PAS AKUZAVE/ Rama ngrin Xhafën: Më prit deri në orën 11

PAS AKUZAVE/ Rama ngrin Xhafën: Më prit deri në orën 11
Për herë të parë, kryeministri ka reaguar dje në lidhje me akuzat e njëpasnjëshme që opozita po drejton ndaj ministrit të Brendshëm, Fatmir Xhafaj. Nga Parisi, ku gjendej për një vizitë zyrtare, ai ka shkruar se do të japë një përgjigje rreth kësaj çështje, sot, gjatë mbledhjes së grupit parlamentar.

"Jemi të gjithë njësoj? JO, s’kemi qenë asnjëherë të gjithë njësoj e s’do jemi kurrë njësoj! Nesër në 11.00 përpara Grupit Parlamentar, qëndrimi im për situatën e krijuar me ministrin e Brendshëm dhe ecurinë e përpjekjes diplomatike drejt objektivit historik të çeljes së negociatave", ka shkruar Rama.

Duke paralajmëruar në këtë mënyrë se rasti “Xhafaj” nuk do të jetë e vetmja temë diskutimi e tij sot me deputetët socialistë, por edhe ajo nëse kreu i qeverisë arriti të marrë në Paris prej Macronit, dritën “jeshile” mbi hapjen e negociatave gjatë muajit qershor.

Gjithsesi, kreu i qeverisë ende nuk e ka përcaktuar qartë se çfarë qëndrimi do të mbajë sot ndaj ministrit të tij. Por ajo që ka rëndësi për të gjithë është fakti se në fund të fundit, nga mazhoranca do të mbërrijë një i tillë në lidhje me sulmin e intensifikuar të opozitës ndaj tij.

Kujtojmë sakaq, se kreu i saj, Lulzim Basha, doli dje me akuza të reja për çështjen “Xhafaj”.

“Në emër të opozitës, kërkoj largimin e menjëhershëm të Fatmir Xhafajt nga detyra e ministrit të Brendshëm”, apeloi ai, duke shtuar më tej se shqiptarët kanë ditë që po e kërkojnë këtë.

Ndërsa sot, opozita pritet që të organizojë edhe një protestë para ministrisë së Brendshme, pasi për këtë është rënë dakord me krerët e tjerë të partive opozitare. Dhe për këtë, kreu i grupit parlamentar demokrat, Edi Paloka ka zhvilluar madje një takim me përfaqësues të degëve. Teksa aksionet në fakt, opozita i ka nisur që ditën e djeshme, pasi i gjithë grupi i PD-së është paraqitur në komisionet parlamentare duke bllokuar punimet e tyre.

 

Shpërndajeni me miqtë tuaj: