Melanoma, mjekët japin alarmin: Po rriten ndjeshëm rastet e të prekurve

Melanoma, mjekët japin alarmin: Po rriten ndjeshëm rastet e të prekurve
Rrezatimi i fortë diellor është një ndër faktorët kryesorë të rritjes së sëmundshmërisë nga kanceri i lëkurës. Këshillat që japin mjekët për të shmangur sëmundjen, si dhe për ta kapur atë në stadet e para, ku mundësitë e kurimit janë të mëdha

Sonila Isaku

Dermatologët japin alarmin se, numri i të prekurve nga kanceri i lëkurës është në trend rritës në të gjithë botën, po ashtu edhe në Shqipëri. Vetëm në shërbimin e dermatologjisë në qendrën spitalore universitare në 4 muajt e parë të 2018, janë zbuluar 13 raste të reja. Janë një sërë faktorësh që shkaktojnë kancerin e lëkurës ose siç njihet ndryshe melanoma.

“Nga janari deri në këtë periudhë, janë diagnostikuar 13 raste me melanomë. Ekspozimi për një kohë të gjatë në diell, pa mbrojtje, pa kremra dhe pa kapele, si dhe pa veshjet me ngjyra të hapura që të thyejnë rrezatimet e gjata, mund të sjellë probleme me lëkurën. Personat që kanë lëkurë me ngjyrë të hapur, sy me ngjyrë, janë më të predispozuar për të bërë melanomë” - pohon mjekja dermatologe, Eva Jorgaqi. Por cilat janë këshillat dhe si duhet të konstatohet sëmundja që në fazat e para të saj.

Sëmundja

Melanoma është një nga llojet më të rrezikshme të kancerit të lëkurës. Ajo zhvillohet në qelizat ku prodhohet melanina, pigmenti që përcakton ngjyrën e lëkurës sonë. Melanoma mund të formohet gjithashtu, në sy dhe mjaft rrallë në organet e brendshme si p.sh., zorrët.  Shkaku i melanomës nuk është i qartë, por ekspozimi ndaj rrezeve ultravjollcë (UV) të diellit ose solarëve, rrit shumë rrezikun e zhvillimit të këtij lloj kanceri. Në faktorët rrezikues ka edhe një komponent gjenetik, i cili luan gjithashtu një rol të rëndësishëm.

Njohja e simptomave të para të këtij lloj kanceri, mundëson zbulimin dhe trajtimin e tij, përpara se sëmundja të përhapet. Melanoma mund të trajtohet suksesshëm, nëse zbulohet në kohë. Melanoma mund të zhvillohet në të gjithë trupin, por më shpesh ajo zhvillohet në zonat që kanë një përqindje të lartë ekspozimi në diell, si shpina, këmbët, krahët dhe fytyra. Mund të ndodhë që, ajo të zhvillohet në sipërfaqe më pak të ekspozuara ndaj diellit, si shputa e këmbës, pëllëmbët e duarve, thonjtё, membranat mukoze të organeve kavitare si goja, rektumi, vagina etj. Jo rrallë, mund të kemi shfaqje të kësaj patologjie malinje edhe në sy, e quajtur ndryshe melanoma okulare. Këto melanoma të fshehura, janë më të zakonshme në individët më lëkurë të errët.

Kush është më i rrezikuar

Personat më të rrezikuar janë ata që kanë lëkurë të bardhë. Të kesh më pak pigment melanine në lëkurë, do të thotë të kesh më pak mbrojtje ndaj rrezeve UV. Nëse keni flokë biondë ose të kuq, quka ose digjeni shpejt nën rrezet e diellit, keni më tepër mundësi të zhvilloni melanoma. Po kështu, kategoria tjetër e rrezikuar janë edhe personat të cilët kanë djegie nga dielli. Një ose më shumë episode të djegies së lëkurës nga rrezet e diellit në fëmijërinë tuaj, mund të rrisin rrezikun e melanomës në moshën adulte.

Ekspozimi i tepruar ndaj rrezeve ultravjollcë të diellit, i cili rrit rrezikun e zhvillimit të kancerit të lëkurës, ashtu sikurse edhe prania e nishaneve të shumtë ose të pazakontë në pjesë të ndryshme të trupit. Të paturit më shumë se 50 nishane të zakonshme në trup, tregon rrezik të lartë për të zhvilluar melanomë. Gjithashtu, edhe ekzistenca e nishaneve të pazakonta, tregon për një tendencë ndaj mundësisë së zhvillimeve malinje në lëkurë.

Histori familjare të melanomës janë një tjetër rrezik. Nëse një i afërm, prind, fëmijë ose vëlla, ka patur melanomë, individi ka një mundësi më të madhe për ta zhvilluar atë. Të rrezikuar, po ashtu, janë edhe personat të cilët kanë një sistem imunitar të dobët, siç janë  pacientët me HIV/AIDS dhe ata që i janë nënshtruar një transplanti.

Simptomat

Nevuset normale paraqiten me ngjyrë kafe ose pika të zeza në lëkurë. Mund të jenë të rrafshëta ose të ngritura, ovale ose të rrumbullakët, me madhësi më të vogël se 6 mm, me kufij të rregullt. Disa prej nevuseve mund të shfaqen në lindje ose në moshën fëmijërie. Nevuset e reja që shfaqen gjatë jetës, duhen të kontrollohen herë pas here nga mjekë specialistë. Nevuset mund të qëndrojnë me vite të pandryshuar në ngjyrë, përmasa dhe kufij, por disa prej tyre mund të ndryshojnë pamjen e mëparshme. Shumë persona kanë nevuse dhe pothuajse të gjithë janë të parrezikshëm. Është e rëndësishme të vlerësohen ndryshimet që pëson nishani, si në madhësi, ngjyrë ose kufij. Kjo mund të sugjerojë për zhvillimin e një melanome. Shenja  shqetësuese më e rëndësishme, është shfaqja e një nishani të ri ose ekzistues, që po ndryshon përmasat, ngjyrën dhe kufijtë. Në këtë situatë duhet të paraqiteni te mjeku specialist, për një kontroll të specializuar.

Parandalimi

Rreth 2/3 e melanomës malinje, shkaktohen nga rrezatimi i tepërt ndaj UVR. Reduktimi i UVR ul numrin e rasteve të reja. Ekspozimi ndaj rrezeve UV, është faktori i riskut më madhor i melanomave. Këto rreze shkaktojnë melanoma, përmes dëmtimit të ADN-së qelizore. Prandaj, në parandalimin e rasteve të reja është shumë e rëndësishme: të bëhen fushata edukuese herë pas here. Të ndërgjegjësohet popullata mbi efektet anësore ndaj ekspozimit UV. Gjithashtu, duhet inkurajim i ndryshimit të sjelljes ndaj reduktimit të ekspozimit UV (shmangia e qëndrimit në diell në orët ku rrezatimi UV është më i fortë). Po ashtu, nevojitet edukim periodik dhe i vazhdueshëm i fëmijëve dhe adoleshentëve, si dhe informimi i popullatës për masat mbrojtëse ndaj ekspozimit UV (përdorimi i çadrave, kapeleve, kremrave me faktor mbrojtës në zonat e ekspozuara). Po ashtu, është e rëndësishme të bëhet ekzaminimi rutinë i lëkurës nga vetë pacienti, për të kapur në kohë ndryshimet e hershme të një nishani (në ngjyrë, përmasa, kufij të çrregullt), si dhe paraqitja sa më shpejt te mjeku dermatolog për një kontroll profesional në këto raste. Vetëkzaminimi mund të reduktojë  mortalitetin e melanomës me 63%.

 

Fakte rreth kancerit të lëkurës

Shkaktari parësor i kancerit të lëkurës, është ekspozimi ndaj rrezeve ultravjollcë në diell.

Ekspozimi i paktë ndaj rrezeve ultravjollcë është i dobishëm për njerëzit, dhe luan një rol të domosdoshëm në prodhimin e vitaminës D.

Çdo vit, diagnostikohen rreth 130 000 melanoma malinje në gjithë rruzullin.

Ekspozimi i dhe djegiet e shpeshta të lëkurës nga dielli në fëmijëri, mund të shkaktojnë dëmtime të pakthyeshme, të cilat më pas mund të bëhen shkak për shfaqjen e kancerit të lëkurës.

Njerëzit me lëkurë të errët kanë mundësi më të pakta për shfaqjen e kancerit të lëkurës, por ata përsëri preken nga dëmtimet e shkaktuara nga ekspozimi në diell, kryesisht te sytë dhe sistemi imunitar.

Këshilla të rëndësishme

Të shmanget me çdo kusht djegia nga dielli;

Të qëndrohet në hije në orën 11:00 – 15:00, atëherë kur ngarkesa me rreze UV është më e madhe.

Të mbahen kapelë, syze dielli dhe rroba të përshtatshme.

Të përdoret krem me faktor të lartë mbrojtës.

Të mos ekspozohen kurrë drejtpërdrejt në diell, foshnjat deri në moshën njëvjeçare.

Veçanërisht fëmijët është mirë të mbrohen nga dielli.

Shpërndajeni me miqtë tuaj: