NJË DORËHEQJE E VONUAR – FAKTI I DITËS NGA PLATOR NESTURI

NJË DORËHEQJE E VONUAR – FAKTI I DITËS NGA PLATOR NESTURI
Nga Plator Nesturi

Ky artikull është shkruar posaçërisht për gazetën “Albanian Free Press”

Samir Tahiri dorëzoi mandatin e tij si deputet, duke qenë tashmë qytetar i thjeshtë përballë drejtësisë. Çështja e përplasjes politikë–prokurori mbi imunitetin e tij, sa i takon veprimeve të organit të akuzës, në këtë mënyrë bëhet nul, ndërsa do të priten dhe procedurat zyrtare të KQZ-së për heqjen e mandatit. Tashmë është në dorën e prokurorisë, të vijojë seriozisht çështjen e cila për më se shtatë muaj, ka qenë në fokusin qendror të opinionit publik. Madje, jo vetëm ndaj Tahirit, por edhe për shumë çështje të tjera përvëluese nga të dyja kahet e politikës. Pasi vetë rasti Tahiri, dëshmoi se edhe politika nuk mund të të mbrojë pafundësisht.

Dalja e ish-ministrit të Brendshëm në selinë e kryesisë së Kuvendit, ishte një ngjarje që gjithsesi do të lërë pasoja për zhvillimet e mëtejshme politike. Një ngjarje kur, për herë të parë, politikës i prishet qetësia nga monotonia kënetore, që e ka pushtuar për 28 vjet. Dorëheqja e Tahirit nuk është as një fitore e opozitës, siç nxitoi të thotë PS-ja dhe as lehtësim për Ramën, që e mbuloi me heshtje këtë akt. S’ka sesi të jetë fitore për opozitën, pasi as hapja e hetimit nuk ishte për meritë të saj, as heqja e imunitetit prej presionit të ushtruar. Në të kundërt, asaj më shumti i ka interesuar qenia e Tahirit në Parlament, si një target më i lehtë për tu sulmuar politikisht, si ai dhe Rama si mbështetës. Ndërkohë, vetë kryeministri nuk mund të ndihet i lehtësuar, duke e trajtuar thjesht si akt personal i një ish-deputeti dhe ish-ministri të tij, përderisa kur gjithkush shkon në rrugë të vet, mund të hapë petë që s’do mund të hapen kur janë së bashku. Askush nuk mund të dijë se, çfarë sjell largësia dhe të papriturat e jetës.

Ajo çfarë u pa dje, në fjalën e Tahirit, ishte mbushja e saj me sulme dhe shumë moral. Moral i cili bëhet i lodhshëm, sidomos kur vjen nga politika e aq më tepër kur punët nuk i ka mirë. Ky lloj fjalimi mund të bëhej në një tjetër kohë, atëherë kur për moral dhe pas akuzash të rënda që bëhen për trafik e bashkëpunim me trafikun, mund e duhej të ishte dhënë dorëheqja, që gjashtë muaj më parë. Në atë rast, ky lloj morali mund të dëgjohej më me durim. Pasi në botën demokratike, dorëheqjet e lëshimi i imunitetit janë bërë edhe për shkaqe nga më banalet, dhe jo më për akuza të këtij lloji.

Sidoqoftë, duke vijuar te sulmet, sërish ato ishin politike. Nuk u kursyen kundërshtarët që nga Saliu, Basha, Meta dhe Kryemadhi, për të vijuar me ish kolegun Xhafaj, sot pasardhës i tij në ministrinë e Rendit. Deri diku pritej kjo radhë akuzash, për vetë deklaratat e qëndrimet e tyre për rastin Tahiri. Pritej edhe për ministrin Xhafaj, etiketimi i drejtpërdrejtë, pasi ishte shprehur mbi nivelin e lartë të inkriminimit në radhët e policisë, çka bie ndesh me argumentin e Tahirit mbi sukseset e arritjet e tij si ministër rendi. Deri këtu nuk kishte ndonjë surprizë. Ajo çfarë po përcillej me vëmendje, ishte se çfarë qëndrimi do të ndeshej brenda fjalimit ndaj kryeministrit Rama, mbështetësit të tij më të madh në mandatin e kaluar. Në të vërtetë, Rama përmendej pak ose aspak në pjesën e rezervuar ndaj kundërshtarëve. I vetmi detaj reference, ndërsa Tahiri përmendi akuzat që ishin ngritur ndaj tij, ishte shprehja se dikush e kish quajtur "dru të shtrembër". Sidoqoftë, kjo thënie e dikurshme e Ramës, mund të quhet fare e padëmshme kur të tjerë e etiketojnë herë si ushtar të mafies e herë si kreun e saj. Në qetësinë e vet, Tahiri thjesht kujtoi se i ka regjistruar të gjitha çka janë thënë kundër e në adresë të tij, por vetëm kaq. Ose nuk është koha për të thënë më shumë, ose është gjetur mirëkuptim në distancë.

Ndërkohë, ajo për çfarë biem dakord është kur Tahiri deklaron se, "është shumë i vogël për të qenë pengesë për hapjen e negociatave". Kjo është shumë e vërtetë. Negociatat nuk mund të varen thjesht nga çështja Tahiri, por nga ecuria dhe rezultatet e një klase politike në përgjithësi dhe e shumicës në veçanti. Nëse do të ishim në parametrat e duhura, nuk do të ishim të listuar sot nga departamenti i Shtetit, si vend i trafikut të drogave dhe i pastrimit të parave të pista. Po të ishim brenda parametrave të një shteti normal, nuk do dëgjonim akuza pafund të politikës ndaj njëri-tjetrit dhe ndërkohë askujt nuk i hyn gjemb në këmbë. Në fund të fundit, nëse do ishim kaq normal e të përgjegjshëm, vështirë se do të kishim dhe një çështje Tahiri sot, me të tilla akuza. Ndaj vërtet, Tahiri është shumë i vogël të bllokojë negociatat me BE-në, por zullumi i një klase politike qenka kaq i madh, sa të na lerë gjithmonë të fundit në Europë, të varfër e zullumqarë të botës së krimit.

Ndalohet rreptësisht ripublikimi i këtij shkrimi pa një leje të shkruar nga redaksia e Albanian Free Press

Shënim: Qëndrimet e shprehura në shkrimet e rubrikës Opinion, nuk përfaqësojnë domosdoshmërisht një vijë editoriale të Albanian Free Press

Shpërndajeni me miqtë tuaj: