PËRBALLJE NË “ALBANIAN FREE PRESS”/ Intelektualët: A duhet të japë dorëheqjen Xhafaj?

Publicitet
Publicitet
PËRBALLJE NË “ALBANIAN FREE PRESS”/ Intelektualët: A duhet të japë dorëheqjen Xhafaj?
FORUM/ Intelektualët Idajet Beqiri, Shkëlqim Muça dhe Ilir Yzeiri flasin mbi kërkesën e paraqitur nga opozita për dorëheqjen e ministrit të Brendshëm, Famir Xhafaj, nën pretendimin se vëllai i tij vazhdon të drejtojë trafikun e drogës në Vlorë

Intervistoi për “Albanian Free Press”: Albert Zholi

Dita e djeshme ka qenë sërish e mbarsur me zhvillime të njëpasnjëshme, të cilat kishin në qendër të tyre ministrin e Brendshëm, Fatmir Xhafaj. Kështu, ai ka dalë përballë publikut në një konferencë për shtyp dhe e ka akuzuar opozitën për shantazh me audio-përgjimin ndaj vëllait të tij, Agron Xhafaj. Ndërsa para tij, zhvilloi një takim kokë më kokë me kryeministrin Edi Rama dhe më pas, të dy bashkë, u raportua se morën pjesë në mbledhjen e Këshillit të Sigurisë Kombëtare në Presidencë. Kurse nga ana e saj, opozita ka zhvilluar një protestë të paralajmëruar para mjediseve të ministrisë së Brendshme. Po si shihet nga ana e intelektualëve në vend gjithë kjo situatë? A janë dakord ata me dorëheqjen e ministrit Xhafaj apo jo? “Albanian Free Press”, përcjell sot mendimin e intelektualëve Idajet Beqiri, Shkëlqim Muça dhe Ilir Yzeiri. Si e komentojnë ata këtë zhvillim të fundit në skenën e politikës shqiptare? Përse po sulmohet ministri i Brendshëm nga opozita dhe a duhet që ai të japë dorëheqjen...

 

IDAJET BEQIRI, Avokat:

Xhafaj dorëheqje? Kurrën e  kurrës!

“Të japë dorëheqjen Xhafaj?! Për mua kurrën e  kurrës! Sulmet e opozitës ndaj ministrit të Brendshëm janë të mirëkoordinuara me të gjithë botën e krimit në Shqipëri.  Kokat e këtij krimi, tashmë të mirënjohura prej të gjithë shqiptarëve, meqenëse nuk e penguan dot, siç e kishin planifikuar dhe organizuar procesin e vetingut, i cili do t'u presë domosdo kokat e këtyre kriminelëve që u kanë sjellë pasoja tragjike vendit dhe të gjithë shqiptarëve, janë hedhur në aksione të tjera "guerrile". Këta antishqiptar të mëdhenj nuk po lënë gurë pa lëvizur, nuk po lënë forcë regresive dhe antishqiptare pa vënë në punë, të njollosin rëndë reformat madhore të bëra në Shqipëri, që kështu të shtyhet tutje hapja e negociatave të Shqipërisë me BE-në. Janë këto arsyet që goditen dy ministrat e Brendshëm më të suksesshëm të këtyre 29 vjetëve  post-komuniste, janë këto arsyet e vërteta se përse po bëhet "kauzë" një shqiptar me emrin Agron, vetëm e vetëm sepse është vëllai i ministrit Xhafaj, personit që së bashku me strukturat e Policisë së Shtetit, po ua zë kokën me derë krimit dhe kriminelëve. Shqiptarët kanë mbetur pa opozitë, shqiptarët e kanë hedhur me vota te koshi i plehrave këtë palo opozitë, sepse ata duan alternativa kombëtare për të eliminuar varfërinë, për ta risjellë atje ku ishte popullsinë e vendit, nga 4 milion shqiptarë në 1990-tën, në 2 milionë sot, ata duan punësim masiv dhe investime serioze. Audio- përgjimi është turpi i turpeve të kësaj opozite, është "standardi" rrugaçëror i saj kundër institucioneve të shtetit ligjor, është një gjë pa asnjë vlerë provuese. Ajo është bloza që e ashtuquajtura "opozitë" kërkon të nxijë ministrin e Brendshëm, të nxijë partnerët ndërkombëtarë që e mbështesin atë dhe punën e suksesshme të kësaj ministrie kundër krimeve dhe kriminelëve potentë, të sterrosë hapjen e negociatave të qershorit të Shqipërisë me BE-në”.

 

SULEJMAN MUÇA, Pedagog:

Jemi ende në situatën e akuzave, jo të provave

“Akuzat e PD-së ndaj ministrit Xhafaj duket sikur kanë marrë përmasat e një uragani. Ka mbi një javë që PD-ja për çdo ditë mundohet të nxjerrë fakte të reja mbi çështjen e Agron Xhafajt, vëllait të ministrit të Brendshëm. Duke u bazuar mbi këto akuza, ju bëni pyetjen se a duhet të japë dorëheqjen ministri Xhafaj? Për mendimin tim, jo. Së pari, jetojmë në një shoqëri demokratike, ku përgjegjësia është individuale dhe jo kolektive. Sot nuk jemi në regjimin komunist ku, nëse dënohej një pjesëtar i familjes, ndëshkimi kalonte në familjar. Sot civilizimi i shoqërisë, normat në një shoqëri tejet të hapur dhe demokratike, nuk njohin ligje të dënimit kolektiv. Së dyti, jemi ende në situatën e akuzave. Organi i akuzës, duhet të veprojë me profesionalizëm për zbardhjen e së vërtetës. Nëse këto akuza janë të vërteta, bazohen në fakte, atëherë do të jetë në dorën dhe në vendimin e ministrit Xhafaj akti i dorëheqjes. Sot në botën demokratike ka me qindra e mijëra politikanë që u janë dënuar pjesëtarë të familjes, apo kanë marrë akuza të ndryshme dhe nuk kanë dhënë dorëheqje. Në situatën e sotme të politikës shqiptare, ku akuzat janë bërë si sheqerparet e pazarit pa asnjë inventar, dorëheqjet nuk mund të bëhen mbi çështje dëshirash, apo akuzash imagjinare, por mbi fakte dhe të vërtetuara nga institucionet që u përkasin. Situata në Shqipëri prevalon në ide dhe kërkesa të bazuara mbi iluzione e jo mbi fakte të vërtetuara dhe të besuara mbi ligje. Ndaj, pas zbardhjes së akuzave sipas rregullave institucionale, dorëheqja mund të jetë një akt moralo-qytetar i vetë Xhafajt, pa pasur asnjë detyrim ligjor apo shoqëror. Për mendimin tim, as duhet të mendohet dorëheqja në situata të tilla”.

 

ILIR YZEIRI, Analist, pedagog:

Ministri nuk ka asnjë lidhje me krimin e kryer ose jo nga i vëllai

“Opozita ka të drejtë të kërkojë jo vetëm dorëheqjen e një ministri, por kur ajo denoncon afera të ndryshme të keqqeverisjes, gjithmonë ka të drejtë të kërkojë madje edhe dorëheqjen e qeverisë. Në rastin e zotit Xhafaj, çështja është pak më komplekse dhe ka dy anë: anën morale dhe atë ligjore. Është fakt që vëllai i zotit Xhafaj është dënuar në mungesë në Itali për trafik droge para disa vjetësh. Është fakt që ai nuk është ekstraduar atje, sepse Kuvendi i Shqipërisë ka miratuar një ligj që kërkon më shumë garanci për të dënuarit në mungesë në vende të tjera. Të gjitha këto janë të vërteta. Po ashtu, asnjë hetim i brendshëm apo i jashtëm nuk e lidh fatin e vëllait të zotit Xhafaj me Fatmir Xhafajn, ministër i Brendshëm. Në këtë pikë, ai nuk ka asnjë lidhje me krimin e kryer ose jo nga vëllai i tij. Gjatë viteve që Xhafaj ka qenë në politikë, ai në asnjë rast nuk është përndjekur nga organet ligjzbatuese për ndonjë kundravajtje penale. Ndërsa kontributi i tij në hartimin e paketës së ligjeve për Reformën në Drejtësi ka qenë shembullor e i vlerësuar nga partnerët ndërkombëtarë. Puna e tij si ministër i Brendshëm, po ashtu, ka qenë e lavdërueshme. Ndërkohë, opozita po këmbëngul në largimin e tij dhe këto kohë ajo i ka bërë një shantazh agresiv duke i publikuar një audio-përgjim, në të cilin pretendohet se vëllai i zotit Xhafaj flet më një grup trafikantësh. Ky material që i është servirur dhe publikut ka disa pikëpyetje: E para kush e ka hartuar atë ? Nëse autorët që e kanë realizuar atë janë institucione legale shqiptare apo të huaja, përse nuk e kanë dorëzuar në prokurori, po ia kanë dorëzuar PD-së, e cila mund ta përdorë vetëm për shantazh dhe për lojëra politike? E dyta, prokuroria e ka sekuestruar këtë audio-përgjim dhe ne duhet të presim përgjigjen e saj. Vetëm pasi të flasë prokuroria, Fatmir Xhafaj duhet ose të largohet ose të merret seriozisht me ata që i kanë bërë shantazh atij dhe familjarëve të tij. Nëse ai audio-përgjim është i vërtetë, atëherë do të gjendemi sërish përballë një skandali tjetër, këtë herë edhe më të rëndë”.

Shpërndajeni me miqtë tuaj: