PD-JA ENDE LARG KUOTËS SË 2013-ËS - ANALIZË NGA EDUARD ZALOSHNJA

PD-JA ENDE LARG KUOTËS SË 2013-ËS - ANALIZË NGA EDUARD ZALOSHNJA
Nga Eduard Zaloshnja

Ky artikull është shkruar posaçërisht për gazetën “Albanian Free Press”

Ka më se gjashtë muaj, që PD-ja e sulmon PS-në për imunitetin politik që i dha Saimir Tahirit, i cili po hetohet nga Prokuroria e Krimeve të Rënda për bashkëpunim me një grup trafikantësh të drogës dhe që është akuzuar nga PD-ja për lejimin e përhapjes së kultivimit të saj nga Lazarati, në të gjitha skërkat e Shqipërisë (madje edhe pranë aeroportit ndërkombëtar të Rinasit).

Ka disa muaj që PD-ja po e sulmon qeverinë socialiste për tarifën e "Rrugës së Kombit" dhe taksat e biznesit të vogël. Madje, ajo zhvilloi dhe një fushatë të mosbindjes civile kohët e fundit.

Ka disa javë që PD-ja po sulmon ministrin e Brendshëm, Xhafaj për mbrojtjen nga ekstradimi, që sipas saj, i ka bërë vëllait të tij, të dënuar me vendim të formës së prerë para pesë vjetësh në Itali, për trafik droge në bashkëpunim.

Ka disa javë që PD-ja, pasi zhvilloi Kuvendin e saj statutor, po mundohet t'u mbushë mendjen përkrahësve se partia do të jetë tani më e hapur dhe më demokratike, (Kryetari nuk do të mund t'i bëjë më listat e kandidatëve për kryebashkiakë dhe deputetë sipas tekave të veta).

Të gjitha këto aksione politike do të duhej t'i rrisnin ndjeshëm kuotat e PD-së në opinionin publik (në krahasim me kuotat e saj tejet të ulëta në zgjedhjet e vjetshme). Por a ka ndodhur kështu?

Sipas një sondazhi që zhvillova gjatë fundjavës, për një revistë që botohet këtu në anglisht, rezultoi se numri i përkrahësve të PD-së ka pësuar një rritje statistikisht domethënëse, krahasuar me numrin e atyre që e votuan atë në zgjedhjet e vjetshme (shihni grafikun shoqërues). Por sidoqoftë, ajo mbetet ende larg kuotës së 680 mijë votave, që mori koalicioni i djathtë në 2013-ën. Dhe kjo ndodh kur të gjitha partitë e tjera regjistrojnë rënie domethënëse të përkrahjes.

Një problem i madh për PD-në (që zbulon analiza e hollësishme e përgjigjeve në sondazhin e sipërcituar) është ai i mostërheqjes drejt saj të votuesve të partive të vogla. Partitë e vogla (PDIU, LIBRA, FRD, SFIDA, PSD, etj.) morën plot 145 mijë vota vjet, ndërsa sot kanë vetëm 60 mijë përkrahës. Pra, një pjesë e mirë e 85 mijë votuesve të larguar nga partitë e vogla nuk janë gati të votojnë sot për PD-në, si partia kryesore e opozitës.

Gjithashtu, PD-ja nuk është në gjendje të tërheqë në mënyrë masive zgjedhësit e djathtë që nuk morën pjesë në votim vjet. Mos të harrojmë, se asaj iu larguan vjet plot 220 mijë votues të djathtë (në krahasim me 2013-ën).

Sipas sondazhit, rreth 160 mijë votues janë sot të lëkundur (mes votimit dhe mosvotimit). Por ndër ta, vetëm rreth 20 mijë votuan vjet për PD-në. Ndërsa rreth 140 mijë të lëkundurit e tjerë votuan vjet për partitë "e majta" (PS, LSI, PDIU, PSD, LIBRA, SFIDA, etj.), ose nuk votuan fare.

Duke përmbledhur, mund të thuhet se PD-ja ka njëfarë rritje (në krahasim me kuotën e ulët që regjistroi në zgjedhjet e vjetshme), por duket ende shumë larg kuotës së 2013-ës...

Ndalohet rreptësisht ripublikimi i këtij shkrimi pa një leje të shkruar nga redaksia e Albanian Free Press

Shënim: Qëndrimet e shprehura në shkrimet e rubrikës Opinion, nuk përfaqësojnë domosdoshmërisht një vijë editoriale të Albanian Free Press

Shpërndajeni me miqtë tuaj: