NA ISHTE NJË HERË MAFIA FOSHNJE... – OPINION NGA FRROK ÇUPI

NA ISHTE NJË HERË MAFIA FOSHNJE... – OPINION NGA FRROK ÇUPI
Nga Frrok Çupi

Ky artikull është shkruar posaçërisht për gazetën “Albanian Free Press”

Ka qenë një kohë kur, mafia shqiptare shfaqej si “infantile”, aq sa, kur dikush i përmendte emrin, “patriotët”shqiptarë, hidheshin përjetë “pse ky racizëm antishqiptar”. Njësoj si dikush të përmendte fëmijën e  një familjeje, dhe të gjithë t’i hidhen në grykë: “Po ti ore, nuk je njeri që zë në gojë një foshnjë”...

Ja, kjo ishte “mafia shqiptare”; për herë të parë në analet botërore, nisi të përmendej në vitin 1950...

Deri tani..., o nuk ishte rritur, ose ne nuk donim  të kuptonim se, në realitet “është rritur”. Mafia shqiptare ka sunduar pesë kontinentet ku banojnë njerëz. Megjithatë, ne nuk kuptojmë thelbin e mafies së vendit më të vogël në Europë: Rrezikun më të madh, mafia e një vendi e shkarkon mbi kombin e vet! Domethënë, ne rrezikohemi nga mafia jonë, për të cilën shumë njerëz janë “krenarë”, madje edhe e votojnë në shumicë...

A vërtet, mafia “jonë” ishte infantile?...

Sapo u hap e drejta e fjalës dhe e shprehjes, viti 1991, në gazetën e parë të lirë “RD”, botova shkrimin e një dëshmitari që tregonte se, në rërën e bregdetit të Durrësit, afër Shkozetit, ku i thonë edhe “lagjja e çamëve”, regjimi komunist kishte groposur qindra tonë duhan. Duhani, o ishte pronë e mafies së huaj dhe ishte fshehur në tokën tonë, me kujdestarinë e regjimit komunist, o ishte duhan i ngarkuar me agjentë nervin, që ngjasonte si një “Çernobil”i vogël kundër shqiptarëve “të lumtur që nuk kishin mafie”. Kushedi sa shumë njerëz kaluan pushimet e verës mbi atë “rërë të sigurt”...

Tani që mafia “jonë” ka kapur ministra, domethënë qeverinë; ka kapur Policinë e shtetit; ka kapur opozitën, diplomacinë, akademizmin, universitetet..., tani e shikojmë sa shumë është rritur. Në vendin tonë, mund të bëhet çfarë të duash; mund të përurohen bulevarde, mund të aspirohet për anëtarësim në BE, mund të lavdërohet lidhja me autokratin Erdogan; mund të tjetërsohet vota dhe vullneti i popullit..., por një gjë nuk mund të ndodhë: Një ministër i kapur në bandat kriminale të mafies së trafikut të drogës dhe armëve - ky nuk mund të arrestohet kurrë! Saimir Tahiri, ish-ministër dhe deputet, nuk do të arrestohet...

Njerëzit venë “baste”, nga mëngjesi në mbrëmje, pse nuk arrestohet ministri i kapur në banda kriminale... Dikush thotë se “i ka fakte në dorë kryeministrit”. Dikush thotë se “qeveria nuk e dorëzon dhe pikë”... E tëra është një analizë e përciptë. Ministrin Tahiri nuk e arreston dot as vetë Amerika. Ambasadori i Amerikës i akredituar në Tiranë, Donald Lu, ka thënë se, “ka prova që Saimir Tahiri është i përzierë në tregun e drogës dhe se do të jetë shpejt para drejtësisë”... Por asgjë!

Atëherë, pyetja: Pse nuk arrestohen krerët e mafies shqiptare?

Lajmi është i ëndë: Mafia është më e madhe se vetë shteti. Madje, mafia shqiptare ka një territor mijëra herë më të gjerë se territori i Shqipërisë dhe territoret ku jetojnë shqiptarë etnik në Ballkan. Mafia shqiptare - sipas të dhënave ndërkombëtare -  shtrihet me sundimin e saj, në gjithë Ballkanin, por edhe në Itali, Çeki, Sllovaki, Slloveni, Serbi, Kanada, Britani, Gjermani, Zvicër, Australi, Francë, Shtetet e Bashkuara, Holandë, Honduras, Izrael, Kinë, Suedi, Norvegji, Finlandë dhe pjesë të tjera të Europës. Sipas Institutit të Kërkimeve dhe Studimeve Europiane dhe Amerikane (RIEAS), grupet mafioze shqiptare gjenden shpesh të përfshirë në dy aktivitetet kryesore: Kriminale dhe Politike...

Atëherë, pse vallë ministri Tahiri del serbes në televizionet e Tiranës dhe kërcënon “me guxim”? Një politikan i opozitës, fatkeqësisht, e konsideroi “qëndrim dinjitoz” ministrin e mafies, sepse “nuk iu drodh syri”, sipas një fjalori të zakonshëm. Edhe vetë opozita po merret me “rimelin”e mafies, jo me vetë mafien...

Të gjithë aktorët e mafies: Ata të pushtetit dhe të opozitës, si edhe naivët,  mëshirën ndaj mafies shqiptare e kanë ngulur si një kolonë të emërtuar, “mafie foshnjore”. Askush nuk do të ndalej para rrezikut të “foshnjës”. Vetë politika po vringëllin armët e propagandës, kundër të gjitha atyre që “flasin për mafie shqiptare”. Qeveria i bëri thirrje opozitës (dhe opozita nuk kundërshtoi), që “të jemi bashkë për të mos çuar baltë në Europë”. Vetë fjalori është i stilit mafioz, por që ka në thelb qëllimin: “Të ndalohet çdo fjalë kundër mafies sonë, sepse të flasësh për mafien - kjo është antishqiptare”.

Ideja e “mafies së sapolindur”, u krijua fillimisht për të ruajtur diktaturën komuniste dhe krijesën e saj të kohës - mafien. Regjimi komunist shqiptar që kishte shtrirë influencat si mafie droge, armësh dhe agjentësh kimik, që nga Kina deri në Bolivi, u paraqit dhe paraqitet si regjim “i pastër” nga mafia. Vetë regjimi komunist gjakatar i Millosheviçit në Serbi, u konsiderua nga apologjetët si “protektor” kundër mafies. Kur e rrëzuan fuqitë e mëdha, apologjetët sulmuan: “Pse goditët shiritin e zamkës ku kapen mizat”? “Mizat” ishin mafiozët që paskan lëvrirë pas rënies së “zamkës”. Në fakt, mafia ishte mes nesh...

A duhet kthyer komunizmi, që të mbrohemi nga mafia?... Kjo është kërkesa politike që shtrohet tani edhe para nesh... Politika po pretendon “vijën e ashpër” të sjelljes, duke justifikuar se, “po bëjmë shtet”. Opozita nuk thotë kurrë se, “nëse forcojmë llojin autokrat të shtetit, kemi rritur mafien “foshnjë”. Ministri nuk do të arrestohet kurrë.

A do të na shpëtojnë të huajt prej “mafies foshnjë”? Opozita mendon se po; edhe media po kështu; edhe nëpër kafene të nxjerrin sytë po të thuash “jo”. Por mafiozët italianë - që po i kemi në kufi - janë të ngazëllyer, pse mafia shqiptare “u rrit”. Ata duan “bashkëpunim me një vend që po shndërrohet në Kolumbi të Europës”, citon Drejtoria e Hetimeve Antimafia Italiane (DHAI). Edhe në klubet e “shenjtërisë”, BE-ja ka nëpunës që i kanë sytë ngazëllues nga mafia “jonë”. Ndërsa ne jemi  të mashtruar, pse mafia është “e parritur”.

A do të jemi përjetë “të verbuarit e vullnetshëm”? Ne nuk e shikojmë mafien tonë, nuk e shikojmë që në kupolën e shtetit. Vullnetarisht bëhemi të verbër, siç edhe “vullnetarisht të Enverit”u bënë anëtarët e qeverisë sonë, që në fillim të lirisë. Verbëria është një mënyrë mashtrimi që ne e pranojmë “me qejf”. Mashtrimin na e imponojnë mjediset e autorizuara...,  në qeveri, në media, në diplomacinë e huaj. “Nuk ka mafie shqiptare”, - thonë këta. Sa herë dëgjoj këtë mashtrim, më vjen në mendje një nga mafiozët shqiptarë te Nju Jorkut. Ai quhej Xhevdet Lika, por kishte marrë emër tjetër: “Joey Lik”. Tani ai ndodhet në burgim të përjetshëm, sepse trafikoi 50 kilogramë kokainë... Ishte viti 1985 dhe kjo mund të quhej “mafia foshnjë”...

Ndërsa tani kemi një fabrikë të kokainës në Xibrakë, trashëgimtar i diktatorit Hoxha, i asaj epoke kur “nuk kishte mafie shqiptare”... A prapë e quajmë të parritur?!

Ndalohet rreptësisht ripublikimi i këtij shkrimi pa një leje të shkruar nga redaksia e Albanian Free Press

Shënim: Qëndrimet e shprehura në shkrimet e rubrikës Opinion, nuk përfaqësojnë domosdoshmërisht një vijë editoriale të Albanian Free Press

Shpërndajeni me miqtë tuaj: