NJË VIT NGA MARRËVESHJA RAMA-BASHA – ANALIZË NGA PLATOR NESTURI

Publicitet
Publicitet
NJË VIT NGA MARRËVESHJA RAMA-BASHA – ANALIZË NGA PLATOR NESTURI
Nga Plator Nesturi

Ky artikull është shkruar posaçërisht për gazetën “Albanian Free Press”

Në 18 maj të vitit të kaluar, pikërisht ndërsa po humbnin gjithë afatet ligjore për nisjen normale të fushatës së zgjedhjeve parlamentare dhe ndërsa opozita kishte kërcënuar me bojkotimin e tyre, një takim kokë më kokë, Rama–Basha, zgjidhi ngërçin. Në atë kohë, u fol për një marrëveshje të gjerë, ndonëse asnjëherë nuk u bënë të ditura, as teksti i saj, as detajet shoqëruese. Sidoqoftë, zgjedhjet u shpëtuan. Opozita hyri në zgjedhje, ndërsa Rama liroi, përkohësisht, disa vende ministrash për opozitën, sa të zyrtarizonte mandatin e tij të ri si shumicë.

Zakonisht, marrëveshjet bëhen për të gjetur zgjidhje të qëndrueshme për një afat të mjaftueshëm kohor, derisa të përmbushen kushtet e marrëveshjes. Përderisa ende nuk është e ditur se ku konsistonin pikat e marrëveshjes, është e kuptueshme që dhe jetëgjatësia në kohë e saj, nuk mund të mendohet. Nuk ishte hera e parë që ndodhnin marrëveshje të tilla. Dikur, takimi Nano-Berisha uli tonet e përplasjes për të legjitimuar zgjedhjet parlamentare të 2001 dhe prodhoi një president të propozuar nga opozita. Duhet të kujtojmë se, në këtë periudhë, pati një detantë që zgjati jo pak dhe PS u mor, më së tepërmi, me konfliktin e saj të brendshëm, Nano–Meta. Një marrëveshje e re u prodhua në vitin 2008, kur Berisha dhe Rama prodhuan një bashkëpunim të gjerë në ndryshimet për reformën zgjedhore, si dhe për ligje të veçanta. Pavarësisht kundërshtive të partive të vogla, marrëdhëniet midis dy partive të mëdha, PS-PD, ishin korrekte dhe bashkëpunuese gjatë kësaj kohe. Dhe kjo periudhë nuk zgjati pak, pavarësisht se më vonë Rama u shpreh se kishte bërë gabim që bëri atë marrëveshje.

Tashmë, ndërsa rikujtojmë se një vit më parë, dy liderët që sot ndeshen me aq zjarr, u ulën së bashku duke firmosur një dokument që atëkohë u konsiderua si zgjidhje afatgjatë e krizës politike, pyetja që mund të shtrohet, është: Konflikti i sotëm është, pse marrëveshja ishte e dobët apo pse palët nuk iu përmbajtën asaj? Mesa doli në media në atë kohë, u fol se bashkëpunimi do të ishte për reformën në drejtësi, për një rirregullim të reformës territoriale dhe një reformë të re zgjedhore. Në të tri këto pika, nuk ka patur as edhe më të voglin hap. Në drejtësi, reforma mbetet e bllokuar, përderisa Parlamenti ende nuk ka ushtruar funksionet e tij, për të emëruar Këshillin e Gjyqtarëve dhe atë të Prokurorëve, që do të hapnin rrugën për ngritjen e institucioneve të reja. Ndërsa për reformën zgjedhore dhe rregullimet e reformës territoriale nuk ka patur asnjë hap dhe asnjë iniciativë të re.

Dy muaj pas marrëveshjes, ndërsa ishte "i ngrirë" si kryetar pas humbjes së zgjedhjeve dhe priteshin zgjedhjet e reja në PD, Basha deklaroi se Rama nuk i ishte përmbajtur marrëveshjes dhe kështu nuk do e njihte atë. Por nëse fajtor do të ishte vetëm Rama, nuk do të kushtonte asgjë që teksti i marrëveshjes të bëhej publik. Mesa duket, marrëveshja ishte aq e dobët dhe shërbente vetëm si shkak për të dalë nga impasi ku ishte futur PD-ja, që, në atë mënyrë, po dilte jashtë sistemit. Në vetvete, në të nuk ka patur asnjë element garancie që të bënte të mundur bashkëpunimin midis dy forcave kryesore politike. Argument për këtë është vetë pozicionimi i Ramës gjatë fushatës zgjedhore, menjëherë pas marrëveshjes me Bashën, ku deklaronte se nuk ka ndarje tepsie dhe timonin do ta kishte ai i vetëm. Dhe i vetëm e mori, duke e drejtuar për qejf të tij.

Tashmë, një vit më pas, situata politike është sërish e rënduar. PD-ja nuk mund të bëjë një presion të drejtpërdrejtë në formë ultimative, se do të bllokojë një proces zgjedhor. Zgjedhjet janë ende larg. Por kapja pas tezës së korrupsionit të lartë në vend dhe çështjet e krimit të organizuar, kanë krijuar sidoqoftë, jo pak probleme për shumicën. Pavarësisht se, opozita është shumë e dobët në aspektin e besueshmërisë së saj, rastet e denoncuara kanë prodhuar jo thjesht konfliktualitet në sallën e Parlamentit, por dhe uljen e kredibilitetit të gjithë klasës politike, në sytë e opinionit publik. Edhe kaq nuk është gjë e vogël.

Çështja që shtrohet, ndërsa beteja politike vijon e ashpër, është se, ku do të arrijë opozita? Në zgjedhje të reja, në një qeveri teknike apo në një marrëveshje të re me Ramën? Tek zgjedhjet e reja askush nga opozita nuk prononcohet, pasi duket që është e bindur se janë ende të dobët të përballen në betejë. Diku, herë pas here, dëgjohet ndonjë ide për qeveri antimafie ose që qeveria të drejtohet nga një tjetër socialist, por jo nga Rama. Por dhe kjo është e qartë se qëndron jashtë vullnetit të tyre. Ndërkohë, ajo çka vihet re më së shumti, pavarësisht trashjes së zërit dhe fjalive luftarake, është se Basha nuk heziton t’i shkelë syrin, herë pas here, Ramës. Në emër të procesit të integrimit ose dhe të një konsensusi të ri për emrat për reformën në drejtësi, të gjitha këto janë ftesa të tërthorta që të ulen bashkë dhe veçan, për të gjetur gjuhën e mirëkuptimit. Pavarësisht se, dje, u godit Tahiri dhe sot Xhafaj, për Ramën akuzat janë vetëm, pse po i mbështet e jo për tjetër. Çka thjesht hap kanalin për komunikim me anë presioni. Por sa e dobishme dhe funksionale mund të jetë një marrëveshje e re, këtë askush nuk mund ta thotë...

Ndalohet rreptësisht ripublikimi i këtij shkrimi pa një leje të shkruar nga redaksia e Albanian Free Press

Shënim: Qëndrimet e shprehura në shkrimet e rubrikës Opinion, nuk përfaqësojnë domosdoshmërisht një vijë editoriale të Albanian Free Press

Shpërndajeni me miqtë tuaj: