ORTOGRAFIA POLITIKE! – PËRSIATJE NGA JUELA MEÇANI

ORTOGRAFIA POLITIKE! – PËRSIATJE NGA JUELA MEÇANI
Nga Juela Meçani

Ky artikull është shkruar posaçërisht për gazetën “Albanian Free Press”

Në shfletim të projektligjeve dhe VKM-ve në një faqe zyrtare, si pasojë e një “shtrembërimi” profesional që na është bërë gati cen, humba vëmendjen nga ajo që shkruhej aty dhe dallova ato, të poshtrat, gabimet ortografike.

Uh, sa shumë që qenë, shumë dhe trashanike.

Bëjmë gabime ne gazetarët? Sa të duash, madje edhe me dallim brezor. Ne, “fatkeqët” e katërvjeçarit “të nderuar dhe respektuar”, të asaj shkollës me fotokopje e me shënime, duhet të pranohet, jemi aty diku në ekselencë të gjuhës, pavarësisht dallimeve mes nesh, por në përgjithësi, nxitemi të jemi korrektë dhe kur nuk dimë diçka, pyesim. Ndoshta, nuk kemi shumë letra doktoraturash të varura në mur, por atë shejtan shkollë e kemi përthithur deri në stomak. Kjo na bën shumë sqimatarë, edhe ndaj gabimeve në shkrim.

M'u kujtuan, teksa lexoja të shumtat gabime në dokumentet zyrtare, që, me ndryshimin e kahut politik, turma e zyrtarëve, më së shumti zyrtare, ato gra të reja që erdhën si një uragan, me bujë, dajre e potere, bënë maksimumin për të treguar se vinin me një “erë perëndimore”; se ne “të mëparshmit” kishim qenë të trashë boll, se nuk “dinim të kopsitnim letra e dokumente”, se duhet filluar revolucioni në gjuhë, gabime dhe koka memosh me “shifra masive” në fund, por pak si në hije.

M'u kujtua edhe që, në përpjekjen për të konkluduar operacionin “fshesa” në administratë, një nga sebepet u gjet pikërisht te shkrimi, si një përmbushje e amanetit kryeministror për një gjuhë shqipe pa gabime. Në duar, asokohe, më erdhi kontrata e re e punës, e përpiluar nga të rejat prurje, me studim e vizion perëndimor, që ishte plot e përplot me të shumtat gabime.

Por kanë kaluar aq shumë kohë që atëherë dhe ja kur nxjerr kokën përsëri, ai, projektligji me gabime në faqen zyrtare, çdo paragraf me një gabim.

Uauuu, si i ka shpëtuar ky detaj vëmendjes së lidershipit?

Por, për të qenë e sinqertë, edhe ata që janë të fiksuar me gabimet, nuk është se më duken aq normalë. Pa ndonjë shpjegim real, për sa kohë kjo vëmendje ndaj gjuhës korrekte drejtohet nga dokumentet zyrtarë, jam shumë dakord dhe e përkrah. Por kur lexoj njerëz që duhet të hiqen shumë intelektualë, duke korrigjuar qoftë edhe një gabim shpejtësie, në një status Facebook-u, aty pastaj hyn fiksimi, teprimi, zevzekllëku.

Ka nga ata që, duke lexuar postimet në Facebook ose në gazeta, nuk humbasin gabimin më të vogël gramatikor dhe janë gjithmonë të gatshëm të kritikojnë autorin. Por ajo që duket të jetë një akt mbrojtjeje përkundrejt gjuhës, për një grup shkencëtarësh, nuk është gjë tjetër veçse një sjellje që mund të zbulojë shumë nga personaliteti i një individi.

Kur hulumtova dhe e lexova këtë aspekt, me veten shpjegova mjaft ngjarje. Mësova se, sipas studimeve të reja, njerëzit më të ndjeshëm ndaj gramatikës, kanë tendencë të jenë të mbyllur dhe jo të disponueshëm për të tjerët, si dhe të jenë gjithmonë të gatshëm për të gjykuar.

Vullnetarët pastaj, përpiluan testin e personalitetit dhe iu përgjigjën disa pyetjeve rreth moshës së tyre, prejardhjes sociale dhe marrëdhënies së tyre me gjuhën. Nga eksperimenti u shfaq se, më kritikët dhe më të ashprit ndaj autorëve të shpërqendruar dhe të papërsosur, ishin më introversë dhe më me skrupuj. Dhe më pak të hapur dhe "të përshtatshëm" gjithashtu.

"Kjo është për shkak të faktit se, njerëzit më pak të disponueshëm, tolerojnë me vështirësi devijimet nga norma", shpjegonin studiuesit.

Gjykimet që nuk janë gjithmonë të favorshme, mund të ndihmojnë për të kuptuar më mirë, se si njerëzit komunikojnë në internet dhe kush fshihet pas fyerjes së shkruar në përgjigje të një gabimi “të pafalshëm”.

Por, nëse me intolerancën ndaj gabimeve në gjuhë, ke përplasur një fushatë denigrimi ndaj një administrate paraardhëse, e ndërkohë kur operacioni “fshesa” mbaron, letrat zyrtare kthehen në “letra bakalli” deri në papërgjegjshmëri, i bie që nuk je një “vëzhgues introvert gabimesh” me personalitet të mbyllur, por një lojtar hileqar, me një “ortografi politike” plot shkarje e kurthe.

Ndalohet rreptësisht ripublikimi i këtij shkrimi pa një leje të shkruar nga redaksia e Albanian Free Press

Shënim: Qëndrimet e shprehura në shkrimet e rubrikës Opinion, nuk përfaqësojnë domosdoshmërisht një vijë editoriale të Albanian Free Press

 

Shpërndajeni me miqtë tuaj: