MIRUPAFSHIM NË PROTESTË! – OPINION NGA SONILA MEÇO

MIRUPAFSHIM NË PROTESTË! – OPINION NGA SONILA MEÇO
Nga Sonila Meço

Ky artikull është shkruar posaçërisht për gazetën “Albanian Free Press”

Me një këmbëngulje të palodhur, media u mor gjatë me analizimin e një proteste të opozitës deri në detaje. U konsiderua e dështuar, u numëruan e rinumëruan pjesëmarrësit, ata poshtë pemëve e të tjerët shëllyer në diellin përvëlues të majit, u analizua me paragrafë fjalimi i liderit të opozitës, u argumentua thelbi i saj nga të gjitha këndvështrimet, herë me mungesë fokusi e herë me politizimin e panevojshëm. U konspirua mbi protestën, herë si benzinë për të ndezur edhe më zjarrin e pakënaqësisë nga skandalet e qeverisjes dhe herë si ujë për të kontrolluar e shuar më pas flakët e reagimit. U bllokuan ditë transmetimi programesh e faqe shtypi me analizat mbi protestën, duke na bërë të mendojmë se protesta vetë është një mall luksi në këtë vend, që jo gjithmonë e jo gjithkush mund ta ketë e provojë. Keqardhja më e madhe pas këtij trajtimi dhe stërhollimi për dështimin ose jo të protestës, përdorimit ose jo të liderit të opozitës, qëllimit dhe vlefshmërisë ose jo të saj, është se pyetjet bazike që triumfuan ishin: duhej apo jo protestë? Dhe dështoi a jo?

Se çfarë ka ndodhur me protestat, si bie e ngrihet fuqia e tyre, mjafton të hedhësh sytë nga fqinjët e më pas Europa për të kuptuar se, kauzat për të cilat edhe një njeri i vetëm proteston në rrugë, janë nga më të pabesueshmet. Ashtu sikurse bota ka marrë mësime të vyera edhe nga pranvera arabe, se një protestë gjigante shërbeu thjeshtë për të zëvendësuar një diktator me një tjetër. Kjo mund t’i ketë bërë eurokratët e zyrtarët e kancelarive, më pak mbështetës të protestave, por nuk ka guxuar askush të diskutojë nëse duhen ose jo, nëse ia vlejnë ose ajo, e nëse duhet me patjetër të kenë një produkt, përkundrazi. Historia na ka mësuar se, kur njerëzit ndihen të dëshpëruar për ndryshim, por ndjejnë se as protesta nuk funksionon, i varin shpresat në liderë të fortë. Duke u zgjatur jetën atyre ekzistues, ose duke mos mbështetur alternativat. Por është po përvoja që na mëson se, një protestë që të ketë sukses, duhet të ketë një moment historik, një mënyrë sa më ngjitëse, e cila ia vret frikën tjetrit dhe e bën si magnet edhe për një tjetër pjesëmarrës, dy, tre a më shumë të tjerë.

Mundet që taktika e thirrjes së një proteste nga liderë politikë dhe vijimi me të njëjtën formulë, duke mos prodhuar një ndryshim të dukshëm, të krijojë mungesë dëshire, besimi e shprese nga njerëzit për t’u bashkuar. Por nëse do kërkonim momentin historik, mjafton të shohim se në ç’zgrip gjendemi në vitin 2018, duke hedhur zaret nëse Europa do të vendosë gjeopolitikisht të na çojë në vagonin e negociatave në trenin e integrimit, apo do na lërë në fatin tonë, derisa të mësojmë të bëjmë shtet lokalisht. Se nuk jemi aq të rëndësishëm për gjeopolitikën, sa mendojmë.

Dhe çfarë e dikton këtë zgrip? Fakti se BE-ja është i vetmi shpëtim për të patur shtet në këtë vend. Me institucione, drejtësi, ekonomi të shëndetshme. Sepse në të kundërtën, asnjë ankth nuk do ta ndante kësisoj shoqërinë në “të mirë” e “armiq”, e nuk do mbushnim formularë lotarish, kërkesash për azil dhe emigracion. Ndaj, të harxhosh orë të tëra televizive në debatin duhet a jo protesta dhe dështoi a jo, është po kaq frustruese sa pritja, do na fusin a jo në atë të uruar vagon integrimi e mandej nami u bëftë! Çfarë mund të argumentojmë sot është se, në kushtet aktuale Shqipëria është një shtet i kapur dhe se Europa nuk ia del më dot duke mbështetur liderët autoritarë të Ballkanit, për pak më shumë stabilitet, por duhet ta bëjmë ne të na dëgjojë.

Shqipëria është shtet i kapur... me fakte.

Shteti përcakton se kush merr çfarë, kur dhe si. Interesa të ndryshme do të provojnë të ndikojnë shtetin për arritjen e qëllimeve të tyre.

Teoria thotë: Kapja e shtetit ndodh kur, elita qeverisëse ose biznese të fuqishme manipulojnë politikat dhe ndikojnë ligje e rregulla ekonomike në favorin e tyre. Ekonomia e kapur sillet në një rreth vicioz, në të cilin reformat dhe politikat e nevojshme për të përmirësuar qeverisjen minohen nga lidhjet mes zyrtarëve, biznesmenëve të fuqishëm ose krimit të organizuar, që përfitojnë nga mungesa e shtetit ligjor. Institucionet që kapen përfshijnë legjislativin, ekzekutivin, gjyqësorin, agjencitë rregullatore, liderë politikë, zyrtarë të lartë e grupe interesi.

Në Shqipëri janë ndërmarrë reforma të pjesshme, që kanë sjellë deformime të tregut e kanë siguruar përfitime për pak njerëz e humbje për një pjesë më të madhe. Dhe këtu, një rol të jashtëzakonshëm luajnë privatizimet me kushte tejet të favorshme për një grusht njerëzish, ligjet e ndërtuara për të favorizuar aktorë të caktuar në kurriz të konkurrencës së lirë dhe të ndershme, koncesionet jo transparente në duart e një grushti biznesmenësh pranë qeverisë.

Teoria thotë: Përqendrimi i pushtetit ekonomik e politik paralelisht me një shoqëri të dobët civile, çojnë lehtësisht në kapjen e shtetit, ku vihet re përpjekja e një numri të vogël politikanësh ose biznesesh për të ndryshuar rregullat e lojës në avantazhin e tyre, përmes blerjes së votës, dekreteve qeveritare, vendimeve gjyqësore dhe financimeve jotransparente të forcave politike.

Në Shqipëri, blerja e votave është faktuar me zë e figurë. VKM-të kanë shkaktuar ndryshim të pronësisë nga publike në private të një objekti, nga trashëgimi kulturore në funksion të interesave private; partitë politike kurrë nuk iu nënshtruan transparencës dhe sot ka akuza për përdorimin e parave të trafikut të kanabisit për blerje vote dhe financim partish në pushtet.

Ambasadori amerikan do të pohonte më në fund, atë që shqiptarët dinin e pëshpëritnin rregullisht prej kohësh se, presione e ryshfete u janë ofruar gjykatësve dhe se vendimet po rrezikojnë të merren mbi presione, kërcënime ose pará dhe jo prova e ligje. Kjo referuar heqjes së urdhër arrestit për ish-ministrin e Brendshëm. Po kush ka patur ndonjëherë dyshim se ryshfeti ka zgjidhur çështjet e drejtësisë në Shqipëri? Çështjet ndaj zyrtarëve e të mandatuarve ose janë sfumuar, mbetur në ngërç, ose janë zgjidhur në favor të të akuzuarve. A mund të thuhet se, drejtësia sot vepron si një sistem i pavarur ndaj pushtetit? Një kryeprokurore e zgjedhur në mënyrë antikushtetuese, me votat e vetëm shumicës, një Gjykatë Kushtetuese që duhej të qe garant i Ligjit Themeltar, tashmë është jo funksionale; një Gjykatë e Lartë pa kuorum, e paaftë për të vepruar; një përpjekje flagrante e zhdukjes së provave nga një prej prokurorive më të rëndësishme në vend, asaj të Durrësit; vendime kontradiktore në raport me masat e sigurisë, ndaj një ish-ministri të Brendshëm nën akuzë e një vëlla ministri aktual në burg, nën akuzën e trafikut të drogës, i dyshuar për një tjetër përfshirje që do duhej ta përballte me drejtësinë shqiptare; dëshmitarë që nuk pyeten e dëshmi që nuk arkivohen. Kush mund të vërë bast sot për drejtësinë se po funksionon pas këtyre fakteve, reformat bllokohen, kritikët cilësohen armiq të shtetit, shoqëria civile drobitet pa u ushtruar.

Në teori, shtetet e kapura nuk janë thjesht vende që notojnë në korrupsion, ose ku krimi i organizuar kontrollon ekonominë, por janë vende ku shteti kontrollon dhe përdor rrjete kriminale për të mbrojtur dhe zhvilluar interesa personale dhe të elitës qeverisëse. Në shtetet mafioze nuk janë kriminelët që kapin shtetin nëpërmjet ryshfetit dhe shantazhit të zyrtarëve, por është shteti që kontrollon rrjetet kriminale për përfitimet e liderëve politikë dhe rrjetit të tyre të bashkëpunëtorëve. Është e njohur shprehja e Atanas Atanasov, deputet dhe ish-shef i kundërzbulimit bullgar, se: “Shtetet e tjera kanë mafien e tyre, në Bullgari mafia ka shtetin e vet”. Dhe ne e dimë ç’ndodhi me Bullgarinë, një shtet që iu bashkua familjes së përbashkët europiane, megjithëse ende jo i gatshëm e pa reforma të realizuara.

Në Shqipëri, lidhjet e krimit po hetohen për arritjen e tyre deri në kupolën qeverisëse, përgjime e skandale po hedhin dritë mbi rrezikun e kapjes së pushtetit nga grupe të organizuara, që tashmë kanë nisur të sigurojnë mundësinë edhe të pastrimit të parave, duke e shndërruar gradualisht Shqipërinë në parajsën e parasë së ferrit. Raportet e Departamentit Amerikan të Shtetit farfurinë mes mohimit kategorik nga ana e pushtetit, për shndërrimin e Shqipërisë në eksportuesin numër 1 të kanabisit në Europë, ose shndërrimin e saj në një lavatriçe gjigante parash. Në diskurin që është përvetësuar mirë nga çdo përfaqësues i shumicës dhe militant i saj, sillet në vëmendje se, kapja e shtetit ka qenë normë, se nuk ka asgjë të re në lidhje me krimin dhe korrupsionin e 5 viteve të fundit dhe se këto janë plagë të pashërueshme të një shoqërie që rregullisht i prodhon. Por është kjo qasje justifikuese, që krijon mjegull mbi një ndryshim madhor, rilindjen e mafies shtetërore. Përsëritja e një akti të ngjashëm si ai me Bullgarinë e Rumaninë me rekorde të kapjes së shtetit, për vendet e Ballkanit të shënjuara nga i njëjti fenomen, nuk do qe gjë e re për BE-në që na ka mësuar më shumë me zgjidhjet e saj pragmatike bazuar në interesa afatshkurtra gjeostrategjike, sesa te vlerat dhe parimet. Por nuk do të garantonte shtetin e pakapur dhe lirinë e mirëqenien ekonomike.

Në teori, në shtetin e kapur: Ndërsa elita qeverisëse përfshihet rregullisht në narrativë nacionaliste, në retorikë me “armiq” për të tërhequr vëmendjen nga temat e mëdha të debatit që dëshmojnë dështimin e tyre (papunësia e lartë, mungesa e investimeve të huaja, shtimi i varfërisë, emigrimi në masë), ajo garanton sërish fitore në çdo përballje zgjedhore, sepse media e kapur prej saj rreket të largojë vëmendjen nga problemet e vërteta, duke sajuar ngjarje e skandale që sa i shtojnë imunitetin krimit e kapjes së shtetit prej tij.

Në Shqipëri: mund të përsëritet i njëjti paragraf, emrat e përveçëm po i lë t’i plotësoni vetë, si një ushtrim për të vërtetuar kapjen e shtetit, fatkeqësinë për çdo shqiptar, fatin e veç një grushti politikanësh, biznesmenësh e njerëzish të lidhur me ta.

Me përcaktimet teorike dhe praktike mund të vijohet pafund në këto radhë, por synimi i këtij shkrimi është një tjetër, të dëshmojë se momenti historik për të protestuar, është kapja e shtetit. Se më keq nuk ka e askush nuk mund ta bëjë luftën për ne, madje rrezikojmë që në këtë pritje, të tjerë aktorë të vendosur nga shteti i kapur të flasin në emrin tonë. Momenti është historik, sepse jemi edhe përballë një vendimi që përcakton përkatësinë tonë vendimtare, në një konkurrencë të shtuar mes lindjes e perëndimit. Ndaj, dekurajimi ynë me pyetje të tipit, a duhet protestuar a jo dhe se a dështojnë protestat, duhet t’i bëjë mirë llogaritë me të nesërmen tonë. Një të nesërme me te cilën po na shantazhojnë ata që kanë kapur shtetin. Majtas, djathtas, anash a pingul. Një shtet i kapur nuk është në dilemë për hapjen e negociatave. Përse grupet me lidhje në rrjete informale e kriminale, që e ndjejnë pushtetin të sigurt, që kanë gjetur parajsën në kurriz të interesit publik, do të ishin të interesuar për afrimin me Europën, si mjet i mëtejshëm demokratizimi, duke kufizuar kësisoj ndikimin e tyre dhe duke hequr dorë nga kapja e shtetit?

Sot, Europa ndjen se filozofia e ndjekur deri më tash, nuk ka prodhuar as reforma e as shtet të së drejtës, përkundër një elite sunduese përballë një shoqërie civile të deprimuar. Nuk ka mënyrë tjetër për të rilindur shpresën, përveçse forcimi i shoqërisë civile, i një ndërgjegjësimi të shoqërisë për çfarë i takon prej së mirës së përbashkët e se ajo është kapur si shteti nga krimi dhe një grusht njerëzish. Këtë duhet t’i dëshmojmë çdo ditë Europës, atij mekanizmi të rëndë e plot inerci, që po rreket të rilindet edhe vetë. Se filozofia e ndjekur deri më sot, me mbështetjen e liderëve për të siguruar stabilitet e reforma në letër, na ka lënë pa ekonomi, drejtësi e mirëqenie. Se, nëse duhet një mbështetje sot, ajo është për qytetarët, nëpërmjet shoqërisë civile, aktivistëve, grupeve të reja jashtë kastës, që synojnë shtet në funksionim e jo letër. Nuk ka mënyrë tjetër, për sa kohë qëndrojmë pas perdeve duke pritur, që betejën për ne ta bëjnë eurokratët e Brukselit, kancelarët e Europës, eurodeputetët ose elitat tona të kapura kokë e këmbë; mund të përfundojmë emigrantë, jo vetëm në botë, por edhe në vendin tonë.

Ndaj, mirupafshim në protestë!

Ndalohet rreptësisht ripublikimi i këtij shkrimi pa një leje të shkruar nga redaksia e Albanian Free Press

Shënim: Qëndrimet e shprehura në shkrimet e rubrikës Opinion, nuk përfaqësojnë domosdoshmërisht një vijë editoriale të Albanian Free Press

Shpërndajeni me miqtë tuaj: