PËRBALLJE  NË “ALBANIAN FREE PRESS”/ Çfarë objektivash ka protesta e nesërme?

Publicitet
PËRBALLJE  NË “ALBANIAN FREE PRESS”/ Çfarë objektivash ka protesta e nesërme?
FORUM/ Deputetët e Kuvendit, Dhurata Çupi, Fatbardha Kadiu e Sadri Abazi; si edhe kryetari i PAA-së, Agron Duka, flasin mbi protestën e paralajmëruar të opozitës, më 26 maj. A është momenti i duhur për një protestë të re? Cila është shtysa e kësaj revolte të re? Po qëllimi kryesor i saj, dorëheqja e ministrit Xhafaj, apo rrëzimi i qeverisë?

Opozita e bashkuar i ka thirrur shqiptarët, në një protestë të re, ditën e nesërme. Shtysa për këtë nismë, duket se ka qenë skandali i fundit i audio-përgjimit të vëllait të ministrit të Brendshëm, përmes të cilit pretendohet se ai është i përfshirë në trafik droge. Kjo do të jetë në fakt edhe kërkesa kryesore e opozitës dhe mbështetësve të saj, largimi i ministrit Fatmir Xhafaj. Por a do të synohet përmes kësaj proteste edhe rrëzimi i qeverisë? Dhe çfarë ndikimi ka ajo në procesin e hapjes së negociatave me Bashkimin Evropian? Pikërisht mbi këto çështje, “Albanian Free Press”, përcjell sot mendimin e tre deputetëve të Kuvendit, atyre demokratë, Dhurata Çupi dhe Fatbardha Kadiu; si edhe të atij socialist,  Sadri Abazi; por edhe të kryetarit të Partisë Agraro-Ambientaliste, Agron Duka....

Intervistoi: “Albanian Free Press”

 

DHURATA ÇUPI, Deputete e PD-së:

Protesta? Ky vend nuk mban më nën këtë keqqeverisje

“Protesta e 26 majit do të jetë protesta më e madhe në 27 vite demokraci. Mijëra qytetare do te jenë në bulevard. Të majtë e të djathtë. Të rinj e të reja. Burra e gra. Nuk mban më ky vend të vuajë këtë keqqeverisje. Ku ministrat e Brendshëm të vendit janë të përfshirë në aferat më tronditëse të drogës dhe të krimit. Ku vetë ministri i Brendshëm trafikon ligjet për të shpëtuar vëllanë e tij për t’i shpëtuar drejtësisë. Ku korrupsioni është majat më të larta. Ku varfëria rritet çdo ditë. Ku taksat rriten çdo ditë. Prandaj duhet të jemi te gjithë aty në shesh, ta largojmë këtë qeveri që u shtrëngon lakun në fyt shqiptarëve”.

 

 

SADRI ABAZI, Deputet i PS-së:

Opozita do që Rama të mos marrë meritën e hapjes së negociatave

“Protesta e opozitës që do të zhvillohet të shtunën tregon edhe njëherë papërgjegjshmërinë e opozitës në momentet që vendi ynë është shumë pranë çeljes së negociatave. Këtë qëndrim, këtë sjellje që po bën opozita shqiptare në këto momente, nuk e ka patur asnjë opozitë tjetër në botë, kur çështja qëndronte në situata të tilla me rëndësi për ardhmërinë e atdheut. Me lloj-lloj shpifjesh dhe hamendësosh, opozita ka si qëllim vetëm një gjë: Që Rama të mos marrë meritën e hapjes së negociatave me BE-në, e cila është një ëndërr e të gjithë shqiptarëve. Këtu qëndron thembra e Akilit për opozitën, që ndërmerr veprime të papërgjegjshme në situatën më të mirë për vendin tonë. Ky qëndrim nuk është aspak i favorshëm për vendin tonë. Hapja e negociatave është një fitore e madhe për popullin dhe populli qëndron mbi partitë. Rama si udhëheqës largpamës ka bërë reforma të tilla, që vërtet ne ta meritojmë hapjen e negociatave. Opozita duhet t’i thërrasë ndërgjegjies dhe le të mos ta lyejë veten me një turp që do t’i kushtojë gjithë jetën. Jemi para një momenti historik”.

 

FATBARDHA KADIU, Deputete e PD-së:

Të mos sakrifikohemi për vëllezerit Xhafaj apo Habilaj

“Ne protestojmë për një jetë më të mirë, për vlerat europiane. Vetëm të gjithë bashkë mund të jemi më të fortë se kriminelët dhe pushtetarët e lidhur me krimin. Sigurisht që ka një vijimësi dhe kërkesa kryesore është të mos sakrifikojmë vendin tonë e të ardhmen tonë për vëllezerit Xhafaj apo Habilaj. Kjo është kauza e protestës sonë, që po merr përmasa të mëdha”.

 

AGRON DUKA, Kryetar i PAA:

Askush nuk e beson se protesta pengon integrimin

“Ne do protestojmë, sepse kemi një detyrim moral ndaj atij brezi që solli demokracinë dhe atyre brezave që do të vijnë dhe besojnë në demokracinë e vërtetë. Duke ndjekur zhvillimet politike të muajve të fundit, ne si parti ndjejmë një detyrim për t’i dhënë vendit një qeveri të pastër nga çfarëdo lloj hije apo dyshimi, një qeveri të drejtë dhe një politikë të pandotur nga droga. Askush nuk e beson se protesta pengon integrimin. Ne si popull po integrohemi në një komunitet që vlerëson protestën si mjet demokratik, ndërsa përçmon drogën, krimin dhe korrupsionin. Ne si PAA besojmë se i vetmi mjet për një Shqipëri europiane është protesta, ndaj i ftojmë qytetarët në protestë më 26 maj, pasi e ndjejmë këtë si një detyrë qytetare”.

Shpërndajeni me miqtë tuaj: