Operatorët turistikë: Sezoni i ri, në Shqipëri më shumë turistë sesa vjet

Operatorët turistikë: Sezoni i ri, në Shqipëri më shumë turistë sesa vjet
Flasin për “Albanian Free Press”, përfaqësues të njohur të operatorëve turistikë në vend, Besnik Vathi dhe presidenti i shoqatës së tyre, Rrahman Kasa...Cilat janë pritshmëritë e tyre për sezonin e ri turistik në vend?

Intervistoi për “Albanian Free Press”: Eglantina Nasi

BESNIK VATHI, Operator turistik:

Ky sezon turistik, më i mirë se ai i vitit të kaluar

Z. Vathi, si paraqitet sezoni turistik që po troket? Ku ndryshon nga ai i kaluari?

Në këtë vit ka më shumë fluturime charter drejt Shqipërisë, numri i tyre është dyfishuar në krahasim me vitin e kaluar dhe kapacitetet e hoteleve të plazheve, sidomos në Durrës dhe në Sarandë janë pothuajse të shitur për gjithë sezonin veror. Ndërkohë, që po vazhdojnë edhe turistët, të cilët vijnë për ekskursione në periudhën e vjeshtës dhe të pranverës. Pra, ky sezon turistik në Shqipëri mund të themi se është më mirë se ai i vitit të kaluar.

Ndikojnë sipas jush në këtë ecuri edhe linjat e reja charter që janë futur për turistët e huaj?

Në fakt, duhet sqaruar se ato janë linja vetëm për turistët e huaj që vijnë nga ato vende, por jo për turistët shqiptarë drejt atyre vendeve. Është komentuar gabim ndoshta. Ato janë fluturime charter që operatorë të huaj i kanë vendosur në dispozicion për të sjellë turistët e tyre drejt Shqipërisë. Me përjashtim të Budapestit dhe Londrës, të cilat janë fluturime të vendosura për linja të rregullta. Ndërsa të gjitha të tjerat janë fluturime charter, që nuk i shërbejnë publikut apo turistëve shqiptarë, por vetëm të huajve që vijnë drejt vendit tonë.

Çfarë ofron Shqipëria në aspektin e akomodimit të turistëve të huaj? A ekzistojnë kapacitetet e duhura? Në një kohë që tek ne ende po pastrohen plazhet...

Probleme ka patur dhe do të ketë gjithmonë. Tani që po vijnë, edhe ne jemi më shumë të detyruar që t’i rregullojmë gjërat, sepse e kuptojmë më mirë dhe më qartë, zgjidhja e problemeve dhe pastërtia e tyre.

Po turistët nga Shqipëria, ku po zgjedhin të shkojnë këtë verë? Cilat janë parashikimet rreth tyre?

Në krahasim me vitin që kaloi, duhet thënë se në Turqi janë rritur çmimet. Perceptimi im është që do të ketë më pak njerëz që do të shkojnë drejt këtij vendi. Por pavarësisht nga kjo, është herët të flasësh për prenotimet, sepse nuk funksionon njësoj si jashtë. Ne duhet të shesim sot, për të udhëtuar nesër. Pavarësisht, destinacione të reja ka. Këtë vit ofrohen Malta, Costa Brava, Rimini, Greqia, Turqia, kroçere të ndryshme. Në krahasim me vitin e kaluar ka destinacione të reja, të ofruara për turistët shqiptarë. Gjithsesi, ende nuk e dimë sesi do të shkojë ky sezon. Të presim të fillojë.

Edhe diçka tjetër, a ka ndikuar nënçmimi i euros në tregun e këmbimit valutor lidhur me paketat etj?

Unë kam një mendim që euron e ka ulur ardhja e turistëve që kanë ardhur në Shqipëri. Të gjithë kanë filluar parapagimet. Dhe në krahasim me një vit më parë, ka më shumë parapagime me euro, nga turistët e huaj që do të vijnë në Shqipëri. Unë i qëndron teorisë që thatë ju për ata ekspertët, natyrisht që ka ndikuar dhe mendoj se ky është faktori kryesor. Deri në qershor të paktën, kur edhe bëhen parapagimet, se më pas, shpenzimet e të huajve këtu janë më të pakta.

 

RRAHMAN KASA, Kreu i Shoqatës së Operatorëve Turistikë:

Do shtohen turistët për plazh, por jo ata që thjesht e vizitojnë Shqipërinë

 Z. Kasa, si paraqitet sezoni turistik që po troket? Ku ndryshon nga ai i kaluari? Cila është pritshmëria rreth tij apo e kontratave që pritet të lidhen me turistët e huaj?

Duhet thënë se sivjet ka një rritje të sezonit, e cila shkon në nivelet prej 12 deri 15 për qind. Duke vazhduar në fakt trendin pozitiv, që është vënë re gjatë gjithë këtyre viteve të fundit. Por kjo duhet thënë se vlen kryesisht për turistët që vijnë në vendin tonë për të bërë plazh dhe jo ata për qëllime kulturore etj, apo turet e ndryshme që vijnë thjesht për ta vizituar vendin tonë. Gjatë këtij viti, këto të fundit paraqiten në të njëjtin nivel, si edhe gjatë vitit të kaluar.

Nga cilat vende po vijnë kryesisht turistët e huaj këtë vit?

Nga vendet nordike kryesisht dhe duhet thënë se kjo përbën një risi, sepse nuk kemi patur fare turistë nga këto vende dhe ata po vijnë për herë të parë drejt vendit tonë si turistë. Ata janë më shumë të organizuar me avionë charter.

Meqë përmendët linjat charter, mendoni se dhjetë linjat e reja të vëna në dispozicion gjatë kësaj vere, do t’i shtojë më shumë turistët?

Ato patjetër që do të ndikojnë, sepse janë të garantuara. Këto me pushues do të vijnë, janë të mbushura. Janë të paktën pesë fluturime në javë, të cilat janë shtuar sivjet nga vendet nordike, të tilla si Finlanda, Suedia, Danimarka, Norvegjia. Ato janë prenotuar pikërisht nga kompani turistike që sjellin pushues, nuk janë avionë që i vënë në dispozicion kompanitë ajrore.

Po tregu i fqinjëve, të tilla si Kosova apo Maqedonia, si paraqiten sivjet? A keni ndonjë sinjal për pritshmërinë e ecurisë së tyre?

Këto në fakt, janë tregje që nuk mund t’i kontrollojmë, sepse janë tregje që nuk punojnë me kontrata garancie të vendosura që më përpara, kështu që ne nuk e dimë në çfarë nivelesh do të jenë, por mendoj që do të kenë pak rënie, sepse nuk do të ketë as hotele të mjaftueshme sivjet, ngaqë janë zënë më shumë nga këta të huajt.

Meqë ra fjala te hotelet, a i gëzon Shqipëria kapacitetet e nevojshme të presë një sasi të madhe turistësh?

Ne i kemi, sepse ata vijnë të organizuar dhe me kontrata të firmosura që para një viti. Por nëse ka kërkesa të reja që kanë ardhur tani, duhet thënë se ka nevojë për shtimin e dhomave dhe të njësive akomoduese në tërësinë e tyre.

Po në lidhje me nënçmimin e euros, mendoni se kjo ka ardhur si pasojë e prurjes së madhe valutore nga turistët?

Jo, nuk mendoj se ka qenë nga kjo. Është thjesht çështje e kursit të këmbimit valutor.

Shpërndajeni me miqtë tuaj: