmë në një shoqëri demokratike të hapur, ku përgjegjësitë janë të sanksionuara në ligji. Në botë ka shumë liderë ku pjesëtarë të familjes janë gjykuar apo janë hetuar për probleme të ndryshme, por asnjëherë nuk është diskutuar përgjegjësia e të afërmve. Thjesht është një sulm i paprinciptë i opozitës që të ulë dhe sfumojë sukseset e qeverisë dhe të partisë në pushtet me qëllim të pengojë procesin e hapjes së negociatave. Duket se kjo çështje është kthyer në qëllim në vetvete nga Partia Demokratike”.

 

ANTONETA DHIMA, Deputete e PS-së:

Sulmi ndaj Xhafajt bëhet për të delegjitimuar reformën në drejtësi

“Sulmi ndaj zotit Xhafaj bëhet për të delegjitimuar reformën në drejtësi, si edhe veprimtarinë e kuvendit shqiptar. Partia Demokratike e ka kthyer në sistem shpifjen”.

 

Shpërndajeni me miqtë tuaj: