PËRBALLJE NË “ALBANIAN FREE PRESS”/ Çështja “Xhafaj”, intelektualët: Të japë dorëheqje?

PËRBALLJE NË “ALBANIAN FREE PRESS”/ Çështja “Xhafaj”, intelektualët: Të japë dorëheqje?
FORUM/ Intelektualët Altin Goxhaj, Nevila Xhindi, Xhelal Aliu, Gjet Ndoj, Zamira Çavo, Andis Harasani, Elmaz Sherifi, Përparim Kabo, Zaçe Islami flasin mbi kërkesën e paraqitur nga opozita për dorëheqjen e ministrit të Brendshëm, Famir Xhafaj, nën pretendimin se vëllai i tij vazhdon të drejtojë trafikun e drogës në Vlorë

“Albanian Free Press”

Akuzat e Partisë Demokratike ndaj ministrit të Brendshëm, Fatmir Xhafaj, vazhdojnë që të jenë në qendër të zhvillimeve politike të ditës. Dje ka qenë vetë kreu i saj, Lulzim Basha, i cili duke e shigjetuar atë sërish se po i fshihet përgjegjësisë ligjore dhe politike lidhur me aktivitetin kriminal të vëllait të tij, kërkoi që Xhafaj të largohet menjëherë nga posti i ministrit të Brendshëm dhe t’u hapë rrugë hetimeve. “Shqipëria nuk meriton të kalojë nga afera Tahiri tek afera Xhafaj. Në emër të opozitës kërkoj largimin e menjëhershëm të Fatmir Xhafajt", tha ai, duke shtuar më tej edhe rkesën për nënshtrimin e tij, së bashku me të vëllain ndaj ligjit antimafia, e në të njëjtën kohë, edhe hetimin e pasurisë së tyre. Por si shihet kjo çështje në spektrin e intelektualëve?“Albanian Free Press”, përcjell sot mendimin e nëntë të njohurve prej tyre në jetën shoqërore shqiptare, Altin Goxhaj, Nevila Xhindi, Xhelal Aliu, Gjet Ndoj, Zamira Çavo, Andis Harasani, Elmaz Sherifi, Përparim Kabo, Zaçe Islami. Si e komentojnë ata këtë zhvillim të fundit në skenën e politikës shqiptare? Përse po sulmohet ministri i Brendshëm nga opozita dhe a duhet që ai të japë dorëheqjen...

 

ALTIN GOXHAJ,Avokat:

Jo dorëheqje, por shkarkim nga detyra

“Dorëheqja nuk ka bazë ligjore detyruese, pasi është shprehje e vullnetit personal. Shkarkimi ka bazë ligjore, pasi është konflikti i interesit”.

 

NEVILA XHINDI, Pedagoge:

 Xhafaj ka marrë karton të kuq në politikë  

“Etimologjia e fjalës ‘ministër’ vjen prej latinishtes ‘minister’, që do të thotë ‘ai që shërben’, ‘që ndihmon’, ‘që ekzekuton’; ‘minister’ rrjedh prej minus, që do të thotë ‘i poshtëm’, ‘më i ulët’. Ministri është një anëtar i qeverisë i ngarkuar me një fushë kompetencash, një portofol, duke zhvilluar kështu funksionet administrative dhe në veçanti, të administratës së lartë, emërohet duke mbajtur parasysh personalitetin e tij ose vlerat e tij përfaqësuese, është po ashtu një person diplomatik, i rangut përfaqësues të qeverisë. A mundet sot Fatmir Xhafaj ta mbaje këtë barrë të rëndë? Them me bindje, jo! Madje qe në marrje të detyrës, përgjegjësia bie mbi emërimin e tij nga kryeministri. Ai nuk mund të jetë modeli përfaqësues as për veten, e jo më për Shqipërinë. A e mendoni dot të ulej në një tavolinë me ndërkombëtarët, ku diskutohet lufta ndaj drogës e korrupsionit si kushte për Shqipërinë në BE? A mendoni çfarë modeli u japim të rinjve? Ndaj diskutimi për z. Xhafaj merr fund këtu. Si figurë publike, në momentin e zgjedhjes dhe përfaqësimit, ai nuk jeton dhe vepron më për veten e familjen, ai jeton për shoqërinë dhe është përgjegjës për çdo veprim të tij dhe familjarëve, qofshin këta edhe madhorë në moshë. Kaq mjafton që PD-ja të kërkojë shkarkimin e tij, çdo gjë më tej veçse e rendon situatën për qeverinë “Rama”. Z. Xhafaj për mua ka marrë përfundimisht karton të kuq në politikë”.

 

XHELIL ALIU, Gazetar, RT:

Ministri i Brendshëm nuk duhet ta japë dorëheqjen

“Ministri i Brendshëm nuk duhet ta japë dorëheqjen. Opozita ka kërkuar edhe dorëheqjen e Ramës, por kjo nuk do të thotë se sa herë i ngrihet mendja opozitës, të bëhet siç thonë ata”.

 

GJET NDOJ, Kryetar i Partisë Aleanca Arbnore Kombëtare:

“Nëse Xhafaj e jep dorëheqjen, opozita e shfrytëzon këtë duke përfituar si zakonisht. Por gjithsesi, unë them që ai duhet ta japë. E mira ishte që të mos e merrte atë detyrë që në krye të herës”.

  

ZAMIRA ÇAVO, Pedagoge:

Shumë zhurmë edhe pak fakte

“Situata është mbarsur me shumë zhurmë e pak fakte. Kjo do të thotë se dikush ose disa, po tërheqin vëmendjen e opinionit publik  në një drejtim të gabuar. Është e kuptueshme në këtë rrëmujë mediatike e thashethemesh, të nxjerrin kohën përgjysmë edhe disa të vërteta. Puna është se gjysmë të vërtetat janë më të rrezikshme se gjithçka tjetër. A duhet të japë dorëheqjen ministri Xhafaj? Pyetja që të vjen vetiu është: Çfarë ka të re në akuzat ndaj këtij ministri? Nëse nuk ka të reja, opozita duhet të heshtë, pasi mund dhe duhet ta kishte ngritur këtë furtunë që ditën ku z Xhafaj u emërua ministër apo kryetar i Reformës në Drejtësi. Por jo, opozita heshti. Pra nuk ka të drejtë as morale e as politike të bëjë shantazhe tani.  Përgjimi i publikuar është kaq i pabesueshëm, sa nuk ngre peshë në këto akuza. Kemi një ngërç të madh: duam të bëjmë drejtësi, por këtë drejtësi do ta bëjë klasa politike e cila duhet të dalë vetë para saj. Ja kështu është dhe puna e ministrit Xhafaj. Mendoj se gjithkush që mban një detyrë publike të nivelit të lartë, nëse përflitet, më së paku duhet të vetëdorë-hiqet, pasi nuk ka normë më të thjeshtë morale se të dëshmosh me vepra atë që e predikon me fjalime”.

 

ANDIS HARASANI, Ish-deputet:

"Dorëheqjen duhet ta japë Rama dhe jo Xhafaj”.

 

ELMAZ SHERIFI, Profesor, ish-ministër:

“Për akuzat e fundit të opozitës mendoj se duhet të japë përgjigje i akuzuari direkt, vëllai i tij e patjetër edhe ministri.  Por edhe prokuroria nuk duhet të luajë rolin e memecit dhe të institucionit që "e kanë lënë veshët". Dorëheqja në politikë është akt moral dhe ligjor. Nëse ka diçka të vërtetë në ato që pretendohet, dorëheqja para se prokuroria të nisë një proces penal, është sjellja politike që duhet”.

 

PËRPARIM KABO, Profesor:

Emotiviteti politik s’ është se zgjidh gjë

“Opozita e ka të gjithë të drejtën e saj të kërkojë dorëheqje apo shkarkim për cilindo shtetar, ashtu si me mocion mosbesimi edhe largimin e kryeministrit. Por, po ashtu është e detyruar të respektoje realitetin institucional nëse ai nuk ndryshon në kahjen që dëshiron ajo. Dorëheqja është një akt moral që bën cilido sipas motiveve që i gjen të arsyeshme. Për shembull, para disa vitesh, ish-ministri i Jashtëm, Besnik Mustafaj dha dorëheqjen me argumentin “jam i lodhur”. Po para disa viteve dha dorëheqjen edhe ish-ministri i Kulturës,  Luana Rama, sepse pati incident me një gazetar. Kurse ish- ministri Sokol Nako dha dorëheqjen se aksidentoi dikë me makinë dhe mendoi se i çliruar nga posti, do të lejonte një hetim të besueshëm për rrethanat e shkaqet e asaj që ndodhi. Edhe kryeministra kanë dhënë dorëheqjen, si Aleksandër Meksi, Fatos Nano apo zoti Ilir Meta. Tani le të vijmë te rasti konkret. A ka lidhje Xhafaj me krimin e organizuar? A e mbron ai trafikun e lëndëve narkotike? Çështja është a kemi përgjigje të konfirmuara ligjërisht se ai i bën këto veprime antiligjore dhe kriminale? Nëse nuk i kemi, si mund t’i themi jep dorëheqjen? Nëse opozita ka fakte, le të denoncojë në prokurori. Me konferenca shtypi nuk rregullohet as shteti e as nuk mbrohet rendi civil. Lufta verbale me qëllimin e parathënë se ministrat e Brendshëm te forcës politike në fuqi janë të lidhur me krimin, shndërrohet ne argument bindës brenda dhe jashtë vendit vetëm kur provohet ligjërisht në gjykatë në instancë të fundit. Emotiviteti politik dhe ngarkesat emocionale nuk është se zgjidhin gjë. Të presim dhe të shohim. Në gjykimin tim, pastrimi i klasës politike nga SPAK-u dhe Byroja e Hetimit është ngjarja që presim. Atje s’ka as vend dhe as motiv për dorëheqje. Atje ka shporje nga gjithçka që ka e shndërruar vendin në një moçal”.

 

ZAÇE ISLAMI, Avokat:

Nëse vërtetohen akuzat, Xhafaj patjetër që duhet të dorëhiqet

“Në radhë të parë, ne duhet të mbështetemi dhe të gjykojmë në vërtetësinë e përgjimeve, të cilat do dalin pas verifikimeve të prokurorisë. Së dyti, Xhafaj pa dyshim që duhet të dorë-hiqet nëse vërtetohen akuzat e ngritura nga opozita bazuar në ligjin e ri të vetingut, ku përfshihen edhe të afërmit e zyrtarëve të lartë. Sa i përket opozitës, për mua jo bën si hajduti që thërret kapeni hajdutin. Baza ligjore është ligji i vetingut, pasi kemi të bëjmë me konflikt interesi”.

Shpërndajeni me miqtë tuaj: