PAZAR RAMA-BASHA NË HORIZONT? – ANALIZË NGA PLATOR NESTURI

PAZAR RAMA-BASHA NË HORIZONT? – ANALIZË NGA PLATOR NESTURI
Nga Plator Nesturi

Ky artikull është shkruar posaçërisht për gazetën “Albanian Free Press”

Pas debatit të ashpër lidhur me organizimin e brendshëm dhe statusin e ri, ku forcohet kompetenca e kryetarit të partisë, PD-së i duhet një betejë politike për të vendosur veten në moto. Është gjëja më normale që një opozitë duhet të bëjë. Të nxjerrë mësime nga dështimet e të rimarrë pozicionin e luftëtarit, nëse do që të mbetet aktor dhe faktor politik njëkohësisht. Çështja Tahiri duket se po mban peshën kryesore të ligjërimit politik të opozitës, por gjithsesi dhe qëndrimi ndaj kësaj çështjeje, ka patur shumë zigzage në gjashtë muajt që ish-ministrit i është hapur ndjekje penale. Më së shumti, Tahiri është një cassus për të ushtruar presion ndaj Ramës, sesa si një thirrje për të bërë drejtësi nga një sistem që është në reformim e sipër. Gjithsesi, ose për mungesë strategjie, ose pse po hap një shteg të ri komunikimi me vetë Ramën, opozita, në këto muaj, veçse ka braktisur çështjet për të cilat ka deklaruar se, do t’i çonte drejt fitores dhe drejt përmbysjes së Ramës.

Le të kujtojmë për këtë, protestën e Kukësit dhe thirrjen për mosbindje civile, të cilat u lanë pas dore, thuajse nuk kanë ndodhur.

Ajo çfarë ra në sy ditë të shkuara, ishte deklarata e aleatit të PD-së, Duka, që bëri thirrje se duhet të nisë punë për reformën zgjedhore dhe miratimin sa më parë të saj, nga Parlamenti. Po ashtu, edhe zëra të veçantë hedhin idenë se, në skenë mund të vijnë dhe zgjedhjet e parakohshme, si rezultat i zhvillimeve të papritura politike. Dhe në këtë rast, duhet që të jetë miratuar qysh më parë kodi i ri elektoral. Ndërkohë, nëse rikthehemi në kohë, miratimi i ligjit të ri elektoral, ka qenë lëvizja e parë politike e Bashës, menjëherë pasi PD-ja humbi zgjedhjet dhe pas fushatës për kryetarin e ri të PD-së. Një lëvizje që, si zakonisht, është lënë në harresë dhe që duket se u krye vetëm për të krijuar vëmendje, në një moment kur flamujt e opozitës, ishin ende në baltë. Po miratimi i një ligji të ri kërkon që, palët të ulen në një marrëveshje për të arritur votat e duhura të dy të tretave. A është kjo një thirrje indirekte, për një marrëveshje të re Rama-Basha?

Ligji i ri elektoral është, sidoqoftë, një nismë e re, për një beteje të lënë përgjysmë prej mandatit të kaluar. Ndryshimet në Kodin zgjedhor dhe përmirësimet përkatëse, kanë qenë një detyrë e vjetër e OSBE-ODHIR, si pjesë e rekomandimeve drejtuar klasës politike, për t’i përmbushur për në rrugëtimin e integrimit për në BE. Këto detyrime nuk u përmbushën në katër vite dhe këtu nuk ia vlen të merremi me arsyet e vërteta, se pse nuk u arrit ndryshimi i ligjit. Me sa duket, askujt prej palëve nuk i interesonte përmirësimi konkret i kodit zgjedhor, dhe historitë me numërim elektronik, a me votim emigrantësh, nuk ishin gjë tjetër veç sebepe për t’i mbajtur gjërat nderur. Pasi siç ka ndodhur rëndom në historinë e pluralizmit shqiptar, dy partitë kryesore nuk janë marrë ndonjëherë veçmas, thjesht me kodin a sistemin elektoral. Në të gjitha rastet, ndryshimet e sistemit zgjedhor kanë qenë pjesë e një pakete më të gjerë marrëveshjesh, që kanë ndërmarrë liderët e partive kryesore.

Nëse këtë rregullim punësh me sistemin zgjedhor e marrim si trend, a mos, dhe në këtë rast, Basha kërkon një marrëveshje të re me Ramën? Në një debat kompleks brenda PD-së, e ku autoriteti i Bashës është në kuotat më të ulëta, atij i duhet një lëvizje ku të dalë në pah, jo vetëm si përfaqësuesi i PD-së dhe si lider i saj, por edhe si figura që kundërshtari e respekton në një tryezë bisedimesh. Kryetari i PD-së është shprehur se, marrëveshja me kryeministrin Rama përpara zgjedhjeve, quhet e vdekur, megjithëse ministrat e tij qeverisën bashkë dhe gati tre muaj me Ramën, si fitues zgjedhjesh. Gjithsesi, dhe nëse e quan marrëveshjen e pragzgjedhjeve të vdekur, kjo nuk hedh poshtë dëshirën për një marrëveshje të re, ndonëse në të njëjtat tema reference.

Bashës i intereson një fokusim i ri kamerash, ku ai del duke zbritur shkallët pas një bisede me kreun e shumicës. Dhe Rama nuk është çudi t’ia plotësojë këtë trill të vockël.  Trill me anë të të cilit, kryetari këmbëlëkundur i PD-së, do të fashisë debatin brenda kampit të vet, me imazhin e politikanit që po e imponon kundërshtarin për bisedime e marrëveshje. Trill i cili i vjen përshtat edhe vetë Ramës, pasi me Bashën në tryezë dhe LSI jashtë saj, i rikujton ish-aleatëve se, në vendimin e ndarjes ata mbeten të humbur e të vetëm, pasi dhe në opozitë mbeten të përjashtuar nga koalicioni me Bashën.

Ndaj, të gjitha debatet e tanishme për beteja të reja, duken shumë cinike, kur qëllimi mbetet ndryshe. Takim e marrëveshje. Se sa të ngutura e të papërgatitura janë nismat e ndërmarra, duket dhe nga fakti se, idetë nuk i kemi ende të radhitura qartë si projekt në letër, por në formë deklaratash. Dhe absurdi shkon deri në idenë e hedhur si tym, për të rikthyer sistemin mazhoritar. Sistem që ndonëse Rama bën sikur nuk e dëshiron, i shkon më për shtat PS-së dhe strukturës së saj elektorale. I shkon për shtat të fortëve, që do mbysin zonën elektorale me pará dhe influencë, çka i imponon partive politike, të bëjnë pazare me skifterët lokalë.

Ndalohet rreptësisht ripublikimi i këtij shkrimi pa një leje të shkruar nga redaksia e Albanian Free Press

Shënim: Qëndrimet e shprehura në shkrimet e rubrikës Opinion, nuk përfaqësojnë domosdoshmërisht një vijë editoriale të Albanian Free Press

 

Shpërndajeni me miqtë tuaj: