PËR SHERRIN, KUSH KA FAJ PËR BLLOKIM NEGOCIATASH – FAKTI I DITËS NGA PLATOR NESTURI

PËR SHERRIN, KUSH KA FAJ PËR BLLOKIM NEGOCIATASH – FAKTI I DITËS NGA PLATOR NESTURI
Nga Plator Nesturi

Ky artikull është shkruar posaçërisht për gazetën “Albanian Free Press”

Qershori mbetet një prag i rëndësishëm, që do të përcaktojë se, më çfarë ritmi do të ecë Shqipëria, në rrugën e saj të integrimit dhe të njehsimit me vlerat demokratike të Bashkimit Europian. Përtej deklaratave që kanë pasuar vizitën e parlamentarëve holandezë, fakti është që po përcillet me një lloj frike vendimi që do të marrin vende të veçanta, lidhur me hapjen e negociatave. Nga Komisioni Europian, sugjerimi për të hapur rrugën e Shqipërisë në procesin e mëtejshëm të integrimit, ishte i pakushtëzuar, ndaj mund të përcaktohej si mëkat që ta humbim këtë shans. Por siç duket, me frikën e një shtyrjeje tashmë debati po shmanget te fajtorët e mundshëm të një bllokimi dhe kjo po gjendet, ose te opozita që vijon baltos, ose te kokat e infektuara të Europës që udhëhiqet nga 27 të tilla. Interesimi i kancelarive të huaja për këtë periudhë kohore, është një vëmendje e shtuar sa i takon hapave, seriozitetit dhe vullnetit të faktorit politik shqiptar. Ajo çfarë mbetet të shihet është, nëse ky afat do përbëjë edhe një shtim të interesit të Shqipërisë për BE-në. Nëse deri më tani, anëtarësimin në BE e kemi parë thjesht për faktin se jemi pjesë gjeografike e kontinentit europian apo shumë më tepër se kaq? Përkatësia europiane e shqiptarëve dhe modeli i suksesit të demokracive të vendeve të Europës Perëndimore, kanë frymëzuar aspiratën mbarëpopullore, që Shqipëria të mos jetë thjesht një pjesë e natyrshme e kuadrit gjeografik dhe historik, por të bëhet pjesë integrale e bashkësisë aktuale dhe e identitetit të ri europian. Bashkimi Europian për Shqipërinë dhe shqiptarët, përkthehet në më shumë siguri, më shumë stabilitet ekonomik dhe si rrjedhojë, më shumë begati. Afro 95% e shqiptarëve duan që Shqipëria të hyjë sa më parë dhe shpejt në Europë. Por kanë kaluar 27 vjet me radhë nga kjo aspiratë, aq sa sot shtrohet me të drejtë pyetja: Kur do të hyjmë vallë në union? Ndërsa harrojmë të ngremë dhe një tjetër problem: A duhet që Europa të na pranojë kështu siç jemi, me të mirat e të metat tona, apo duhet që vetë ne të jemi më europianë e nxënës më të devotshëm për të thithur vlerat e demokracisë perëndimore? Bashkimi Europian ka një plan dhe vizion të qartë për të ardhmen dhe për zgjerimin e tij e në këtë vizion Shqipëria nuk mund të mbesë jashtë hartës së tij. Por pavarësisht këtij destinacioni të "sigurt", kjo nuk duhet të na shndërrojë në "të pagdhendur", që me zor u hyjnë parimet e respektimit të shtetit ligjor, demokracisë dhe tolerancës, baza mbi të cilat janë ndërtuar vlerat europiane.

Thelbi i diskutimeve të deritanishme në vitet e fundit, ka qenë i thjeshtuar vetëm në faktin se sa janë përmbushur rekomandimet e BE-së në rrugëtimin e hapjes se negociatave për anëtarësim. Por jo se si po adaptohemi me to ose në të kuptuarit se, ky proces nuk është një detyrë ekskluzive qeveritare, por e të gjithë shoqërisë. Është fakt se, si për të majtën në pushtet edhe për të djathtët në opozitë, pavarësisht fërkimeve shpeshherë të acaruara, por dhe pa një bazë të qëndrueshme, rruga drejt Brukselit me objektiv anëtarësimin në BE, mbetet një prioritet i palëkundur, ndaj sfida për përmbushjen e pesë prioriteteve të diktuara për marrjen e statusit kandidat, mbetet jo vetëm në kampin e shumicës. Zbatimi i reformës për administratën, pavarësia e institucioneve gjyqësore, lufta kundër korrupsionit, mbrojtja e të drejtave të njeriut dhe e drejta e pronës, është pentaprioriteti i fundit përpara provimit që do të japë klasa politike në Bruksel. Ndërkohë, nga prioritetet është hequr dialogu politik dhe mirëfunksionimi i jetës parlamentare, bashkëveprimi dhe bashkëpërgjegjësia në hartimin e ligjeve dhe të mirëfunksionimit të shtetit. Kjo pikë e cila kishte mbetur si ngërç në detyrat që BE-ja i vendoste klasës politike, tashmë quhet e kapërcyer dhe padyshim është një arritje e përbashkët, si për shumicën edhe për opozitën. Problemi që mbetet është, nëse do të vijohet në këtë rrugë, apo hijet e së vjetrës do të ngrenë sërish krye nëpërmjet tensionimeve të stisura? BE-ja e ka ulur stekën e kërkesave të saj në detyrimet për anëtarësimin, por jo vëmendjen dhe shkallën e monitorimit, se si do të sillet klasa politike dhe si do të gjejnë zbatueshmëri ligjet e miratuara nga Parlamenti. Në këtë këndvështrim, përgjegjësia për vendimin e pritshëm mbetet e të gjithëve, ashtu siç mund të quhet arritje e të gjithëve, të majtë a të djathtë qofshin.

Hapja e negociatave, sidoqoftë, është stacion i ndërmjetëm. Deri në destinacion, në anëtarësimin në BE, rruga është natyrisht e gjatë, e lodhshme dhe e vështirë. Sidoqoftë, mbetet udha e vetme e vlefshme, çka duhet të kushtëzojë boshtin e politikës sonë.

Ndalohet rreptësisht ripublikimi i këtij shkrimi pa një leje të shkruar nga redaksia e Albanian Free Press

Shënim: Qëndrimet e shprehura në shkrimet e rubrikës Opinion, nuk përfaqësojnë domosdoshmërisht një vijë editoriale të Albanian Free Press

Shpërndajeni me miqtë tuaj: